Me kapuç në kokë, doreza plastike blu në duar dhe i veshur me tuta të errëta, 42 vjeçari Luan Maçi hyri të enjten në këtë pikë këmbimi valutor brenda një qendre tregtare në Tiranë dhe sipas policisë vodhi 300.000 lekë. 

Sapo futet në dyqan, ai nis të godasë me shkelma ndarjen prej xhami ku ndodhej shitësja. Pas pak nxjerr pistoletën dhe i kërkon paratë.

Punonjësja, e frikësuar, i jep kartëmonedhat duke i kaluar nëpërmjet hapësirës së vogël në banak. Grabitësi përpiqet t’i marrë të gjitha, por disa prej tyre i bien në dysheme. Shitësja i jep edhe monedhat, por ai nuk i merr. Duke lënë disa kartëmonedha të shpërndara në tokë, largohet nga dyqani. Gjithçka ndodhi në pak sekonda.  

Sipas njoftimit të policisë, nga grabitja në rrugën “5 Maji” në Tiranë u morën rreth 3 milionë lekë. Menjëherë pas sinjalizimit, policia e kapi 42 vjeçarin banues në Tiranë, i cili dyshohet të ketë kryer të njëjtën veprimtari kriminale edhe më herët.

Pas ndërhyrjes  së policisë u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë, një pjesë e parave të vjedhura dhe rrobat që dyshohet se u përdorën gjatë grabitjes. Rasti është dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë 

"Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Itinerari”. Vodhi rreth 3 milionë lekë, në një dyqan këmbimi valutor, në një qendër tregtare, duke kanosur punonjësen, me armë zjarri pistoletë, identifikohet, lokalizohet dhe arrestohet 42-vjeçari.  42-vjeçari, me precedent penal për të njëjtën veprimtari kriminale.  Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, një pjesë e shumës së parave të vjedhura dhe veshja e përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje, në rrugën “5 Maji”, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.  Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit:  -L. M., 42 vjeç, banues në Tiranë.  Ky shtetas dyshohet se duke kanosur punonjësen, me arme zjarri pistoletë, ka vjedhur rreth 3 milionë lekë, në një dyqan këmbimi valutor, brenda një qendre tregtare, në rrugën “5 Maji”.   Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme" 


Lajmi kryesor:

VIDEO/ Grabitet pika e këmbimit valutor në Tiranë, momenti kur 42-vjeçari kërcënon punonjësen me armë dhe ia mbath me 300 mijë lekë! Arrestohet pas 6 orësh