Udhëheqësi i Kinës Xi Jinping, ka shprehur besim gjatë një takimi në Pekin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se partneriteti gjithëpërfshirës strategjik midis dy vendeve do t'i çojë ato "në nivele të reja".

Xi ia ndau Vuçiçit “Medaljen e Miqësisë”, çmimin më të lartë shtetëror të Kinës për shtetasit e huaj.

Vuçiq ndodhet në një vizitë pesëditore në Kinë, ku, sipas tij, do të diskutojë për bashkëpunimin ushtarako-teknik dhe ekonomik me Xinë.

Serbia, megjithëse kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vitet e fundit është kthyer gjithnjë e më shumë kah Kina.

Përveç bashkëpunimit politik dhe ekonomik, ajo po e rrit edhe bashkëpunimin ushtarako-teknik, duke u bërë vendi i parë evropian që blen armë kineze.

Zyrtarët nga të dy vendet i quajnë marrëdhëniet e tyre "miqësi të hekurt".

Gjatë takimit, Vuçiç dhe Xi lëshuan një deklaratë të përbashkët mbi promovimin dhe ndërtimin e një komuniteti Serbi-Kinë me një të ardhme të përbashkët në epokën e re dhe një deklaratë të përbashkët mbi avancimin e përbashkët të zbatimit të katër nismave globale.

Serbia dhe Kina kanë nënshkruar disa marrëveshje dhe memorandume për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

Vuçiç e falënderoi Xinë për, siç tha ai, ndihmën e Kinës për Serbinë në kohë të vështira.

"Faleminderit, president Xi, për gjithçka që kemi arritur së bashku, për pjesëmarrjen me ne në ndërtimin e Serbisë, për ndërtimin e ekspozitës së bashku dhe faleminderit që e ndihmuat Serbinë në kohë të vështira", tha ai.

Para takimit të tij me Xinë, lideri serb u tha gazetarëve se midis temave në formatin më të ngushtë të takimit me presidentin kinez do të jetë bashkëpunimi ushtarako-teknik dhe ekonomik.

"Nuk mund të flas për disa çështje të ndërlikuara që nuk janë gjithmonë plotësisht publike, siç është bashkëpunimi ushtarako-teknik. Ne gjithashtu kemi disa kërkesa, disa dëshira. Kjo është për një format më të ngushtë", tha Vuçiç.

Ai deklaroi se formati më i gjerë i bisedimeve do të përfshijë politikën dhe mbështetjen në organizatat ndërkombëtare.

Pas bisedimeve me kryeministrin kinez Li Jiang, Vuçiç deklaroi se ata diskutuan investime të reja, projekte infrastrukturore, si dhe çështje të rëndësishme gjeopolitike dhe rajonale.

Ai deklaroi se i kishte kërkuar kryeministrit kinez të ndihmonte në gjetjen e një partneri strategjik për kompaninë e tekstilit “Jumko” dhe fabrikën e mobiljeve “Simpo” në Serbinë jugore.

Tema e diskutimit ishte zbatimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë midis Serbisë dhe Kinës, dhe Vuçiq tha se Serbia eksportoi 20 për qind më shumë në Kinë në vitin 2025.

Presidenti i Serbisë komentoi gjithashtu marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Kinës, duke thënë se proteksionizmi po bëhet vlerë kyç e Perëndimit sepse nuk mund të konkurrojë në tregun e lirë me Kinën.

Vuçiç u takua gjithashtu me kryetarin e Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, Wang Huning, të cilin ai e quajti “Kissingeri kinez”.

“Ky është një njeri që gjithmonë ka marrë pjesë në krijimin e politikës së jashtme kineze, duke formësuar ideologjinë kineze. Unë i kam shkruar me kujdes të gjitha ato që më tha”, tha Vuçiç.

Raportohet se gjatë vizitës të dy presidentët do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët dhe se do të nënshkruhen rreth 30 marrëveshje.

Para se të nisej për në Kinë, Vuçiç njoftoi se ishte arritur një marrëveshje për një miliard euro investime.

Marrëdhëniet e Serbisë me Kinën janë forcuar qëkurse Partia Progresive Serbe (SNS) erdhi në pushtet 14 vjet më parë./ REL