TIRANE- Dy turistë nga Malajzia të quajtur Mu Sau Pen dhe Ling Chian Kee janë dënuar me 20 vite burg nga gjykata e Tiranës, pasi rezultojnë të jënë autorët e vjedhjes së shumës prej 15 mijë eurove. Kjo sasi financiare është arritur të vidhet brenda 5 ditëve të qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Me shumën e parave të vjedhura nëpërmjet kartave të klonuara, dy shtetasit Malazjanë kanë qëndruar në hotel “Sheraton”, kanë kryer blerje të shtrenjta që varionin nga 1600 euro deri në 5 mijë euro si dhe kanë paguar prej 11 mijë euro, dy biletat e avionit, për udhëtimin nga Tirana-Vjenë e Vjenë –Londër dhe Londër -Kuala Lumpur (kryeqyteti i Malajzisë).

Vetëm pasi janë larguar në datën 27 nëntor 2012, banka ka arritur të nuhasë vjedhjen duke e kallëzuar atë në policinë e Tiranës. Hetimet janë kryer për disa muaj deri sa është arritur të verifikohet identiteti i dy shtetasve malajzianë.

Ata janë identifikuar nga kamerat e bizneseve ku kanë kryer blerje elektronike, ndërkohë është verifikuar se kishin hyrë në datën 22 nëntor 2012 nga pika doganore e Kapshticës. Gjykimi ndaj tyre është bërë në mungesë pasi nuk është arritur arrestimi i tyre nga strukturat policore.

28 ndërhyrje
Një bankë e nivelit të dytë ka referuar nje material kallzues pranë sektorit kundër krimit kompjuterik, në të cilin pretendohet se kjo bankë ka monitoruar disa transaksione me kartat e kreditit në aparatin “POS” dhe ka konstatuar se me date 23.11.2012 janë kryer 28 ndërhyrje me 11 karta të huaja me shirit manjetik, pa kod sigurie, dhe pa pin, të cilat dyshohet se janë të fallsifikuara dhe personat dyshohet se nëpërmjet këtyre kartave kanë mundur që me anë të “mashtrimit kompjuterik” të vjedhin sasira të konsiderueshme të hollash nëpërmjet transaksioneve bankare.

Nga verefikimet e kryera rezulton se këto karta krediti sipas sistemit janë karta të lëshuara nga Banka Amerikane “Capital One, Chase,U,S Bank”. Këto transaksione rezulton të jenë kryer nga katër tregtarë të ndryshëm, të cilët kanë lidhur kontratë me bankën për përdorimin e aparatit elektronik “Pos”.

VJEDHJE TE SUKSESHSHME
Nga këto 13 prej këtyre transaksioneve bankare, kanë qënë të sukseshme në vlerën totale 1.718,047 Euro dhe 893 Euro. Nëpërmjet Agjensisë “Albania Expres Travel”, janë kryer pjesa më e madhe e transaksioneve në shumën prej 11 mijë euro për blerjen e dy biletave të klasit të parë me avion.

Nga faturat e vëna në dispozicion nga kjo agjensi emrat e këtyre kartëmbajtësve janë të pandehurit Ling Chian Kee dhe Mu Sau Pen.

Ndërsa në bazë të faturave të vëna në dispozicion bankës nga tregtari “Ora” nga ana e poseduesve të këtyre kartave është tentuar të bëhen dy transaksione, por kanë rezultuar të pasukseshëm për shumën e 5.000 mijë euro. Sipas bankës transaksionet e fundit me këto karta janë kryer në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas dhe tek argjendari ”Gjikondi ” ku janë kryer blerje me karta Master Card në shuma të ndryshme.

Banka duke gjykuar nga koha e veprimeve nga ora 10.47 minuta deri në orën 14.45 minuta ka arritur në përfundimin se këta persona nëpërmjet këtyre kartave elektronike kanë mundur që të vjedhin bankën në një shumë të konsideueshme duke përdorur në këtë mënyrë mashtrimin kompjuterik.

Shkrimi u publikua sot (08.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)