Policia e Tiranës ka vënë në pranga 2 persona pasi dyshohen se kanë vjedhur qytetarë në autobusët e Tiranës. Policia e Tiranës njofton se specialistët janë arrestuar në flagrancë nga komisariate të ndryshme E. B, 38 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. 38-vjeçari në Rrugën e Elbasanit i ka vjedhur portofolin shtetasit D. A., në autobusin e transportit urban.
Ndërkohë që është vënë në pranga edhe P. M., 31 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi në rrugën “Kastriotët”, në autobus, i ka vjedhur portofolin shtetasit I. M.
Gjithashtu nga uniformat blu të Tiranës janë arrestuar edhe 5 të tjerë për vepra të ndryshme penale.

"Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”,“Vetëgjyqësia”dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasin S. LL., 45 vjeç, administrator i një firme në rrugën “Ndre Mjeda”, pasi ka vendosur me vetëgjyqësi 8 kamionë të tonazhit të rëndë duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit dhe portat hyrëse në kompleksin e ndërtimit të firmës.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 29 vjeç, pasi në Rrugën e Dibrës, ka fyer dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj kunatit të tij, për motive të dobëta.
Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: L. K., 38 vjeç dhe T. K., 25 vjeç, pasi janë kapur në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; S. B., 18 vjeç, pasi në Rrugën e Elbasanit, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse", thuhet në njoftimin e policisë së kryeqytetit.
K.T./Shqiptarja.comKomente

