168 vatra zjarri gjatë korrikut/ Çako: Shumica të qëllimshme! Bashkitë të tentojnë t'i fikin vetë flakët, jo të kërkojnë direkt ndihmën e FA-së ose do penalizohen

TIRANË- 168 vatra zjarri janë regjistruar gjithsej përgjatë muajit korrik, dhe shumica prej tyre janë të qëllimshme! Një informacion të tillë e ka bërë të ditur vetë kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako në një dalje për mediat ditën e sotme.

Ai ka bërë me dije se si pasojë e flakëve janë djegur 598 hektarë sipërfaqe. Ai ka pasur një mesazh të fortë edhe për Bashkitë, sipas së cilit disa prej tyre, por pa dhënë një emër konkret kërkojnë direkt ndërhyrjen e Forcave të Armatosura pa i ezauruar kapacitetet e tyre. Kjo, ka vijuar Çako, është në shkelje të ligjit duke i paralajmëruar këto bashki se do të përballen me penalitete. Nga ana tjetër, nisur nga fakti se shumica e zjarreve janë të qëllimshme, deri më tani asnjë autor nuk është vënë në pranga. Për pasojë, Çako ka bërë thirrje për bashkëpunim mes policisë dhe Pushtetit Vendor.

Ai theksoi se “sipas raportimeve të bëra bashkitë më të prekura janë: Shkodra, Fieri, Vlora, Durrësi, Gjirokastra, Lezha, Dibra, Korça, Berati, Kukësi, Tirana, dhe Elbasani.

Ditën e sotme janë raportuar zjarre në Gramsh, në Nikël të Krujës dhe në malet e Kakarriqit dhe të Rrenxit në afërsi të Shëngjinit. Gazetarët e Report Tv në rrethe kanë raportuar se në Gramsh dhe në Nikël flakët janë shuar, ndërsa në Shëngjin vatrat vijojnë të jenë aktive. Ndërkohë e njëjta situatë është paraqitur edhe në zonën e Katundit të Vjteër në Rubik të Mirditës, vatër e cila vijon të jetë aktive që prej ditës së djeshme! Gjithashtu edhe në Seman, ka ndërhyrë Ushtria për shuarjen e zjarrit. Në terren zbritën rreth 40 forca në luftë me flakët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:21
Zjarret në vend/ Çako: 168 vatra në total, shumica të qëllimshme! Ndëshkime për Bashkitë që kërkojnë direkt ndihmën e FA

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako ka njoftuat se përgjatë muajit korrik janë evidentuar në të gjithë vendin tonë 168 vatra zjarri, kur shumica prej tyre janë të qëllimshme. Në në deklaratë për mediat, Çako ka bërë me dije se janë djegur 598 hektarë sipërfaqe si pasojë e flakëve, teksa u ka dhënë një mesazh të fortë të gjitha bashkive që nuk janë treguar bashkëpunuese në këtë situatë.

Ai është shprehur se disa prej tyre, por pa përmendur emra konkret, kërkojnë ndërhyrjen nga EC pa i ezauruar të gjitha kapacitetet e tyre, që për të cilin theksoi se është në shkelje të ligjit, duke i paralajmëruar se do të mbajnë përgjegjësi.

Deklarata e plotë
Ardhjen e stinës së verës u shoqërua me rritje të mëdha të temperaturave duke shtuar së tepërmi mundësinë e rënies së zjarreve në pyje, sipërfaqe me shkurre, kullota etj.

Shkaqet e rënies së zjarreve natyrisht janë temperaturat e larta por nuk ka munguar neglizhenca, pakujdesia e banorëve të zonës dhe në shumë raste ka qene zjarrvënie e qëllimshme, për të cilët policia e shtetit po heton dhe gjej rastin ta inkurajoj për intensifikimin e punës për gjetjen dhe kapjen e autorëve të vënies së zjarreve.

Nga muaji Janar deri në Korrik janë evidentuar 329 vatra zjarri, ku vetëm për muajin korrik janë evidentuar 168 vatra zjarri.

Sipas raportimeve të bëra nga Bashkitë dhe Prefekturat në AKMC (bashkitë më të prekura janë:
Shkodra, Fieri, Vlora, Durrësi, Gjirokastra, Lezha, Dibra, Korça, Berati, Kukësi, Tirana, dhe Elbasani. Në total ne gjithë Shqipërinë janë djegur 598 hektarë duke përfshirë dhe 2419 rrënjë ullishte dhe 217 rrënjë pemëtarie.

Gjatë gjithë kësaj periudhe AKMC ka qenë dhe do të vijojë të jetë në gatishmëri të plotë për të dhënë asistencën e saj si autoriteti qendror koordinues, kontrollues dhe mbikëqyrës në fushën e mbrojtjes civile dhe të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë.

AKMC gjatë gjithë kësaj periudhe përveç koordinimit dhe menaxhimit të situatës së krijuar në mënyrë të pandërprerë ka kryer dhe rolin e kontrolluesit dhe monitoruesit të të gjitha strukturave të angazhuara në përballimin e kësaj situate.

Ndërkohë që disa bashki janë angazhuar maksimalisht në përballimin e zjarreve si me mjete ashtu dhe me njerëz disa prej tyre ende sot nuk po përdorin tërësinë e aseteve të deklaruara për çështje të mbrojtjes civile.

Duhet të jetë e qartë nga të gjithë se mbrojtja civile nuk është thjesht një kompetencë e shtuar për to, por një detyrim dhe një përgjegjësi primare e tyre, për të cilat duhet të jenë të përgatitura me njerëz, mjete, strategji vendore, plane veprimi dhe buxhetim përkatës.

Në çdo rast fatkeqësie, janë vetë bashkitë ato të cilat mbajnë rolin dhe peshën kryesore për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, gjësë së gjallë, pronës, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit, ndërkohë që angazhimi i strukturave qendrore operacionale siç janë FA apo Policia e shtetit sipas ligjit vjen vetëm pas ezaurimit të resurseve në nivel vendor.

AKMC dhe Ministria e Mbrojtjes janë në kontakt të vazhdueshëm me pushtetin vendor, dhe janë duke ndjekur në kohë reale situatën në çdo vatër zjarri. Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për t’ju përgjigjur çdo përkeqësimi situate siç kundër e kanë bërë deri tani përmes ndërhyrjeve nga ajri. Sipas ligjit të ri “Për Mbrojtjen Civile”, Forcat e Armatosura angazhohen në raste emergjencash duke asistuar të gjithë ato bashki të cilat kanë përmbushur detyrimet tyre ligjore për angazhimin e kapaciteteve dhe respektimin e ligjit për parandalimin dhe përballimin e zjarrvënieve. AKMC ka konstatuar se disa bashki rendin të kërkojnë ndërhyrjen e FA pa ezauruar më parë kapacitetet e tyre, veprim i cili sjell një faturë financiare disa herë më të lartë se sa ajo që ligji parashikon për pushtetin vendor në rastin e emergjencave civile.

Në bazë të ligjit të ri, AKMC si strukturë koordinuese ju rikujton bashkive që nuk zbatojnë ligjin se do të përballen me penalitete për çdo rast, kur nuk respektojnë dispozitat ligjore për përballimin e emergjencave civile.

Së fundmi do të dëshiroja t’u bëja thirrje të gjitha strukturave të qeverisjes vendore që të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Shtetit me qëllim intensifikimin e përpjekjeve për gjetjen e autorëve të zjarreve të qëllimshme dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.

Ora 19:07
Forcat e ushtrisë mbërrijnë në Seman të Fierit për të shuar vatrat e zjarrit

Forcat e ushtrisë mbërrijnë në Seman të Fierit, ku vatra të shaumta po përpijnë sipërfaqe të mëdha tokash. 40 forca janë në vendngjarje për tu ardhur në ndihmë zjarrfikësve që ndodhen aty.

Ora 18:52
Digjen 5 hektarë ullishte në Nikël të Krujës, asnjë ndihmë nga autoritetet për zjarrin në Rubik, zjarrfikësit: Është i qëllimshëm

Fshati Zezë i Niklës në Krujë është përfshirë nga zjarri duke djegur një sipërfaqja e djegur mbi 5 hektarë ullishte. Për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar zjarrfikësja e Krujës dhe ajo e Kamzës, pasi zjarri ka një shtrirje të madhe dhe është mes dy vendeve. Sipas zjarrfikësve, zjarri është i qëllimshëm. Në këtë zonë janë me dhjetëra zjarrvënie të qëllimshme ketë muaj dhe asnjë prej personave përgjegjës nuk është ndaluar. Nga prokuroria e Krujës nuk ka asnjë procedim penal për këto ngjarje të njëpasnjëshme. Deri më tani asnjë masë nuk është marrë për shuarjen e flakëve në fshatin Molung mbi Katund të vjetër në Rubik. Zjarri vijon me intensitet dhe pse kanë kaluar mbi 2 ditë dhe asnjë nga strukturat e shtetit nuk ka shkuar për të shuar flakët. Gjithashtu flakët kanë përfshirë edhe një sipërfaqe të mbuluar dhe me shkurre e bimësi të ndryshme.

Ora 17:27
Zjarri vijon të përfshijë sipërfaqe me pisha në Seman, priten përforcime nga ushtria

Zjarri vazhdon të përfshijë sipërfaqe të tjera të mbjella me pisha dhe shkurre duke e bërë situatën më alarmante në Godull të Semanit. Në vendngjarje kanë ardhur përforcime, ku përveç zjarrfikësve nga Fieri, ndodhen tashmë edhe reparte nga Patosi dhe Albpetroli. Në këto kushte duhet ndërhyrje nga ajri pasi nga toka është e vështirë për shkak të terrenit të papërshtatshëm. Në orët në vazhdim pritet qe në ndihmë të zjarrfikëseve të vijnë forca te ushtrisë.

 

Ora 10:46
Zjarrvënie e qëllimshme në Gjirokastër, policia shoqëron 4 persona  

Në zonën malore të fshatit Zhulat në Bashkinë e Gjirokastrës janë katër vatra aktive zjarri. Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, për shkak të terrenit të vështirë është bërë e vështirë shuarja e flakëve.

Me dhjetëra hektarë janë shkrumbuar, ndërsa mësohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme.

Policia ka shoqëruar disa persona në komisariat.

Ora 09:16
Vijon zjarri në pyllin e Semanit, digjet një pjesë e kurorës së pishave

Vijon zjarri në pyllin e Semanit, i cili ka rënë që prej ditës së djeshme duke djegur pishat dhe shkurret e zonës.
Gjatë gjithë natës zjarrfikësit janë përpjekur që të shuajnë vatrat e zjarrit, por për shkak të terrenit të vështirë vënia nën kontroll e flakëve ka qenë shumë e vështirë.

Flakët janë favorizuar nga shkurret dhe era, duke bërë që të digjen edhe pjesë të kurorës së pishave në Pyllin e Semanit.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vito i Orneles se Varuzhanit: 04/08/2020 08:29

    Nje injorant i certifikuar si Haki Cako nuk mund te jape mesazhe publike se nuk i merr seriozisht askush. Merita e vetme e tij, qe i merr rrogen shtetit, eshte spiunimi qe i bente periodikisht Sajmir Tahirit.

    Përgjigju
  • Iris: 03/08/2020 23:50

    Z.Cako shume mire qe po ju kerkon bashkive t'i shuajne zjarret vete,por a I ke te pajisura zjarrfikset me mjetet e duhura? Ju nuk mund te penalizoni p.sh. bashkine e Pogradecit,zjarrfiksja e te cilit, I ka aq te amortizuara pajisjet,sa qe kane adoptuar nje autobot qumeshti a uji per fikjen e zjarreve.Perpara se t'i penalizosh ,siguroju mjetet e punes pastaj fol.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit