Operacioni ”Quaranta”
Pas tre viteve hetime, prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me sektorin kundër trafiqeve, ka organizuar operacionin e koduar ”Quaranta”. Gjatë mesnatës së të premtes dhe në t’u gdhirë e shtuna agjentë të policisë kanë arrestuar, shtetasit nga Delvina dhe Saranda Arben Kanina, biznesmenin Petro (Abedin) Kuçi, Mirel Ademi dhe Artur Shukulli. Këta persona dyshohet se, në të paktën dy episode të ndryshme, kanë tentuar të trafikojnë në Itali rreth 85 kg lëndë narkotike canabis, si edhe në Greqi rreth 670 kg lëndë narkotike, në vitin 2014.
Në këto ngjarje janë përfshirë një numër i lartë personash, disa prej të cilëve janë arrestuar kohë më parë në vende dhe episode të ndryshme. Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se në datën 4 tetor 2013 janë arrestuar në flagrancë në Tiranë, në vijim të një hetimi të nisur pak kohë para arrestimit të tyre, shtetasit Arben Mullolli dhe Romeo Mataj. Në mjetin në përdorim të tyre u gjet një sasi prej rreth 85 kg lëndë narkotike, të cilën po synonin ta trafikonin në drejtim të Italisë. Këta persona ishin në vëzhgim, në bazë të hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda të nisur ndaj tyre dhe disa personave të tjerë.
Roli i të dënuarit përjetë
Pjesë e këtij grupi dyshohet se ka qenë edhe shtetasi Odise Verbofshi, banues në Durrës. Ky shtetas konsiderohej si një prej personave që organizonte banorë nga Fushë-Kruja për mbledhjen e sasive të canabis-it, të cilën më pas synonte ta trafikonte jashtë Shqipërisë. Në një nga episodet e shkëmbimit të lëndës narkotike në banesën e tij në Durrës, Odise Verbofshi vret dhe djeg në makinë dy persona, Shaban Babasi dhe Albert Kasalla. Sipas hetimit të Prokurorisë së Durrësit për këtë rast, Verbofshi dhe dy viktimat ishin konfliktuar për cilësinë e lëndës narkotike të siguruar në Fushë-Krujë dhe pagesës që duhej të bënte Verbofshi. Për këtë episod, Odise Verbofshi është dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, që ai rezulton të jetë pjesë thelbësore e grupit që është aktualisht në hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Trafiku me mushka
Gjatë hetimit të këtij grupi nga Tirana, në fillim të vitit 2014, Prokuroria për Krime të Rënda konstaton se ata bashkëpunin me disa persona të tjerë, kryesisht nga Delvina dhe Lazarati. Hetimi është zhvilluar para ndërhyrjes së forcave të Policisë në fshatin e Lazaratit. Pjesëtarët e grupit nga Tirana kishin porositur një sasi lënde narkotike, të cilën dyshohet se do ta trafikonin për në Greqi. Ky plan u zbulua gjatë hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe grupi i personave u mbajt nën mbikqyrje nga ana e policisë.Nga vëzhgimi, disa persona po tentonin të trafikonin nëpërmjet kufirit malor me Greqinë një sasi të konsiderueshme lënde narkotike me anën e mushkave. Por ky plan nuk u rezultoi i suksesshëm, për faktin se grupi i personave me kafshë po ndiqej nga policët që i kishin nën vëzhgim. Mesnatën e datës 27 prill 2014, policia ndërhyri, por mundi të arrestonte në flagrancë vetëm shtetasin Artur Balilo, i cili gjendej në një mjet me 3 persona të tjerë, të cilët po koordinonin trafikimin e lëndës narkotike me kafshë.
Gjatë arrestimit të Balilos u gjet edhe një armë automatike, ndërkohë që personat e tjerë u larguan me shpejtësi në errësirë. Po ashtu, nuk u bë e mundur kapja e lëndës narkotike në atë moment, pasi terreni ishte i thyer dhe errësirë, gjë që vështirësonte planin operacional policor. Kjo lëndë narkotike u zbulua dy ditë më pas, më datë 29 prill 2014, në një automjet në fshatin Varfaj, në vijim të operacionit policor, të koordinuar nga Prokuroria për Krime të Rënda. Në vijim të hetimeve, ditët e fundit Prokuroria për Krime të Rënda konkludoi mbi personat e dyshuar për këtë rast trafikimi dhe kërkoi nga Gjykata për Krime të Rënda caktimin e masës së sigurisë ”arrest në burg” për 7 persona. Pas vendimit të gjykatës, gjatë ditës së djeshme u bë i mundur arrestimi i personave të përfshirë, të cilët dyshohen për veprën penale të ”Trafikimit të lëndëve narkotike” dhe ”Grupit të strukturuar kriminal”.
Artur Balilo
Mesnatën e datës 27 prill 2014, policia ndërhyri, por mundi të arrestonte në flagrancë vetëm shtetasin Artur Balilo, i cili gjendej në një mjet me 3 persona të tjerë, të cilët po koordinonin trafikimin e lëndës narkotike me kafshë.
670 kg drogë
Këta persona dyshohet se, në të paktën dy episode të ndryshme, kanë tentuar të trafikojnë në Itali rreth 85 kg lëndë narkotike canabis, si edhe në Greqi rreth 670 kg lëndë narkotike, në vitin 2014.
Emrat e grupit kriminal
1. Petro (Abedin) KUCI, 47 vjeç (Organizator)
2. Arben KANINA, 44 vjeç (Organizator)
3. Mirel ADEMI, 31 vjeç (Transportues)
4. Artur SHUKULLI, 42 vjeç (Transportues)
5. Donald (QOSJA) SHANDRO (Organizator)
6. Bledar MURATI, 29 vjeç (Transportues)
7. Xhovan SARAÇI, 30 vjeç (Transportues)
8. Hasan Gjinaj i dënuar
9. Xhaferr Tozaj i dënuar
10. Artur Balilo allias Shpëtim Jaçe i dënuar
11. Aranit Halilaj i dënuar
12. Adhurim Ndreu i dënuar
13. Rizart Azizi i dënuar
14. Ilirjan Malaj i dënuar
Drogë të sekuestruar
85kg e 900 gr lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, në datën 05.10.2013, në Tiranë.
670.135 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa në datën 29.04.2014, në Sarandë, në Pyllin e Gështenjave në afersi te vendit të quajtur Bushnec.
60 gram lëndë narkotike e llojit Kokainë, në datën 06.06.2014, në Kavajë dhe Fier
6 kg e 900 gr lëndë narkotike e llojit Heroinë, gjatë viteve 2013 dhe 2014 në Zvicër.
1.5kg lëndë narkotike e llojit Kokainë, në Zvicër gjatë vitit 2014.
Nga Tirana në Sarandë
Grupi kriminal vepronte në pesë qytete të Shqipërisë
Në kuadër të këtij procedimi janë arrestuar gjithsej në vendin tonë dhe në Zvicër 16 shtetas, nga të cilët 3 në Zvicër dhe 13 në vendin tonë. Shtetasit e arrestuar në vendin tonë ishin pjesë e tre grupeve kriminale që operonin në Tiranë, Durrës, Fier, Gjirokastër dhe Sarandë. Lënda narkotike kryesisht sigurohej në Lazarat dhe në malësinë e Vlorës e Fushë-Krujë. Më pas transportohej me mushka dhe automjete, grumbullohej në zonën e pyllëzuar të Delvinës ose në shtëpi të pa banuara dhe trafikohej drejt Greqisë ose Italisë me skafe që vinin përtej detit.Gjatë tre viteve, policia dhe prokuroria kanë dokumentuar me prova konkrete veprimtarinë e këtij grupi kriminal, dhe se tashmë ata do përballen me akuzën e trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal