Rreth orës 16:00 të ditës së sotme reshjet e dëborës kanë nisur të mbulojnë Tiranën me një intensitet të konsiderueshëm, sikurse mund të shihyni në fotografitë e shkrepura në zonën pranë Parkut të Madh të kryeqytetit.

Rënia e temperaturave dhe reshjet e dëborës ishin paralajmëruar nga meteorologët, pas erërave siberiane që kishin pushtuar fillimisht veriun e Evropës edhe më pas kishin zbritur drejt Mesdheut, duke zbardhur qytete si Napoli dhe Roma në Itali.
[gallery]25682[/gallery]

Sipas parashikimeve, në kryeqytet do të ketë reshje dëbore veç ditës së sotme, edhe nesër.

Për herë të fundit bora ishte shfaqur në metropol në 11 janarin e vitit të kaluar.

I gjithë vendi nën acar/ ARRSH: Kujdes me shpejtësinë!

Ndërkohë Autoriteti Rrugor Shquptar ka bërë të ditur se orët e fundit është konstatuar një shtim i reshjeve të dëbores jo vetëm në zonat veriore/verilindore dhe ato juglindore por edhe ne Shqipërinë e mesme.

ARRSH dhe Policia Rrugore i bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes, të levizin me shpejtësi të kufizuar dhe të respektojnë në menyre rigoroze Kodin Rrugor. Kompanitë e mirembajtjes dhe forcat e shtuara të Policise Rrugore janë në terren për të garantuar ndërhyrjen në kohe sa më të shpejtë.

Borëpastrueset e Bashkisë së Tiranës hapin rrugët rurale, Veliaj apel qytetarëve

Pavarësisht intensitetit të reshjeve të borës në kryeqytet, të gjitha rrugët janë të kalueshme për automjetet. Bashkia e Tiranës ka angazhuar të gjitha mjetet për mbajtjen hapur të rrugëve, ndërkohë që janë marrë masat edhe për strehimin e të gjithë atyre që në këto ditë të ftohta dimri nuk kanë një strehë. “Në zonat malore borëpastrueset e Bashkisë së Tiranës po hapin rrugët rurale, ndërkohë në qytet është hapur qendra e emergjencave në Kombinat, për këdo që e ka zënë bora jashtë, ose s’ka mundur të kthehet nga rrethet e tjera! Ndihmoni kë të mundeni, pa panik dhe duke njoftuar 112”, shkruan Erion Veliaj në Facebook.

Tashmë, është ngritur magazina me fondin e ushqimeve dhe veshjeve për t’u ardhur në ndihmë banorëve të Tiranës në raste emergjencash.

 Një vit më parë kur u shënua edhe dimri më i ftohtë i dekadave të fundit, Bashkia e Tiranës strehoi në qendrat e saj sociale 200 persona në situatë rruge.

s.k/Shqiptarja.com

s.k/Shqiptarja.com