Vijon protesta, Basha: Rama ik
s'duam 'koka turku', as të Tahirit

Vijon protesta, Basha: Rama ik<br />s'duam 'koka turku', as të Tahirit
TIRANE-Protesta e opozitës së udhëhequr nga Partia Demokratike ka hyrë në ditën e tretë, por ndryshe nga nata e parë në të dytën në çadër para Kryeministrisë ka pasur më pak simpatizantë.
 
Protestuesit e kanë kaluar natën duke luajtur letra, shah, ndërsa herë pas here fjalën e merrnin simpatizantët për të mbajtur lart atmosferën.
 
Brenda çadrës dëgjohej muzikë e lartë, ndërsa protestuesit hynin e dilnin duke konsumuar pije e duhan.
 
Sikurse natën e parë, organizatoret e protestës ishin kujdesur për të gjitha detajet. Brenda çadrës ishin ndezur gjatë gjithë natës ngrohëset me gaz.

E ndërsa ish-kryeministri Berisha është larguar pak para mesnate, kryetari i PD ka qenë në lëvizje. I veshur me xhupin e të rinjve të Korpusit ‘Azem Hajdari’, kreu i PD-së foli përpara qytetareve për të mbajtur gjalle frymën e protestës.

Opozita vijon prej tre ditësh protestën në përpjekje për të detyruar koalicionin qeverisës të dorëzojë pushtetin dhe ti hape rruge krijimit të një qeverie teknike.

PD vendosi dje bojkotin e komisioneve parlamentare dhe seancës së të enjtes, ndërsa sot pritet që të jetë një ditë intensive, pasi në Tiranë do të vijë në një vizitë tre ditore eurodeputeti Knut Fleckenstein.
 
Zhvillimet minutë pas minute nga dita e tretë e protestës së PD para Kryeministrisë

Ora 21:50
Basha ikën nga çadra, takon Berishën në zyrë
Kryetari i PD, Lulzm Basha është larguar nga çadra e protestuesve. 

​Mësohet se kryetari i PD po zhvillon një takim me ish-kryeministrin Sali Berisha në zyrën e këtij të fundit. 

Ora 19:40 Jozefina Topalli viziton për herë të parë protestuesit
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka vizituar për herë të parë çadrën e protestuesve të PD përpara Kryeministrisë. 

Topalli mungoi të shtunën në protestë duke e justifikuar mungesën e saj me pjesëmarrjen në asamblenë Parlamentare të NATO-s. 

jozefina topalli

Ora 17:39 Meta: Protesta paqësore për t'u respektuar, por jo ultimatume
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka komentuar për herë të parë protestën e opozitës e cila po zhvillohet pak metra larg zyrës së tij, në Bulevardin qendror të Kryeqyetit.
 
Meta u shpreh se çdo protestë paqësore është për t'u respektuar, por siç tha ai, nga kjo protestë nuk duhet të lëshohen ultimatume.
 
"Çdo protestë paqësore, demokratike, qytetare është për t'u respektuar dhe çdo protestë që kërkon garantimin e standardeve më të larta të zgjedhjeve brenda të gjitha mundësive praktike që ekzistojnë, është një kërkesë që meriton vlerësim dhe dialog, larg ultimatumeve", u shpreh Meta.
 
Komentet e tij, kryetari i Kuvendit i bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e Kosovës, Kadri Veseli.



Ora 17:20 Ambasadori italian Cutillo viziton çadrën e protestuesve të PD
Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo ka vizituar tendën e protestuesve të Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë.

Cutillo bëhet i pari ambasador i huaj në vendin tonë që viziton protestuesit demokratë. 

Ai ka takuar organizatorët e protestës dhe disa prej protestuesve të opozitës.

Vetë PD ka theksuar se ambasadori Cutillo është shprehur në mbështetje të kauzës së tyre për të protestuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme.  

cutillo
(Ambasadori Cutillo viziton çadrën e PD në Bulevard)

Ora 17:00 Deputeti i PS, Ervin Bushati: Ultimatumet e PD, si ato të Koresë së Veriut
Deputeti socialist, Ervin Bushat, komentoi në studion e Report Tv protestën e opozitës përpara Kryeministrisë.

Bushati tha se ultimatumet e PD për qeveri teknike janë si ato të Koresë së Veriut.
  
"Ultimatumet janë si ato të Koresë së Veriut. Në demokraci fjala ultimatum nuk duhet të funksionojë. Ka gjithmonë kohë për dialog, janë gjithmonë të hapura, pasi ne sot jemi shoqëri e pjekur. Sot Tirana është si një qendër kulturore, sociale, e influencës së demokracisë jo vetëm për Shqipërinë, por për Kosovën, Maqedoninë, Malin e zi, që e shohin Tiranën si qendërn e kulturës dhe demokracisë. 

Çdo hap i matur dhe zhvillim demokratik në Shqipëri vlerësohet suhmë në politikën shqiptare. Kryfjala e çdo zhvillimi politik në Shqipëri duhet të jetë Reforma në Drejtësi. Ne s'kemi pasur asnjëherë drejtësi, por drejtësia është një investim i përbashkët i shqiptarëve dhe SHBA e BE. Të tre këto, vullneti i qytetarëv, BE dhe SHBA kanë të njëjtën bindje që axhenda për reformën në drejtësi duhet të vazhdojë përpara. Këto strehëza, çadra të oprganizatorëve të cilët i tremben, apo duan ta vonojnë reformën, nuk mund të jetë strehë për të ndaluar reformën kundër vullnetit të shqiptarëve"
, u shpreh Bushati. 

Ora 16:50 PD-Veliajt: S'e heqim çadrën nga Bulevardi
Organizatorët e protestës së Partisë Demokratike në çadrën përpara Kryeministrisë, i janë përgjigjur kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, se nuk do ta largojnë çadrën nga Bulevardi. 

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e PD-së për ta zhvendosur tendën e protestës te lulishtja e Piramidës, me qëllim çlirimin e trafikut në Bulevardin qendror të Kryeqytetit. 

Por deputetja e PD, Albana Vokshi, tha për Report Tv se çadra nuk do të largohet pasi vendi i protestës është zgjedhur nga qytetarët. 
  
"Kjo çadër që tashmë ka një emër "Çadra e Lirisë", ka tmerruar Velinë dhe shefin e tij. Ky është një vend i zgjedhur nga qytetarët dhe jo nga PD. Ne do të rrijmë këtu dhe s'kemi për t'u larguar., Veliaj të largohet nga posti i kryebashkiakut pasi ende s'ka kërkuar falje për dy viktimat e Sharrës. S'ka kërkuar falje që aty punonin fëmijë 10 vjeç, burra dhe gra që s'kanë marrë rrogat. Ai duhet të largohet njëherë e mirë. Duhet të largohet se ka krijuar një censurë të paimagjinueshme ndaj të gjtiha mediave. Të largohet dhe për shkatërrimin që po i bën kryeqytetit.
 
Ky është parlamenti i qytetarëve shqiptarë. Nuk ka më parlament të kriminalizuar, këshill bashkiak të kriminalizuar
", u shpreh Vokshi.

Ora 16: 20 Bumçi: Në zgjedhje hyjmë vetëm me qeveri teknike
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumcci, u shpreh nga çadra e protestuesve të PD se opozita nuk do hyjë në zgjedhje pa u pranuar kushti i qeverisë teknike.
 
Gjatë një prononcimi për Report Tv, Bumçi theksoi se zgjedhjet rrezikohen nga paratë e kanabisit.
 
"Në zgjedhje ne do të hyjmë vetëm me një qeveri teknike. Shqipëria është kthyer në Lazarat. Politika është kriminalizuar në piramidën më të lartë shtetërore me fuqi  vendimmarrëse ka ndodhur vetëm tani. PE në rezolutën e fundit i tha kryeministrit largo krimin nga politika dhe bëj zgjedhje të lira dhe të ndershme", u shpreh ai. 

Ora 14: 00 Dhëndri i Berishës kritika protestes
Kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, njëkohësisht dhëndër i ish-kryeministrit Sali Berisha, adresoi sot kritika mbi organizimin e protestës së opozitës.

Nga e ashtëquajtura çadra e protestës, Malltezi tha se nuk është i kënaqur me organizimin e protestës.


Ora 12:00 Ftesa e PD-së për LSI-në, Astrit Patozi: Jo vetëm ata, por edhe PS
Pas njoftimit se protesta e PD-së do të ishte pa afat, nga çadra ku po protestojnë demokratët nisën të forcohen zërat e parë që ftonin kreun e LSI-së të mbante një qëndrim në lidhje me kauzën e opozitës, madje edhe të bashkohej me të.

Por deputeti i PD-së, Astrit Patozi, e interpreton ndryshe këtë ftesë.

Ai thotë se thirrja e Berishës për LSI-në nuk është ftesë për koalicion politik, por për t’u rreshtuar në krah të atyre që kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme.

“Nese ju e interpretoni thirrjen e z.Berisha si një kërkesë për afrimin e LSI me Partinë Demokratike, unë mund të shkoj përtej kësaj.

Mund të them që në këtë lëvizje janë të ftuar jo vetëm LSI, për të cilën unë kam rezerva, por edhe PS.

Kjo nuk është ftesë për koalicion politik, por aleancë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe është e ftuar jo vetëm LSI, por edhe çdo socialist, përfaqësues politik apo jo që kërkon që Shqipëria të votojë normalisht.

Dhe në këtë kontekst, nuk ka keqkuptim në ftesën që i bëhet forcave të tjera politike se ne besojmë se shqiptarët që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme janë shumë më shumë se partitë e tjera të marra së bashku.

Ndaj në këtë kuptim, kjo ftesë është për këdo, edhe për LSI.

Por kjo nuk do të thotë që ne duam koalicion me LSI, unë do të isha njeriu i fundit që do ta përqafoja këtë lloj ideje, se konsideroj se LSI është po aq përgjegjëse sa PS për këtë katrahurë ku është zhytur vendi sot. 

Por gjithsesi çdo individ, çdo forcë politike ka të drejtë të marrë një vendim dhe të ndryshojë qëndrimet politike. Sepse ne jemi për evolucionin e ideve dhe evolucionin e platformave”, u shpreh Patozi në një prononcim për ABC News.

Ora 11:45 Mbaje ''kokën'' e Tahirit, por largohu nga qeveria
 
Basha deklaroi gjithashtu se Rama përmes mediave të kapura prej tij ka ofruar ''kokën'' e Saimir Tahirit, por opozita shtoi ai nuk është në protestë për ''koka turku''.

 ''Sot kanë ofruar përmes mediave të tyre kokën e Saimir Tahirit. Ai është pëshqesh i bandave dhe krimit të organizuar. Nuk jemi këtu të pranojmë koka turku. Mbaje Saimir Tahirirn, zgjidhja është largimi yt dhe qeverisë tënde. Dëgjo zërin e qytetarëve, zgjidhu nga karrigia ku të ka lidhur krimi, hapi rrugë qeverisë teknike dhe me  të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe në ta mban dil dhe ndeshemi dhe e shikojmë se kush fiton. Nuk të shpëton dot nga përballja me PD dhe opozitën, nga përballja me qytetarët, nuk të shpëton dot as krimi dhe mediat e kapura dhe të blera. Ora e përballjes po vjen, do përballemi në meidanin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, populli do vendosë me votë të lirë'',-u shpreh Basha.




Ora 11:35 Basha: Nuk ka kthim pas! Duam qeveri teknike, do i shkojmë deri në fund këtij vendimi

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha edhe në ditën e tretë të protestës së opozitës, ka deklaruar se nuk do të ketë kthim pas deri në realizimin e objektivave të tyre për një qeveri teknike.
 
''Është marrë një vendim. Ne do t'i shkojmë deri në fund këtij vendimi, deri kur të marrim fitoren teknike. Duam qeveri teknike, kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve''
,-u shpreh Basha.
 
Basha shtoi se shqiptarët janë ngritur për një demokraci të vërtetë, dhe jo për këtë demokraci fasadë që ne kemi sipas kreut të PD-së.
 
''Shqiptarët nuk do të pranojmë më dëmokraci fasadë, shëndetësi fasadë, çdo gjë fasadë. Shqiptarët janë ngritur për një demokraci të vërtetë. Kemi ardhur këtu jo për mua por për të gjithë ju'',
-vijoi më tej Basha. 


 Ora 09:40 Ngritja e Komisioneve të Vettingut, Paloka: Do e bojkotojmë
 

Në një tjetër lidhje direkte për Report Tv, deputeti i PD-së, Edi Paloka u shpreh se PD nuk do të jetë pjesë e Parlamentit, në votimin për anëtarët e Komisionit të Vettingut.

Ai deklaroi se axhenda e Partisë Demokratike është vetëm protesta, e cila do të përshkallëzohet në varësi të reagimeve të kryeministrit Rama.
 
''Axhenda e PD është kjo këtu, dhe nuk besoj që deputetët tanë mund të kenë axhende tjetër përveç protestës'',-u shpreh Paloka.
 
Paloka deklaroi gjithshtu se kjo protestë, sipas tij ka mbështetjen e ndërkombëtarëve. 



Ora:09:20 Noka: E ka në dorë LSI për të vendosur nëse do e shpëtojë fytyrën e saj nga kjo qeveri e krimit

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka nga çadra e protestës përpara kryeministrisë është shprehur për Report Tv, se nuk PD nuk ka kërkuar një qeveri me LSI-në, por kërkesa e tyre vazhdon të jetë qeveria teknike. Noka deklaroi se i mbetet LSI-së në dorë për të vendosur se nëse do largohet apo jo nga qeveria me Ramën.
 
''Ne nuk kemi kërkuar një qeveri LSI-PD. Kemi kërkuar qeveri teknike. E ka në dorë LSI për të vendosur nëse do e shpëtojë fytyrën e saj nga kjo qeveri e krimit'',-u shpreh Rama.
 
Noka u shpreh se bojkoti i opozitës, do të vazhdojë deri sa kërkesat e tyre të përmbushen.
 
''Opozita ka vendosur që deri sa të arrihet ajo çfarë ne kërkojmë të mos shkojmë në atë Parlament të krimit'',-vijoi Noka. 

Noka deklaroi gjithashtu se bojkoti i Partisë Demokatike, do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Ai u shpreh se opozita nuk do të jetë në Parlament, kur të kryehet votimi për anëtarët e rinj të Komisionit të Vettingut. 



Ora 07:30 Vijon protesta e PD në çadrën para Kryeministrisë

PD vendosi dje bojkotin e komisioneve parlamentare dhe seancës së të enjtes, ndërsa sot pritet që të jetë një ditë intensive, pasi në Tiranë do të vijë në një vizitë tre ditore eurodeputeti Knut Fleckenstein.
 
Qëllimi kryesor i vizitës ishte parashikuar për të diskutuar për Vettingun, por tashmë do të negociojë  për krizën politike pas protestës që ka nisur opozita.
 
Eurodeputeti është parashikuar që të zhvillojë takime me liderët e politikës shqiptare, ndërsa opozita kërkon garanci për zgjedhjet e 18 qershorit, që sipas saj është vetëm largimi i qeverisë Rama.

Knut Fleckenstein, që është raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian është shfaqur gjithmonë në Tiranë për të zgjidhur konfliktet politike mes palëve, teksa hera e fundit ishte kur u miratua ligji i dekriminalizimit që i dha fund bojkotit të PD.

Vizita vjen pak ditë pasi është miratuar në Parlamentin Europian rezoluta për Shqipërinë e hartuar nga eurodeputeti gjerman dhe kriza politike do të dëmtonte procesin e integrimit.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protestë në Beograd kundër presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij

Protestë në Beograd kundër presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij