Shën Petersburg, Rusi - Autoritetet ruse kanë parandaluar një ngjarje tronditëse që përfshin sulmuesin e krahut të Zenitit, Andrei Mostovoy, i cili ishte shënjestër e një tentative rrëmbimi nga disa persona. Një shok i erdhi në ndihmë Andrei Mostovoy, duke bërë që ai të largohej me vrap nga duart e keqbërësve.

Sipas raportimeve të 'Goal', katër persona janë arrestuar nga policia e Shën Petersburgut dhe ndaj tyre janë ngritur akuza për zhvatje parash. Hetimet paraprake kanë zbuluar se të dyshuarit kishin komunikuar me organizatorin e operacionit përmes aplikacionit Telegram, ku personi që dyshohet si “mendja e aksionit” identifikohej me pseudonimin “Slava Satanist”.

Ngjarja ndodhi të enjten, ndërsa arrestimi i grupit u bë publik mëngjesin e së hënës. Të katër të dyshuarit janë të lindur në vitet 2005 dhe 2006, ndërsa njëri prej tyre deklaroi se pranoi të merrte pjesë në rrëmbim për të siguruar para për operacionin e babait të tij.

Megjithatë, të gjithë kanë mohuar ta njohin apo ta kenë parë ndonjëherë personin që udhëhiqte komunikimin në Telegram. Sipas policisë, tentativa për rrëmbim ishte e lidhur me kërkesa për shpërblim financiar. 

Kush është Andrei Mostovoy

27-vjeçari Mostovoy lindi në Omsk dhe u formua në akademitë e klubeve të njohura CSKA dhe Lokomotiv Moskë. Karrierën profesionale e nisi me FSK Dolgoprudniy, për t’u transferuar më pas në Khimki në vitin 2016. Që prej vitit 2019, ai është pjesë e Zenit St. Petersburg, me një huazim të shkurtër te Sochi në sezonin e parë. Sulmuesi debutoi me fanellën e kombëtares ruse në vitin 2020, duke u bërë një prej emrave të rëndësishëm të brezit aktual.