SHBA, NEW JERSEY - Trajnerët dhe kapitenët e Spanjës dhe Argjentinës dolën në konferencën për shtyp në prag të finales së madhe të Botërorit 2026, ku vëmendja kryesore ishte te përballja mes dy prej kombëtareve më të forta të turneut.

Gjatë fjalës së trajnerit të Spanjës, Luis de la Fuente, publiku ndërhyri disa herë me brohoritje dhe fërshëllima, duke e ndërprerë konferencën. Kamerat fokusuan Lionel Messin të sikletosur duke parë drejt tifozëve, ndërsa reagimi i tij u interpretua nga shumë si pakënaqësi ndaj mungesës së respektit gjatë momentit kur fliste trajneri kundërshtar.

“Çfarë po bëni?”, iu drejtua de la Fuente tifozëve. “Që në moshë të vogël më kanë mësuar të jem respektues ndaj të gjithëve. Duhet ta kujtojmë këtë dhe të tregojmë gjithmonë respekt.”

Përtej këtij episodi, ajo që spikati ishte vlerësimi i madh që trajneri spanjoll shfaqi për Argjentinën dhe për vetë Messin. De la Fuente shmangu çdo polemikë dhe foli me shumë respekt për trajnerin kundërshtar Lionel Scaloni, me të cilin ka edhe një histori njohjeje.

Dy trajnerët janë takuar që në vitin 2017, kur de la Fuente ishte instruktor në kohën kur Scaloni ndiqte kursin për licencën profesionale të trajnerit.

“Janë dy skuadra të nivelit më të lartë, me shumë ngjashmëri në mënyrën se si luajnë dhe në talentin që kanë në përbërje. Besoj se do të jetë një ndeshje e shkëlqyer”, deklaroi de la Fuente.

Sipas tij, objektivi i të dyja skuadrave është që në finale të fitojë futbolli i bukur.

Argjentina dhe Spanja kërkojnë një ndeshje ku shkëlqimi, talenti dhe cilësia e futbollit të mbizotërojnë mbi çdo faktor tjetër.”

Trajneri spanjoll pati edhe fjalë të veçanta për Lionel Messin, të cilin e cilësoi një lojtar unik dhe një shembull për brezat e rinj, duke përmendur edhe talentin spanjoll Lamine Yamal.

I pyetur se si Spanja do të tentojë ta ndalë Messin, de la Fuente kujtoi me humor një episod nga e kaluara.

“Kur shkuam në Barcelonë për të luajtur në Kupën e Spanjës, kisha dëgjuar shumë për një djalë të quajtur Messi. Vendosëm ta markonim 'një për një' që në fillim. Por kur lojtari ynë mori karton të verdhë, e zëvendësova. Brenda 15 minutash, Messi kishte shënuar katër gola”, tregoi ai.

Finalja pritet të jetë një përballje mes dy shkollave të mëdha të futbollit, me Spanjën dhe Argjentinën që kërkojnë trofeun më të rëndësishëm të këtij sporti. Kujtojmë se Argjentina është mbajtësja në fuqi e trofeut, teksa djemtë e rinj të Spanjës kërkojnë t'i ulin nga froni.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:02
FIFA zyrtarizon kohëzgjatjen e pushimit në finalen e Botërorit, do të jetë 17 minuta

1784368972_boterori2026.JPG

FIFA ka zbardhur një nga detajet më të diskutuara në prag të finales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, që do të zhvillohet këtë të diel në stadiumin “MetLife” në New Jersey.

Pushimi mes dy pjesëve të finales nuk do të jetë më i gjatë se zakonisht dhe do të zgjasë vetëm 17 minuta, sipas njoftimit zyrtar të organizatorëve të turneut.

Ky është vetëm dy minuta më shumë se koha standarde e pushimit në një ndeshje futbolli, e përcaktuar nga rregullorja e IFAB-it.

FIFA ka bërë të ditur se shfaqjet muzikore të planifikuara gjatë pushimit do të zgjasin rreth 11 minuta, ndërsa koha e mbetur do të përdoret për montimin dhe çmontimin e skenës, si edhe për mirëmbajtjen e fushës, përfshirë ujitjen e barit.

Vendimi vjen pas diskutimeve të shumta rreth ceremonisë së spektaklit në finalen e Botërorit dhe ndikimit që mund të kishte në ritmin e ndeshjes.

Kështu, Spanja dhe Argjentina do të kenë një ndërprerje pak më të gjatë se një ndeshje normale, por jo një pushim të zgjatur që mund të ndryshojë ndjeshëm rrjedhën taktike të finales.

Ora 11:44
Luis de la Fuente rrëfen 'makthet' përpara finales: Helikopteri dhe Messi, më ka shënuar katër gola për 30 minuta

1784367918_luisdelafuente.JPG

Luis de la Fuente ka zbuluar disa nga shqetësimet e tij në prag të finales së madhe të Botërorit, ndërsa trajneri i Spanjës ka treguar se një prej gjërave që e ka bërë nervoz është udhëtimi me helikopter drejt qendrës stërvitore.

Trajneri spanjoll pranoi se fluturimi me helikopter nuk është një eksperiencë që e përjeton qetësisht dhe se do të duhet ta bëjë sërish rrugën e kthimit në të njëjtën mënyrë.

“Jam pak nervoz sepse do të kthehemi në hotel me helikopter. Erdhëm këtu me helikopter dhe do të kthehemi përsëri me të njëjtën mënyrë. Për këtë arsye jam pak në ankth”, u shpreh de la Fuente gjatë konferencës për shtyp.

Megjithatë, tema kryesore e pyetjeve të gazetarëve ishte finalja e madhe e Botërorit 2026 kundër Argjentinës dhe mbi të gjitha përballja me Lionel Messin. Trajneri spanjoll tregoi një episod nga e kaluara, kur kishte përballë yllin argjentinas dhe ku Messi i kishte dhënë një mësim të paharrueshëm.

“Messin e njoh shumë mirë. Kur isha trajner i të rinjve të Sevillas, ai ishte kundërshtari ynë. Vendosa një lojtar për ta markuar nga afër. Për 70 minuta Messi nuk bëri asgjë, por sapo zëvendësova lojtarin që e mbulonte sepse u ndëshkua, ai na shënoi katër gola”, rrëfeu 65-vjeçari.

Pavarësisht këtij kujtimi, de la Fuente bëri të qartë se Spanja nuk do të aplikojë një markim special ndaj kapitenit argjentinas në finale.

“Për të dielën, asnjë lojtar i Spanjës nuk do të ketë një detyrë specifike për të ndjekur Messin. Ne do të luajmë si skuadër. Por gjithashtu i them Argjentinës që duhet të ruhen nga lojtarët tanë”, deklaroi trajneri spanjoll

De la Fuente e sheh si privilegj arritjen në këtë finale.

“Është një privilegj të jesh në finale. Për mua, gjëja më e rëndësishme është ta fitosh atë. Do ta pranoja me kënaqësi të arrija çdo vit në finale, edhe nëse do ta humbisja. Tani do ta shijojmë këtë moment me forcat dhe cilësitë tona përballë një kundërshtari që ka bërë një rrugëtim spektakolar”, u shpreh De la Fuente.

Trajneri qetësoi tifozët edhe për gjendjen e talentit Lamine Yamal, duke konfirmuar se sulmuesi është plotësisht i gatshëm për finalen.

“Lamine është mirë dhe në formë perfekte fizike”, deklaroi trajneri.

Ai zbuloi se ka kërkuar këshilla nga Vicente del Bosque, njeriu që udhëhoqi Spanjën drejt triumfit në Kupën e Botës 2010.

“Ai është një njeri i mençur i futbollit. E ka përjetuar këtë situatë dhe nuk ka njeri më të përshtatshëm për të dhënë këshilla”, tregoi trajneri.

Në fund, ai vlerësoi edhe homologun e tij Lionel Scaloni, të cilin e konsideron mik.

“Mendoj se kemi shumë gjëra të përbashkëta. Unë dhe Scaloni ndajmë të njëjtat koncepte, vlera dhe parime që frymëzojnë të dyja kombëtaret. Për këtë arsye pres një finale të madhe”, përfundoi trajneri i iberikëve.

Spanja ka një rekord prej 37 ndeshjeve radhazi pa humbje. Disfata e tyre e fundit ishte kundër Kolumbisë në marsin e vitit 2024. Spanja dhe Argjentina do të përballen në finale të dielën në orën 21:00 me kohën në Shqipëri për trofeun e Kupës së Botës 2026.