Një 36-vjeçar është arrestuar në Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Targat”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në makinën e tij, në lagjen nr.5 të qytetit, policia i gjeti targa të vjedhura, në pronësi të një shtetasi.

Ndërkaq, nga veprimet hetimore u zbulua se 36-vjeçari nga Kosova është autor i vjedhjes së targave edhe në dy automjete të tjera.

Atij iu gjetën kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një maskë, që i përdorte për të kryer vjedhjet.

Dyshohet se targat, 36-vjeçari ua shiste personave me precedent për të kryer krime kundër personit dhe pronës.

Njoftimi i policisë

Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Targat”

Vidhte në Durrës targa të automjeteve shqiptare dhe të Kosovës dhe dyshohet se ua shiste personave me precedent për të kryer krime kundër personit dhe pronës,  identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

36-vjeçari nga Kosova dyshohet si autor i vjedhjes në disa raste të targave të automjeteve.

Sekuestrohen dy palë targa, shqiptare dhe kosovare, kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një maskë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Targat”.

Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. Q., 36 vjeç, nga Kosova.

Ky shtetas u kap në flagrancë në lagjen nr. 13, Plazh-Durrës, me mjetin tip “Ford”, me targa të vjedhura në lagjen nr. 5, Durrës, në pronësi të shtetasit R. C.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Ford”, në bagazh janë gjetur edhe dy targa të një automjeti nga Kosova, si dhe në sediljen e shoferit janë gjetur kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një kapuç (i ngjashëm me maskat).

Mjete të cilat dyshohet se ky shtetas i përdorte për kryerjen e vjedhjeve.

Sendet e mësipërme u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas është autor i vjedhjes së targave edhe në dy automjete të tjera, të ndodhura muajt e fundit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale të “Vjedhjes” dhe “Sigurimit të mjeteve për vjedhje”.