NEW YORK, SHBA - Kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, e cilësoi të premten Kupën e Botës 2026 si një sukses, duke lavdëruar përsëri presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për rolin e tij në këtë ngjarje dhe duke thënë se turneu arriti misionin e tij për të bashkuar njerëzit nga të gjitha anët e botës.
Infantino iu referua shumë shifrave, stadiumeve të mbushura plot dhe shikueshmërisë së lartë televizive, si dëshmi se Kupa e Botës më e madhe në histori përmbushi pritshmëritë, ndërsa Trump tundi kokën në shenjë miratimi.
“Ëndrra amerikane, zoti President, u bë realitet,” tha Infantino teksa qëndronte pranë Trumpit në New York të premten. “Ne bashkuam botën.”
Trump organizoi një pritje në 'Kullën Trump' në Manhattan për Infantinon dhe yje ndërkombëtarë të futbollit. Trump dhe Infantino folën pranë trofeut të artë që Trump planifikon t’ia dorëzojë fituesit të finales që do të zhvillohet të dielën mes Argjentinës dhe Spanjës.
Siç bën shpesh kur ndodhet pranë Trumpit, Infantino e lavdëroi me shumë entuziazëm.
“Nuk keni nevojë që njerëzit t’ju komplimentojnë, zoti president, por kjo Kupë e Botës nuk do të kishte qenë një sukses kaq i jashtëzakonshëm pa ju.”
Trump e quajti këtë Kupë Bote “një nga ngjarjet më të mëdha sportive të të gjitha kohërave”, duke shtuar se turneu ndikoi jo vetëm në botën e sportit.
“Pra, fat të mbarë Spanjës dhe Argjentinës të dielën dhe le të fitojë skuadra më e mirë,” tha Trump.
Presidenti Trump përsëriti vlerësimin e presidentit të FIFA-s për turneun. “Kjo ka qenë ngjarja sportive më e suksesshme, ndoshta në historinë e botës. Ka qenë e mrekullueshme. Ky ka qenë një turne si asnjë tjetër, i mbushur me konkurrencë të ashpër, momente të paharrueshme. Kjo e ka bashkuar vërtet botën.
Kupa e Botës 2026 ka thyer pothuajse çdo rekord të imagjinueshëm. Kjo është Kupa e Botës më e madhe në histori, shumë herë, në fakt, duke mirëpritur 16 ekipe shtesë”, tha ai.
Trump theksoi gjithashtu shifrat e pjesëmarrjes dhe shikueshmërisë. "Ky ka qenë turneu me më shumë ndjekje në histori. Dhe kjo është historia e të gjitha sporteve. Deri në kohën kur të dëgjohet fishkëllima e fundit të dielën, gati gjashtë miliardë shikues (televizivë) do ta kenë ndjekur këtë Kupë Bote. Ky është një rekord shumë, shumë herë më i lartë."
Trump e mbylli fjalën duke përgëzuar kombet konkurruese. “Dua të përgëzoj çdo ekip që arriti të kualifikohej në Kupën e Botës 2026, një nga ngjarjet më të mëdha sportive të të gjitha kohërave në histori”, tha ai, duke i uruar Argjentinës dhe Spanjës fat të mbarë përpara finales.
Më herët të premten, Infantino foli në Kombet e Bashkuara gjatë një sesioni njëditor mbi mënyrën se si futbolli mund të shërbejë si një nxitës për shëndetin mendor të të rinjve.
Ai solli në skenë një nga topat zyrtarë të ndeshjes që do të përdoren në finalen e Kupës së Botës të së dielës mes Argjentinës dhe Spanjës, duke e quajtur atë “një objekt magjik që ka fuqinë të bashkojë botën.”
“E dëgjojmë shpesh, apo jo, që jetojmë në një botë të ndarë, që jetojmë në një botë agresive, që ka kaq shumë gjëra që na ndajnë dhe që na krijojnë probleme,” tha Infantino.
“Por ne e dimë gjithashtu dhe nëse ka një gjë që kjo Kupë e Botës na ka treguar dhe po na tregon, është se ka shumë më tepër gjëra që na bashkojnë sesa gjëra që na ndajnë”, tregoi ai.
Kjo ishte Kupa e Botës më e madhe në histori, me 48 ekipe që u kualifikuan dhe me ndeshje të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
FIFA ka thënë se stadiumet kanë qenë pothuajse plot për secilën nga 102 ndeshjet e zhvilluara deri tani. Kanë mbetur edhe dy ndeshje, sfida Francë - Angli për vendin e tretë në 'Miami Gardens', Florida, të shtunën dhe finalja e së dielës në East Rutherford, New Jersey.
Numri total i tifozëve në stadiume pritet të arrijë rreth 6.7 milionë, një rekord i ri për Kupën e Botës, pavarësisht shqetësimeve të mëparshme se çmimet e larta të biletave dhe se çështjet e emigracionit mund t’i pengonin tifozët të vinin në Amerikën e Veriut.
“Ne kemi parë miliona njerëz që janë bashkuar gjatë javëve të fundit në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, por edhe në çdo cep të botës, duke u bashkuar në mënyrë paqësore, me gëzim, duke dashur të kalojnë kohë së bashku dhe të festojnë një moment komuniteti,” tha Infantino.
“Ky është mesazhi më i fuqishëm i të gjitha kohërave dhe ky është mesazhi mbi të cilin duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë, një të ardhme komuniteti dhe një të ardhme bashkimi.”
Donald Trump dhe Gianni Infantino me disa nga yjet e futbollit në 'Kullën Trump' në Manhattan
Turneu nuk ka pasur incidente të mëdha sigurie, gjë që disa e kishin frikë, por ka pasur tensione gjeopolitike dhe polemika.
Skuadra iraniane pati një përvojë të trazuar, duke u eliminuar ngushtë në fazën e grupeve, ndërsa u përball me atë që ajo i cilësoi si kufizime të rënda udhëtimi, pasi vendi i saj ishte në luftë me SHBA-në.
Infantino u kritikua në mbarë botën pasi hoqi pezullimin me karton të kuq të yllit amerikan Folarin Balogun pas kërkesës së Trumpit, i cili e përshkroi rolin e tij në atë çështje si “dhënien e një rekomandimi”.
“Gianni bëri edhe një tjetër nga vendimet e tij të mira,” tha Trump.
Ndërkohë, qeveria britanike i ka kërkuar FIFA-s të hetojë ekipin kombëtar të Argjentinës pasi lojtarët u fotografuan me një pankartë ku pretendohej sovraniteti mbi Ishujt Falkland pas fitores së tyre në gjysmëfinale kundër Anglisë.
Infantino i premtoi Kombeve të Bashkuara se ai dhe FIFA do të “japin mbështetjen e tyre të plotë” për çështjet që lidhen me shëndetin mendor të të rinjve, duke thënë se kjo temë duhet marrë seriozisht.
Por ai i përmendi këto ndeshje si shembuj se si sporti mund të jetë një urë lidhëse përtej barrierave gjuhësore, kulturore, politike dhe të tjera.
“Pas dy ditësh do të dimë nëse Spanja apo Argjentina do të jetë kampione e botës. Por ajo që dimë tashmë, miq të dashur, është se futbolli nuk është vetëm sporti më popullor në botë, por futbolli është bërë padyshim ajo gjuhë e përbashkët, universale, që të gjithë e flasin, sepse të gjithë duan të bashkohen", tha Infantino.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.

Në më shumë se një dalje publike ka thënë se kupton shumë pak nga futbolli, por Donald Trump nuk ka hezituar për të kritikuar mënyrën se si zgjodhi Anglia që të luante gjysmëfinalen e humbur 2-1 me Argjentinën pasi gjeti golin e avantazhit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është bashkuar kritikave ndaj taktikave të Anglisë duke vënë në dyshim rolin "mbrojtës" të Harry Kane në pjesën e dytë.
Tuchel ktheu ekipin në mbrojtje me pesë lojtarë dhe bëri një numër zëvendësimesh me mentalitet mbrojtës në fazat e fundit të lojës, ndërsa Lionel Messi frymëzoi një rikthim dramatik.
“Keni një lojtar të shkëlqyer në Angli me të cilin kam luajtur golf. Dhe ai është Harry (Kane) i cili ka qenë fantastik. Mendoj se ndoshta bënë një gabim kur e bënë atë një lojtar mbrojtës. Çfarë di unë për futbollin? Ata morën epërsinë dhe morën lojtarin e tyre më të mirë dhe e vunë në mbrojtje. Duhet të jemi pak ofensiv, apo jo? Por jo, nuk do ta përcaktoj, çfarë di unë për stërvitjen? Por kjo ishte pak e pazakontë", tha Trump.
Tuchel nxitoi t’i hidhte poshtë kritikat e Trump kur iu përmend kjo në një konferencë për shtyp më vonë.
Komente






