Një 39-vjeçar i identifikuar si Glodian Dervishi është arrestuar nga policia e Tiranës pasi kryente vjedhje në banesa në zona të ndryshme të Tiranës. Bizhuteritë dhe sendet që vidhte i shiste tek ‘Dollari’ dhe në një argjendari në Kamëz.

Dervishi, banues në Laknas, u kap në flagrancë në vendin e quajtur ‘Dollari’ duke shitur bizhuteri që i kishte vjedhur në banesën e S.R. Është vënë nën hetim edhe 58-vjeçarja e identifikuar me inicialet N.Z., pronarja e një argjendarie në Kamëz pasi shiste sendet e vjedhura.

Ajo akuzohet për veprën penale "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale". 

Gjatë kontrollit, Glodian Dervishit iu gjetën 11 ora të dyshuara të vjedhura, ndërsa shtetases N. Z. iu gjetën 5 unaza dhe 2 varëse floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me orat.  39-vjeçari akuzohet për veprën penale "Vjedhja", i dënuar edhe më parë po për këtë vepër penale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.