Ushtria amerikane ka sulmuar të shtunën një anije të dyshuar se përdorej për trafik droge në Detin e Karaibeve, duke vrarë katër persona. Sulmi është pjesë e operacioneve që administrata e presidentit Donald Trump po zhvillon prej muajsh kundër trafikantëve të dyshuar të drogës në Amerikën Latine.
Komanda Jugore e SHBA-së njoftoi se anija ishte goditur në një rrugë të njohur të trafikimit të drogës, por nuk paraqiti prova se ajo po transportonte lëndë narkotike.
Me këtë sulm, numri i personave të vrarë nga operacionet amerikane kundër anijeve të dyshuara për trafik droge ka arritur në të paktën 231, gjatë 69 sulmeve të ndërmarra në Karaibe dhe në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor.
Ndërkohë, administrata Trump po kërkon marrëveshje me vendet e Amerikës Latine për t'i shtrirë operacionet ushtarake edhe në territorin e tyre. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Kolumbia, Guatemala dhe Hondurasi kishin pranuar operacione të përbashkëta, por Guatemala e mohoi arritjen e një marrëveshjeje të tillë.
Trump i ka cilësuar operacionet si të nevojshme për të ndaluar trafikun e drogës drejt SHBA-së dhe për të ulur numrin e vdekjeve nga mbidozat. Megjithatë, administrata e tij ka paraqitur pak prova publike që mbështesin pretendimet se personat e vrarë ishin trafikantë droge.








Komente
Komento