Vihet në funksion bursa e përbashkët energjetike Kosovë – Shqipëri

Vihet në funksion bursa e përbashkët energjetike Kosovë – Shqipëri

Shqipëria dhe Kosova do të kenë një bursë të përbashkët për energjinë elektrike, për konkurrencë më të drejtë dhe çmime të besueshme. Përfshirja në Alpex, bursa shqiptare e energjisë elektrike e themeluar në vitin 2020, u inaugurua të hënën në një ceremoni në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky është moment historik për sektorin e energjisë për të dy vendet, pasi sipas tij, kjo do të ketë rol në zhvillimin ekonomik si dhe në transparencën ne sektorin e energjisë. Sipas Kurtit, ky bashkëpunim energjetik është  me rëndësi ekonomike, politike dhe gjeopolitike.

Në fjalën e tij Kurti tha se thellimi i bashkëpunimeve ndërkufitare është një nga metodat më të mira për t’u përballur me sfidat dhe vështirësitë në këtë sektor.

“Inaugurimi i ALPEXIT shënon një moment historik për sektorin energjetik të Kosovës dhe përkushtimin tonë për bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë. Një bashkëpunim i cili luan rol në zhvillimin ekonomik dhe atë të transparencës në sektorin e energjisë si dhe në transformimin e sektorit tonë energjetik në harmoni me strategjinë tonë kombëtare të energjisë. Në vitet e fundit kriza energjetike e ka bërë një gjë të qartë: sektori i energjisë si në Evropë ashtu edhe në gjithë botën ka ndryshuar rrënjësisht. Thellimi i bashkëpunimeve ndërkufitare është një ndër mënyrat më të suksesshme për t’u përballur me vështirësitë, sfidat e realitetit të ri në këtë sektor”, tha Kurti.

Kurti gjithashtu tha se tregu i përbashkët krijon mundësi të reja biznesi dhe se bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri është hap strategjik për një ekosistem energjetik më efikas. Kryeministri i Kosoës theksoi se nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të krijohet një mjedis më i favorshëm për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Tregu i përbashkët siguron mundësi të reja biznesi edhe më shumë tregti ndërkufitare. Bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri nuk është vetëm një hap strategjik drejt nxitjes së një ekosistemi energjetik më të lidhur e më efikas. Ai është gjithashtu një katalizator për përfshirjen e sektorit privat. Nëpërmjet bashkëpunimit me Shqipërinë dhe fqinjët tanë ne synojmë të hapim ekonominë duke ndihmuar bizneset të bëhen më efektive dhe kosto efektive, të optimizojnë integrimin teknologjik, të jemi gjithandej më efikas dhe të krijojmë një mjedis për tërheqjen e investimeve si të huaja ashtu edhe ato brenda vendit”, tha Kurti.

Kurti tha se falë bashkëpunimit dypalësh, dy vendet kanë mundur të përballojnë krizat energjetike vitet e fundit.

“Shqipëria u furnizua me energji të bollshme nga Kosova verën e kaluar dhe qytetarët e bizneset e Kosovës kaluan një dimër më të ngrohtë falë energjisë së marrë nga Shqipëria. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një mjedis energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Bashkë për bashkëpunim rajonal, zhvillim ekonomik, sinergji e transparencë dhe mjedis të fuqishëm të investimeve të sektorit privat”.

Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili e cilësoi historike këtë ditë për dy vendet.

“Sot ishte një ditë historike për sektorin e energjisë: u bë funksionalizimi i Bursës Shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Me këtë lidhje, vendet tona gëzojnë një platformë tregtuese që siguron efikasitet, konkurrencë të ndershme dhe transparencë, duke bërë që cilësia e funksionimit të sistemit elektroenergjetik të Shqipërisë dhe Kosovës të jetë shumë më e fortë”, tha ai. 

 ALPEX-i është pjesë e reformës së ndërmarrë nga Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, për rindërtimin e sektorit të energjisë elektrike, në përputhje me ligjin dhe politikat qeveritare për zhvillimin e këtij sektori. Në kuadër të këtij bashkëpunimi të dy vendet njohin ALPEX-in si të vetmen bursë energjetike për të organizuar, operuar dhe mbajtur bashkimin e tregut me shumicë (Market Coupling) një ditë para dhe brenda ditës ndërmjet tregjeve të energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë