Me të qeshura dhe duartrokitje pa fund është mirëpritur nga publiku shkodran Festivali Mbarëkombëtar i Humorit në Teatrin "Migjeni". Për më shumë se dy orë shfaqje, humoristët e mirënjohur nga Shkodra, komedianët e ftuar nga Tirana, Kosova dhe qytete të tjera kanë dhuruar humor pa fund, teksa shfaqjes i janë bashkangjitur dhe këngëtarët, duke dhuruar një mbrëmje festive.
Mjeshtrja e Madhe, ikona e humorit, Zyliha Miloti, tha se Festivali i Humorit u rikthye pas 16 vitesh mungesë në shtëpinë e vet, pranë publikut të mrekullueshëm shkodran. Ajo theksoi se trupa e humorit e artistëve të rinj të Teatrit "Migjeni" është shpresë për vijimin e kësaj tradite në Shkodër.
Humoristi Edmond Halili u shpreh mirënjohës publikut shkodran, i cili e pret përherë me duartrokitje, teksa theksoi se aktivitete të tilla janë domethënëse për jetën artistiko-kulturore të qytetit.
Festivali do të vijojë deri më 15 dhjetor në Teatrin "Migjeni" të Shkodrës, teksa të ftuar janë emra të njohur të humorit nga i gjithë vendi.