Nuk kanë të sosur incidentet e kandidatit republikan për president Donald Trump me gazetarët. Pas konfrontimit të gjatë përmes rrjeteve sociale me prezantuesen e njohur të Fox News, një tjetër gazetar është përballur me arrogancën e manjatit amerikan.
 
Jorge Ramos, spikeri kryesor i rrjetit më të rëndësishëm televiziv në gjuhën spanjolle u nxor jashtë konferencës për shtyp ndërsa e pyeste Trump mbi propozimin e tij për emigracionin që përfshin dhënien fund të nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve ilegalë që lindin në SHBA.
 
 Imazhet e truprojës së Trump që nxjerr gazetarin nga salla tashmë po bëjnë xhiron e botës, ndërsa lajmi është pasqyruar nga mediat më të mëdha ndërkombëtare. Ndërsa Ramos nisi të flasë, Trump e ndërpreu duke i thënë se nuk i kishte dhënë radhën për pyetje, përpara se ti bërtiste ulu dhe kthehu në Univision.
 
E ndërsa një prej truprojave po e shoqëronte jashtë, Ramos vazhdonte të thërriste “Ju nuk mund të depërtoni 11 milion njerëz” duke ju referuar propozimit të miliarderit për të deportuar të gjithë emigrantët ilegalë. Pak momente më vonë, Trump justifikoi urdhrin e tij duke thënë se gazetari bërtiste. Ramos u lejua të hynte më pas në sallën e konferencave ku të dy vijuan debatet.
 
Ndërkaq Trump ka vijuar polemikat me prezantuesen e Fox News Megyn Kelly, me të cilën replikoi ashpër gjatë debatit të parë mes kandidatëve republikanë. Miliarderi bëri dje një postim në rrjetin social Tëitter ku shkruante se Kelly, e cila rinisi të hënën emisionin e saj, duhet të ketë patur pushime të tmerrshme pasi dukej krej jashtë loje. Por ka reaguar shefi i Fox News Roger Ailes i cili kërkon një apologji prej kandidatit republikan duke i cilësuar sulmet e tij verbale si tepër shqetësuese dhe të papranueshme.