Ministria e Mjedisit njofton se vijon aksioni për lirimin e plazheve publike nga veriu në jug. Këtë të hënë në Darëzezë të Fierit, qytetarëve u është rikthyer një hapësirë e konsiderueshme plazhi, e zaptuar prej vitesh, në shkelje të ligjit.
“Jemi sot me prefektin dhe nënkryetaren e bashkisë, kryetaren e qarkut për të promovuar këto 3 aspekte. E para sigurimin e hapësirave publike për qytetarët e zakonshëm të cilët duan të frekuentojnë këtë plazh, sigurinë e jetës dhe këtu bashkia e Fierit ka bërë një punë të shkëlqyer duke krijuar vetë të gjithë sistemin e ruajtjes së plazhit dhe kabinave për këtë sezon.
Po ashtu kemi ardhur për të kontrolluar problematikat e një stacioni plazhi sa më efikas. Mund të themi që ky qark ka bërë tani një punë të shkëlqyer pasi 10 ditë më parë kur ne bëmë inspektimin , situata ishte pothuajse me 0 kontrata dhe sot jemi në përmbyllje të të gjitha kontratave përsa i përket stacioneve të plazhit. Kjo do të thotë më shumë cilësi shërbimi për qytetarët që frekuentojnë këtë plazh” tha ministri Klosi.
Ministri shtoi gjithashtu se hapja e by passit të Fierit, është një mundësi më shumë për të lehtësuar aksesueshmërinë e pushuesve, për të shfrytëzuar pasuritë natyrore të Semanit dhe Darëzezës. “Është për t'u vlerësuar puna e bashkisë Fier dhe e Divjakës, që kanë nënshkruar me shpejtësi vendosjen e kontratave dhe bashkë me to edhe vendosjen e kushteve të realizimit të një sezoni më të pastër, të sigurtë dhe natyrisht më mikpritës.
E gjithë sipërfaqja është e populluar me operatorë turistikë dhe kjo tregon jo vetëm që ata duan të bëjnë biznes, por që edhe shumë qytetarë vijnë dhe e shfrytëzojnë këtë pasuri të madhe të qarkut, është një plazh i ri që po popullohet gjithmonë e më shumë por që natyrisht edhe në kuadër të politikave që bën Ministria e Turizmit është një plazh që ofron potenciale të pamasa përsa i përket turizmit në hoteleri dhe në struktura akomoduese dhe është në planet e ministrisë që ofrimi i kësaj zone edhe në një masterplan të zhvillimit të strukturave hoteliere në zonën e Adriatikut duke shfrytëzuar një pasuri të madhe që ka bregdeti shqiptar që është plazhi i rërës kaq cilësor dhe i pastër”, tha ministri Klosi.