Mbrojtja e natyrës ishte një nga temat e diskutimit në podcastin "Flasim" të kryeministrit Edi Rama. Gjatë bisedës me Taulantin nga Pogradeci, Entelën dhe Kisin nga Komani, Rama prezantoi idenë e një partneriteti mes Ministrisë së Mjedisit dhe komuniteteve që zhvillojnë aktivitet turistik, për të mbrojtur territorin dhe pasuritë natyrore.

Sipas tij, qeveria do të nisë disa prova me komunitetet lokale, të cilat do të organizohen në shoqata dhe do të marrin përsipër angazhime konkrete, si sinjalizimi i problemeve në pyje, pastrimi i mbetjeve, parandalimi i ndërtimeve pa leje dhe prerjeve të paligjshme.

Rama tha se synimi është edhe krijimi i një fondi për të mbështetur këto iniciativa vullnetare.

"Ne do bëjmë disa prova që të ndërtojmë ca marrëveshje me komunitete të njerëzve që merren me turizëm në këto territore dhe të bëjmë partneritet mes ministrisë së mjedisit dhe një komuniteti që krijon një shoqatë, një këshill të përbashkët dhe që merr përsipër të bëjë disa gjëra më shumë. Secili ka punën e vet por së bashku në një territor të caktuar, dhe kujdesen për të duke lajmëruar në kohë kur ka një problem të pastrimit të pyllit që e bën më vulnerabël ndaj zjarrit, kur ka nevojë për pastrim të një sasie të caktuar mbetjesh, kur ka nevojë për të ndaluar zhvillime pa leje e prerje të paligjshme. Se në fund të ditës duhet kuptuar që në këto territore të veçanta është që produkti është pjesa më e vogël e ofertës së madhe turistike. Produkti është e madhja, dhe nëse produkti cënohet sado e bukur të jetë bujtina, prurjet ekonomike fillojnë cënohen sepse njerëzit largohen nga aty ku nuk ruhet ajo gjëja për të cilën vijnë. Ne kemi filluar të ftojmë komunitetit që kushdo të krijojë një shoqatë për mbrojtjen e territorit që merr përsipër, të lidhet me Ministrinë e Mjedisit. Do mundohemi të krijojmë një fond për ta mbështetur këtë iniciativë pa qëllim fitimi. Ky është vullnetarizëm sepse së bashku mbrojmë produktin e madh. Lumi i Shalës është një brand dhe duhet mbrojtur. Nëse ai prishet të gjithë që punojnë prej tij lëndohen. Ai brand duhet mbrojtur me të gjithë komponentntet, duke nisur nga paprekshmëria e natyrës, higjiena, mënyra se si ndërtohet, deri te pastrimi i pyjeve për mbrojtjen nga zjarret. Është fatkeqësi e madhe që pasuri të tilla të dëmtohen nga zjarret për shkak se nuk jemi mjaftueshëm të organizuar. Një zjarr që bie nuk mund ta ndalosh gjithmonë, por mund t’i minimizosh pasojat. Është tjetër gjë kur zjarri bie në një pyll krejtësisht të papastruar dhe tjetër kur bie në një pyll të pastruar” u shpreh Rama.