Kancelarja gjermane Angela Merkel është kritikuar masivisht së fundmi, sepse ‘ka bërë për të qarë’ një refugjate palestineze pasi i ka thënë se nuk mund të ndalonte dëbimin e familjes së saj nga Gjermania.

Vajza e quajtur Reem rrëfeu se kishte shkuar 4 vite më parë në Gjermani së bashku me familjen e saj pasi ishin zhvendosur nga një kamp refugjatësh në Liban, por mund t’i dëbonin prej andej nga moment në moment, sepse u ishte dhënë e drejtë e përkohshme për azil.

“Për sa kohë nuk e di sa gjatë do të mund të rri këtu, nuk e di si do të jetë e ardhmja ime,- tha Reem në një gjermanishte të rrjedhshme,- dua vërtet shumë të studioj në Gjermani, por është e padrejtë kur sheh njerëzit e tjerë teksa shijojnë jetën dhe ti nuk mund ta shijosh bashkë me ta.”