Vijon operacioni në Lazarat/ Policia asgjëson 4 ton e 597.2 kg marihuanë e rreth 3122 rrënjë kanabis sativa

Tiranë, 21 Qershor/ATSH/.- Policia e Shtetit vijion operacionin në të gjithë komunën Lazarat për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe më pas asgjësimin e tyre.
Nga strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditës së sotme nga veprimet në terren deri në këto momente është ushtruar kontroll në territoret e mbi 100 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar në zonë. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe asgjësuar rreth 4 ton e 597.2 kg marihuanë dhe rreth 3122 bimë narkotike kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin; janë gjetur 8 pako e dyshuar heroinë në një ambient në afërsi të qendrës Lazarat; janë sekuestruar 8 armë zjarri automatikë e pushkë, 1 antitank, 2 çifte; janë gjetur e sekuestruar dhe 3 mitrolozë të rëndë, 1 mitroloz i lehtë dhe 1 pushkë të djegura; 37 granata, 6 arka me fishekë dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh.
Sipas njoftimit të policisë në një magazinë tek pularia janë gjetur armë automatike, predha, një kundërtank, tritol, 3 makina pa targa që kanë armatim e municion brenda; dokumente identitetesh të ndryshme, një kartë të shtetësisë serbe, po kryhen verifikimet; janë gjetur ambiente laboratorë llampa tharje në banesën e shtetasit Sh.Malaj, në Lazara, ndërsa në një tjetër ambient është gjetur një snajper, uniforma policie, armatim e municione të tjera, si dhe janë bllokuar për kqyrje të mëtejshme 2 mjete të tjera me armë e kanabis brenda tyre.
Mësohet se po vijon kryerja e veprimeve procedurale nga grupet e ekspertëve në terren.
REZULTATE TË OPERACIONIT NË TOTAL
Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjesimin e rreth 110.292 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 35 ton e 450.24 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin.
Janë bllokuar dhe 8 pako e dyshuar heroinë.
Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 5 laboratorë nga të cilët 3 përpunimi të bimëve narkotike dhe 2 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë, ku vetëm dy ditët e fundit u sekuestruan; 48 armë zjarri automatikë e pushkë, 6 pistoleta, 3 mitrolozë, 2 antitank, 1 murtajë dhe 2 granatëhedhës, 1 snajper, 2 armë të vjetra, si dhe 3 armë gjahu; janë gjetur e sekuestruar dhe 3 mitrolozë të rëndë, 1 mitroloz i lehtë dhe 1 pushkë të djegura.  Policia ka sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme municioni si: 37.084 fishekë të llojeve të ndryshme, si dhe 15 arka me fishekë dhe 13 kaseta me fishekë, 7 kallëpë tritol, 2 pako kapsolla detonatore, 50 granata dhe një arkë me granata, 4 kuti predha granatëhedhësi dhe 3 predha të tjera granatëhedhësi, 4 krëhra fishekësh, si dhe janë gjetur e sekuestruar 10 automjete me armatim, municion e kanabis, si dhe 10 automjete bosh. Po ashtu në një magazinë tek pularia janë gjetur armë automatike, predha, një kundërtank,  tritol, 3 makina pa targa që kanë armatim e municion brenda; dokumenta identitetesh të  ndryshme, një kartë të shtetësisë serbe, ndërkohë që po kryhen  verifikimet. në një tjetër ambient ku është gjetur një snajper, uniforma policie, armatim e municione të shumta. Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll në territoret e mbi 335 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar në zonë. Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 18 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivim kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone./k.s/a.g/

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Strategjitë e kandidatëve për president pas debatit