Flamurtari dhe Teuta barazuan të premten 2-2 në Vlorë në një ndeshje që zgjati më shumë se dy orë. Në minutën e 69-të të ndeshjes pati një sherr në fushë mes futbollistëve, ndërsa më pas disa tifozë të Flamurtarit kapërcyen gardhin dhe u futën në fushë.
Teuta ka reaguar duke thënë se në këtë moment tifozët vlonjatë kanë goditur futbollistët e tyre. Klubi durrsak bën me dije se pas këtij momenti ata ishin në shok psikologjik dhe nuk mund të vijonin ndeshjen, por delegati Armand Mando kërkoi të luhej, gjë që edhe ndodhi.
Teuta, në reagimin e saj bën me dije se tribuna përballë (C) u zbraz nga tifozët, por këta të fundit nuk u nxorën jashtë stadiumit, por u vendosën në tribunën pas porte.
Durrsakët i bëjnë apel FSHF-së që të marrë masa për këto ngjarje që nuk e nderojnë futbollin shqiptar. Në momentin e ndërprerjes së ndeshjes Teuta po fitonte 0-1, ndërsa sfida në fund u mbyll 2-2.
Reagimi i plotë i KF Teutës:
Një ngjarje e paprecedentë dhune u regjistrua në Vlorë, në ndeshjen Flamurtari–Teuta, ku futbollistët e ekipit tonë u dhunuan barbarisht nga kundërshtarët dhe tifozët vlonjatë.
KF Teuta kërkon të informojë publikun për dhunën që ndodhi në stadiumin e Flamurtarit, ku Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën me grusht nga lojtarët e Flamurtarit dhe më pas nga tifozët që mësynë fushën në minutën e 69-të.
Një episod i tillë i tronditi lojtarët, të cilët kaluan në shok psikologjik, por çuditërisht delegati i ndeshjes, Armando Mandro, kërkoi që loja të vazhdonte dhe i kërkoi policisë të boshatiste tribunën përballë (C).
KF Teuta insistoi se ekipi nuk mund të riluante ndeshjen, pasi ishte në gjendje të rënduar psikologjike, por delegati vendosi që ndeshja duhej të vazhdonte, pa u interesuar për dhunën e paprecedentë që ndodhi në fushë.
Ndeshja u kthye në ferr dhe lojtarët nuk ishin të gatshëm të luanin futboll, por, ndonëse KF Teuta nuk ishte dakord, pranoi të vazhdonte ndeshjen pas urdhrit të delegatit.
KF Teuta ka në dispozicion edhe një tjetër video ku tifozët e Flamurtarit nuk u larguan nga stadiumi, por shkuan në tribunën pas porte.
KF Teuta kërkon nga FSHF-ja që të merren masat për këtë ngjarje të rëndë dhe të zbardhet dinamika e saj. Urojmë që skena të tilla të mos përsëriten më, pasi njollosin futbollin shqiptar.
Komente









