Një mbledhje jo e zakonshme. Kryetarit të Këshillit bashkiak të Kukësit, Albert Muja, iu desh ta çelë fjalën me një ndjesë ndaj të gjithë kuksianëve për video-skandalin seksual në zyrë të kryebashkiakut të shkarkuar Safet Gjici.

“Ngjarja është shumë e rëndë. Kjo që ndodhi është një kujtesë publike se ne jemi zgjedhur prej komunitetit të Kukësit për ti shërbyer interesave të tyre. Me aktin e dorëheqjes sot politikës këtu në Kukës i ka ngelur pak për të thënë. Një ngjarje që Kukësi dhe kuksianët nuk e meritonin. Ka nisur një proces nga drejtësia dhe le të thotë ajo fjalën e saj” deklaroi Muja.

I vetmi që nuk pranoi ndjesën e kreu të këshillit, ishte Fasli Gërmizi, këshilltar i koalicionit “Bashkë Fitojmë” që u kërkoi kolegëve të japin të gjithë dorëheqjen, e bashkë me zgjedhjet për kryetarin e ri, të mbahen edhe ato për këshillin.

“Në vend të ketë kryetar ju keni pasha, për fat të keq jemi mbi vendin e krimit, ku sot duhet të ishte opozita, të bëhemi bashkë dhe ta quajmë vend krimi atë, dhe ky objekt, nëse ka pak burrni këtu do zhbëhej secili do dorëhiqej do kërkonte dorëheqjen, të fillonim nga fillimi bashkë me zgjedhjet për kryetar”, tha ai.

Detyrën e kreut të bashkisë e mori për ta ushtruar përkohësisht, nënkryetari Granit Gjana.

Në mbledhje, në heshtje pa mbajtur asnjë fjalë, dhe deputeti socialist Pandeli Majko, drejtues politik i fushatë elektorale të Safet Gjicit në zgjedhjet e 14 majit, fitore që u ndërpre në mes dhe pritet që së shpejti ta çojë Kukësin në një garë të re elektorale. Socialistët ende nuk kanë një emër se cili do të jetë kandidati për zgjedhjet e pjesshme, por burimet thonë se po shihet për një figurë intelektuale nga jeta e thjeshtë e qytetit pa aktivitet politik.