Konkretisht në 2 fshatra të Krujës, Cudhi Kamp dhe Kroi i Madh janë gjetur dhe asgjësuar 700 bimë narkotike ‘kanabis’ ndërsa operacioni vijon në fazën e 14-të. Për bimët narkotike të asgjësuara nuk është arrestuar asnjë person.
Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies.
Ditën e djeshme u asgjësuan po nëpërmjet djegies, 108 bimë kanabis të kultivuara në fshatin Shqezë të Krujës. Ndërsa ende nuk dihen personat që i kanë kultivuar. Prej ditësh në zonat malore dhe të pyllëzuara të Krujës, po zhvillohen operacione antikanabis me qëllim asgjësimin e bimëve narkotike të mbjella nga persona të ndryshëm. Deri më tani janë asgjësuar me mijëra bimë kanabis të kultivuara.
Ndërsa në Lezhë, në dy fshatra u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies 436 bimë narkotike. Tashmë operacioni antikanabis në Lezhë ka hyrë në fazën e 13-të, ku janë asgjësuar 16 573 bimë narkotike.
Në Lezhë operacioni i policisë ka vijuar në fazën e 13-të për asgjësimin e lëndëve narkotike. Nëpërmjet aksionit të zhvilluar, janë gjetur dhe asgjësuar 436 bimë narkotike ‘kanabis’ të kultivuara në fshatrat Fregen dhe Gjobardhaj në njësinë administrative të Ugrej.
Konkretisht:
-në fshatin Fregen, u gjetën të kultivuara 300 bimë narkotike cannabis sativa;
-në fshatin Gjobardhaj, u gjetën të kultivuara 136 bimë narkotike cannabis sativa.
Ndërkohë që vijojnë kërkimet për gjetjen e autorëve, deri më tani raportohet se numri i bimëve narkotike të kultivuara që janë asgjësuar arrin deri në 16 573 të tilla.