FLORIDA, Fort Lauderdale - Lionel Messi ka marrë 'për dore' Inter Miamin dhe me dopietën e tij i ka dhënë fitoren 3-1 kundër Nashville, në sfidën e parë play-off në MLS.
Në stadiumin "Chase", Messi kaloi ekipin e tij në epërsi pas 19 minutave lojë. Vendasit ngulmuan në një aksion, përfituan topin dhe 'Pleshti' pasoi për Suarez, me këtë të fundit që pa lëvizjen e Messit dhe hodhi një top "të ëmbël" në zonë. Messi nuk u mendua dy herë dhe me kokë shënoi një 'penallti në lëvizje'.
Pjesa e parë u mbyll 1-0 për vendasit, teksa Messi ishte protagonist edhe në golin e dytë për të tijët. Messi nisi aksionin në minutën e 62-të dhe Fray pasoi për Allende që shënoi me kokë. Në shtesën e gjashtë, Messi përfitoi nga një gabim i prapavijës mike dhe nga pranë portës nuk e kishte të vështirë të shënonte dopietën personale dhe golin e tretë për Inter Miamin. Golin e 'flamurit' për Nashville e shënoi Mukhtar në minutën 90+11 nga goditja e dënimit.
Tanimë dy skuadrat do ndeshen edhe në sfidën e kthimit, por Inter Miami ka një avantazh të konsiderueshëm dhe nëse kalo këtë tur, në atë të radhës do gjejë përballë fituesin e çiftit Cincinnati - Columbus (0-0 ndeshja e parë).
Komente








