Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video ku evidentohen punimet në rrugën Prekal-Kir. Ky do të jetë segmenti i parë i rrugës së Dukagjinit, financuar nga qeveria shqiptare.

“Mirëmëngjes dhe me punimet që po kryhen në rrugën Prekal-Kir, financuar nga qeveria shqiptare për Bashkinë e Shkodrës, si segmenti i parë i rrugës së Dukagjinit, për të sjellë një impuls të ri zhvillimi turistik e agroturistik për një zonë mahnitëse, ju uroj një ditë të mbarë.”- shkruan Rama.

Projekti i hartuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që financohet nga qeveria me fondin prej 200 805 067 lekë, ka si objekt mbrojtjen nga rrëshqitjet dhe ndërtimin e veprave të artit përgjatë këtij segmenti me gjatësi 17 km. 

Projekti konsiston në sistemimin, profilimin e rrugës si dhe vendosjen e tombinove dhe mureve mbajtës nga Fshati Prekal deri në hyrje të Fshatit Lotaj, si dhe në restaurimin e veprave ekzistuese të artit  dhe shtimin e tyre aty ku janë të domosdoshme.

Rruga do të ketë një gjerësi të përgjithshme prej 5.00 m, duke ruajtur aksin e rrugës ekzistuese. Punimet pritet të përfundojnë deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Ky aks rrugor, në të cilin nuk është investuar prej vitesh, ka një dimension  strategjik për zhvillimin e turizmit në rajonin e Shkodrës dhe të Tropojës.