Dyqanet e Zarës, në mbarë botën po përballen me protesta pro palestineze. Shkak u bë fushata reklamuese e markës së njohur, imazhet e të cilës, ngjasonin me fotot e kufomave në Gaza.

Një nga fotot që ngjalli më shumë debate, ishte e një modeleje që mbante një manekin të mbështjellë më të bardhë, foto që ngjason me atë të një nëne në Palestinë, që mbante në krah fëmijën e vrarë.

Një dyqan Zara në Skoci u detyrua të mbyllej mëngjesin e sotëm pasi u vu në shënjestër nga aktivistët pro-palestinez të cilët pretenduan se 'tallet me vdekjet në Gaza'.

Dyqani në rrugën Buchanan, Glasgow u përball me një grumbull njerëzish duke valëvitur flamujt dhe pankartat siç shihet në video në mediat sociale.

Zara tërhoqi imazhet dhe dje lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se "i vjen keq për keqkuptimin", duke shtuar se fushata u konceptua në korrik dhe u xhirua në shtator, një muaj para shpërthimit të konfliktit. 

Kjo nuk është hera e parë që Zara është kritikuar për çështjen e Palestinës.