VIDEO/ Shpërthim i fuqishëm në Stamboll, 6 viktima dhe 81 të plagosur! Nuk ka shqiptarë të lënduar! Erdogan: Dyshohet sulm terrorist, protagoniste ishte një grua

TURQI - Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një rrugë këmbësorësh në sheshin Taksim në Stamboll, ku nga autoritetet janë konfirmuar 6 viktima e 81 të tjerë janë plagosur. Shpërthimi ndodhi në një prej rrugëve më një njohura tregtare e ku ka gjithmonë fluks të shtuar lëvizjesh, ndërsa ndodhet afër disa atraksioneve turistike.

Në pamjet e publikuara pas shpërthimit duken njerëz të frikësuar që ikin nga vendi i ngjarjes me vrap, ndërsa shumë të tjerë ishin shtrirë në tokë pasi ishin plagosur. Përmes Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Stamboll bëhet e ditur se deri nuk ka raportime për shqiptarë të lënduar.

Presidenti turk Recep Tayip Erdogan tha në një konferencë për mediat para nisjes për në Indonezi se një grua ka pasur rol në sulmin që ndodhi në zemër të Stambollit, duke thënë se mund të jetë akt terrorist ndërsa theksoi se autorët, ende të paidentifikuar, do të dënohen. Ai e quajti sulmin të poshtër, duke nënvizuar se era e terrorit u ndje në Stamboll. Edhe zv.presidenti turk Fuat Oktay tha se sulmi terrorist në Stamboll kishte protagoniste një grua.

Duke pohuar atë çka presidenti turk deklaroi më herët mbi rolin e një gruaje, ministri turk i drejtësisë, Bekir Bozdag zbuloi detaje të tjera nga sulmi. Ai tha se gruaja, ende e pa identifikuar qëndroi në një stol pranë vendngjarjes rreth 45 minuta para se të shpërthente bombën.

Ndërkohë kryeprokuroria publike e Stambollit njoftoi se ka nisur hetimi për shpërthimin nga një grup prej 8 prokurorësh. Sulmi në rrugën e njohur tregtare ka shokuar banorët e Stambollit, e vecanësisht ata që ndodheshin aty pranë. Rruga ku ndodhi shpërthimi, ka qenë edhe një herë tjetër objekt i një sulmi kamikaz në 2016. Për sulmin reagoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar duke i quajtur tronditëse pamjet pas shpërthimit në Stamboll.

“Mendimet e mia dhe ngushëllimet më të thella shkojnë për të gjithë ata që janë prekur dhe për popullin turk. NATO qëndron në solidaritet me aleatin tonë Turqinë”, shkruan Stoltenberg në Twitter.

Sulmi në stamboll u dënua edhe nga Presidenti Bajram Begaj, kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla dhe Ministrja për evropën e punët e jashtme Olta Xhaçka. Qyteti ka qenë në shënjestër të sulmeve të ISIS në të kaluarën. Në vitin 2017, 39 persona u vranë pasi persona të armatosur hapën zjarr në një klub nate në lagjen Ortakoy. Militantët e ISIS sulmuan gjithashtu aeroportin e Stambollit në vitin 2016, duke vrarë 41 persona. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:36
Sulmi me bombë në Stamboll, Mitsotakis: I tronditur! Greqia dënon pa mëdyshje çdo formë terrorizmi


Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ka reaguar pas sulmit me bombë të ndodhur ditën e sotme në Stamboll, ku deri më tani raportohet se 6 persona kanë humbur jetën, ndërsa 81 të tjerë janë plagosur.

Nëpërmjet një postimit në Twitter, Mitsotakis shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave e popullit turk.

“I tronditur dhe i pikëlluar nga lajmi i sulmit të tmerrshëm në Turqi. I uroj shërim të shpejtë të plagosurve dhe shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e viktimave, Presidentin Erdogan dhe popullin turk. Greqia dënon pa mëdyshje çdo formë terrorizmi”, shkruan Mitsotakis në Twitter.

Ora 21:23
Sulmi në Stamboll, Basha: I tronditur! Lutjet tona janë me të lënduarit dhe familjet e viktimave dhe popullin turk

Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas sulmit që ndodh ditën e sotme në Stamboll, ku deri më tani raportohet se gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa 81 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

“I tronditur nga sulmi terrorist në Stamboll. Mendimet dhe lutjet tona janë me të lënduarit, familjet e viktimave dhe popullin turk. Shqiptarët kudo janë solidarë me aleatin dhe miken tonë #Turkiye.”, shkruan Basha në Twitter.

 

Ora 20:58
Detaje të tjera nga sulmi në Stamboll, Ministri turk: Gruaja priti 45 minuta në një stol para se të shpërthente bombën

Ministri i Drejtësisë i Turqisë, Bekir Bozdag, ka zbuluar detaje të tjera nga sulmi me bombë në sheshin Taksim të Stambollit, ku deri më tani raportohet se 6 persona kanë humbur jetën, ndërsa 81 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ai tha se gruaja që dyshohet se shpërtheu bombën, u ul në një stol, priti 45 minuta para se të ngrihej dhe më pas bomba shpërtheu. Ata që kaluan pranë vendit, gjë që sipas ministrit turk nuk është e rastësishme, vrapuan të shpëtonin veten në panik.

“Një grua ulet në një stol për rreth 45 minuta dhe shpërthimi ndodh menjëherë pasi ajo ngrihet”, tha ministri turk i Drejtësisë, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos mbështeten në lajme provokuese dhe të pavërteta.

A po ashtu i bëri thirrje qytetarëve që mos të bien e pre e lajmeve të pa vërteta lidhur me sulmin.

“Shumë lajme provokuese po qarkullojnë. Është e dobishme për qytetarët që të mos mbështeten në lajme joekzistente që synojnë të mashtrojnë. Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ka nisur një hetim. Autorët e kësaj ngjarje natyrisht janë përgjegjës. Ky është një sulm kundër besueshmërisë, paqes dhe unitetit të Turqisë”, tha ai.

Ora 19:47
Sulmi në zemër të Stambollit, autoritetet: Një grua shpërtheu bombën

Gruaja, e cila dyshohet se kreu sulmin dhe foto nga vendngjarja

Zëvendëpresidenti turk Fuat Oktay tha se sulmi që ndodhi ditën e sotme në Stamboll është kryer nga një grua, ndërsa njoftoi se hetimet janë ende duke vazhduar.

“U konstatua se një grua sulmuese shpërtheu bombën. Ngjarja po hetohet dhe po bëhen vlerësimet e nevojshme. Deri më tani kemi humbur 6 persona, 4 prej tyre në pikën e sulmit. Kemi 81 të plagosur. Hetimet në vendngjarje vijojnë me shpejtësi. Do të arrijmë në fund shumë shpejt. Kushdo që qëndron pas do të mbajë përgjegjësi”, tha Oktai.

Ndërkohë, një foto që po qarkullon në televizionet lokale, shfaqin imazhin e një gruaje të dyshimtë, për të cilën pretendohet se është ajo që kreu sulmin.

Ora 19:16
Shpërthimi në Stamboll, presidenti Begaj: Të tronditur nga kjo tragjedi! Lutjet tona janë për familjet e viktimave dhe të plagosurve


Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas shpërthimit të ndodhur ditën e sotme në Stamboll, ku deri më tani raportohet se 6 persona kanë humbur jetën, ndërsa 81 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

“Lutjet tona janë për familjet e viktimave dhe të plagosurve nga shpërthimi vdekjeprurës në Stamboll, këtë pasdite. Të tronditur nga kjo tragjedi, ne qëndrojmë pranë Turqisë dhe dënojmë çdo akt që synon cënimin e njerëzve të pafajshëm!”, shkruan presidenti Begaj në Twitter.

Ora 18:45
Shpërthimi në Stamboll, Erdogan: Një grua ka pasur rol

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se një grua ka pasur rol në sulmin që ndodhi ditën e sotme në zemër të Stambollit, ku deri më tani raportohet se 6 persona kanë humbur jetën, ndërsa 81 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

"Njësitë përkatëse të shtetit tonë po punojnë për të gjetur autorët pas këtij sulmi të urryer,", tha Erdogan në një konferencë shtypi përpara nisjes së tij për në Indonezi për të marrë pjesë në samitin e G-20.

“Vëzhgimet fillestare tregojnë se një grua ka luajtur një rol në shpërthim”, tha ai dhe tha se “në bazë të informacioneve fillestare nga guvernatori, shpërthimi mund të dyshohet për akt terrorist”.

Ora 18:27
Stoltenberg: Pamje tronditëse nga Stambolli! NATO qëndron në solidaritet me aleatin tonë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar pas shpërthimit  të ndodhur pasditen e sotme në Stamboll, ku 6 persona humbën jetën , ndërsa 53 të tjerë mbetën të plagosur.

“Pamje tronditëse nga Stambolli. Mendimet e mia dhe ngushëllimet më të thella shkojnë për të gjithë ata që janë prekur dhe për popullin turk. NATO qëndron në solidaritet me aleatin tonë Turqinë”, shkruan Stoltenberg në Twitter.

Ora 17:52
Sulmi me bombë në Stamboll, Nikolla: Shpreh dhimbjen për ngjarjen tronditëse

Kryetarja e Kuvendit, Linidta Nikolla ka reaguar pas sulmit me bombë në Stamboll ku 6 persona humbën jetën dhe 81 të tjerë u plagosën.

“Jam e tronditur nga ngjarja e dhimbshme në sheshin Taksim në Stamboll, ku humbën jetën 6 persona dhe u plagosën disa dhjetëra.

Ndaj dhimbjen dhe shpreh solidaritetin me familjet e viktimave, qytetarët e Stambollit, Asamblenë e Madhe Kombëtare dhe Presidentin  e saj, Mustafa Sentop!”, shkruan në mesazhin e saj Nikolla.

Ora 17:51
Sulmi në Stamboll, nuk ka shqiptarë të lënduar! Xhaçka: Shpërthimi shokues, lutjet tona shkojnë për familjet e atyre që humbën jetën

1667829154_oltaxhacka.JPG

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar për shpërthimin në sheshin Taksim në Turqi duke shprehur ngushëllime për familjet e atyre që humbën jetën.

“Shokues shpërthimi në sheshin Taksim në Stamboll,Turqi. Lutjet tona shkojnë për familjet e atyre që humben jetën dhe shërim sa më të shpejtë të plagosurve. Ne qëndrojmë pranë Turqisë dhe popullit të saj në këtë ditë të dhimbshme”, shkruan Xhaçka.

Ndërkohë, përmes Konsullatës së Përgjihshme të RSH në Stamboll bëhet e ditur se deri nuk ka raportime për shqiptarë të lënduar, ndërsa është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet turke.

Konsullata njofton të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Stamboll, ata që ndodhen atypër ta vizituar atë ose kanë të afërm në rast nevoje të kontaktojnë menjëherë përmes numrave të telefonit:

+905396566219

+905461000014

Ora 17:08
VIDEO/ Njerëz të shtrirë përtokë që bërtasin të frikësuar, pamje nga momenti i shpërthimit në Stamboll

 

Banorë të frikësuar që largohen me vrap dhe të tjerë të plagosur të shtrirë në tokë. Këto duken nga pamjet e shpërthimit të fuqishëm në Turqi ku ndërruan jetë 6 persona dhe 53 të tjerë mbetën të plagosur.

Ende nuk dihen arsyet e shpërthimit pranë sheshit Taksim në Stamboll por dyshohet të jetë sulm terrorist.

Ora 16:49
Shpëthimi në Stamboll/ 6 viktima dhe 53 të plagosur, Erdogan: Autorët terroristë do të dënohen ashtu siç e meritojnë

Presidenti Erdogan ka folur rreth shpërthimit të fundit në Stamboll, i cili njoftoi se 6 persona kanë humbur jetën dhe 53 janë lënduar nga shpërthimi në Taksim.

Ai tha se autorët e incidentit në rrugën Istiklal do të dënohen ashtu siç e meritojnë. 

Ai githashtu shtoi se mund ta quajë sulm terrorist, pasi të të dhënat e para sinjalizojnë se mund të bëhet fjalë për terrorizëm.

Presidenti Erdogan tha: “Përpjekjet për ta nënshtruar Turqinë dhe kombin turk përmes terrorizmit nuk do të arrijnë qëllimin e tyre as sot, e as nesër, ashtu siç nuk e arritën dje. Të jetë i sigurt kombi ynë se autorët e incidentit në rrugën Istiklal do të dënohen ashtu siç e meritojnë. Ndonëse mund të jetë e gabuar të quhet terrorizëm në terma absolutë, të dhënat e para sinjalizojnë se mund të bëhet fjalë për terrorizëm”.

S.S/S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Paul: 13/11/2022 22:23

    a ka polici turqia ,,apo jo....apo flejne gjume.....

    Përgjigju
  • Fshati: 13/11/2022 18:09

    Ngushellime familjeve te viktimave. Sherim te shpejte te lenduarve.

    Përgjigju
  • Edi rama: 13/11/2022 18:03

    Bota eshte portokall. Pervec servilizmit te xhackes dhe rames, cdo gje riciklohet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve