THETH- Të ulur këmbëkryq para Kishës simbol të Thethit, Kuvendi i Burrave u mblodh si dikur për t’i kërkuar qeverisë të ndalë aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje. ‘Këto kulla i kemi mbrojtur me gjak’, thanë banorët njëzëri përballë priftit Pader Kastriot Demaj.

Të gjithë bashkë kërkojnë dialog me qeverinë, duke thënë se jemi për paqe dhe jo shkatërrim. Kuvendi simbol i Burrave u mblodh ndërsa paralelisht në terren IKMT po vijon aksionin në ditën e shtatë për prishjen e objekteve. Banorët kërkojnë të gjejnë rrugëzgjidhje dhe të mësojnë më shumë se si mund të bëhen pjesë e paketës së maleve për të ndërtuar bujtinat.

"Kam bërë thirrje qeverisë për të ndërprerë aksionin se nuk është e arsyeshme. U kam bërë thirrje se ata i kanë gabimet, i kanë parë me sytë e vet që janë bërë, nuk duhet të ishin lejuar të bëheshin. Ato shtëpitë tona nuk janë prish akoma, por do tu vijë dita. Duhet me vlerësuar si tek familja ime. Edhe në Kosovë kur serbi ka ardhur, atje u derdhte gjak, edhe zemra e shqiptarëve derdhte gjak. Anë e mbanë botës, gjithë Dukagjini, Puka, më kanë shkruar që jemi me ju, por gjithmonë duke kërkuar të drejtat tona”, tha një prej banorëve.

Një prej banorëve të zonës, Zef Vladaj bëri thirrje që të mos u prishen shtëpitë, duke thënë se jemi vëllezër e duhet të bisedojmë. Mbështetje gjetën edhe nga prifti, i cili po ashtu bëri thirrje për dialog. 

“Ne jemi ata që e kemi mbrojtur këtë tokë. Këto kulla janë bërë me djersë e  larë me gjak, i kemi mbrojtur me gjak. Nuk është e arsyeshme as shteti, as kurrkush me ardhur me hy në tokat tona, tokat shekullore. Ku sot i ke pa tapi. Të ulemi të bisedojmë, jo të shkatërrojmë. Jemi vëllezër, nuk është e arsyeshme. Po del populli në rrugë të madhe, jemi për paqe, por duhet të bisedojmë, kërkoj dialog me ta. Të vijnë këtu, përse shembin, jemi vëllezër", tha ai.

Më tej Vladaj thotë se ose qeveria do të ulet në dialog, ose do të thërrasin diasporën në protesta. 

"Nëse nuk hiqni dorë, unë do të njoftoj diasporën, do të njoftoj Dukagjinin, Pukën, Kukësin, Malësinë e Madhe në katër anët. Ka për t'i pas këtu në Theth, para Bashkisë e kudo.  Mos guxo me ardhë, me shfrytëzuar rastin, as me Thethin, as me Dukagjinin. Se ato kulla që i kena bo, thotë rapsodi. Ato kulla me bajrak i bëmë me djersë e i mbrojtëm me gjak. Na nuk jemi për t’i mbrojt me gjak, por mi kullat tona. Mos na prekni, mos na prekni, mos na prekni sepse jemi shqiptarë, jemi vëllezër, duam dialog dhe çdo gjë me shku në vend”, thotë ai.

Në mbështetje të fadromave të IKMT në terren shkuan edhe dhjetëra forca policie pasi herë pas here situata tensionohej nga banorët, të cilët kanë pasur edhe përplasje me efektivët.

Aksioni ka përfunduar pasditen e sotme, ku fadromat e IKMT kanë qendruar në Theth deri rreth orës 17:00 për ta ndërprerë aksionin dhe për t'u kthyer sërish nesër, ndërsa deri më tani janë prishur rreth 70 objekte pa leje. 

Strukturat e bashkisë po punojnë për heqjen e inerteve dhe pastrimin e zonës për të mos pasur impakt tek të huajt që po vizitojnë Thethin në këtë periudhë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:19
'Ligji nuk është mbi Zotin', mesazhi i famullitarit të Shkodrës për përplasjet në Theth: Banorët u mashtruan dhe përdorën! Duhet dialog

Në meshën e së dielës në Shkodër, famullitari Dom Vlash Palaj ka mbajtur një mesazh të fortë në lidhje me aksionet për ndërtimet pa leje në zonën e Thethit

Famullitari Dom Vlash Palaj dënoi ashpër sjelljen e autoriteteve që, sipas tij, i kanë mashtruar dhe braktisur banorët. Ai i bëri thirrje autoriteteve dhe të gjithë shqiptarëve të reflektojnë mbi mënyrën se si trajtojnë njëri-tjetrin, sidomos në komunitete të vogla.

Një konflikt i madh atje në Theth, më vjen shumë keq për ato njerëzit e shkretë sepse i joshën, i rrejtën, i blenë, i shfrytëzuan, i vjelën për nga ana monetare, dhe në fund i hodhën, i tradhtuan, i dogjën, i shkatërruan, do t’i gjobisin e do t’i burgosin. Faik Konica thotë nji fjalë, e cila, duhet të na bajnë të reflektojmë. E keqja ma e madhe e Shqipnisë janë shqiptarët. Por, cilët shqiptarë? Ato, të cilët s’i kanë mësu ende fjalët e jetës. Krishti thotë: Në qoftë se don me zgjidh problemin me vëllaun tand, me të afërmin tand, jena pjesë e nji kombi. Shqipnia është një fshat i vogël me e krahasu me vendet e tjera.

Merre përpara vëllaun tand, ulu me të, mos e kushtëzo dialogun tand në kohë. Kërko ta bindësh se cila është e mira dhe e vërteta. Por, mundet me të ndodh që s’ndigjon. Atëherë, të lutem, mos e dëno, mos e gjyko as mos e paragjyko, sepse nuk je ti Zoti i jetës së tij. Thirri edhe 2-3 dëshmitarë, edhe në praninë e tyre, thuaji edhe njiherë. E në qoftë se edhe ato nuk i ndigjon, e prapë nuk ndigjon, prapë mos u dorëzo. Ftoje krejt bashkësinë. Uluni të gjithë së bashku. Diskutoni sesi mund të zgjidhet problemi i këtij personi. Mund të ndodhin që as ato nuk i ndigjon. Atëherë, kur ke ba edhe tentativën e tretë, dhe i ke vu në dijeni të gjithë, atëherë kur nuk merr vesh, leçite – veçoje, thotë. Sepse nuk e don të mirën. Kurse, në atë realitet të atij fshati malor, ça vërejmë? A thua se jena armiq të njeni-tjetrit. Më besoni, të krishtenë të dashtun, dhe ju ftoj që të mendoni seriozisht në lidhje me këtë gja.

Për shkak se populli jonë vazhdon fatkeqësisht me kenë i mbushun prapë me armiqësi, me urrejtje, me nji varfni të theksume shpirtnore, atëherë nuk merr parasysh se atij tjetrit je duke ia shkatërru jetën, edhe pse ai tjetri ndoshta ka jetu e ka vepru në mënyrë të gabume. Por, kurrë ti mos merr pretendimin se je Zoti i tjetrit. Kërkoni të bindni njeni-tjetrin e të gjeni nji rrugëzgjidhje, e cila, është në të mirën e të gjithëve. Nuk është ligji mbi çdo gja', tha ai. 

Ai theksoi se marrëdhëniet mes njerëzve nuk zgjidhen me ndëshkime, por me mirëkuptim dhe dialog.

Ligji është mbi çdo gja, atëherë kur ne kena shkel mbi njerëzinë tonë dhe kena shkel atë prani Hyjnore, e cila, e ka stolis jetën njerëzore për me gjet rrugëzgjidhje ma paqësore dhe ma dialoguese mes vëlleznish. Duhet me dit gjithmonë me u marr vesh, sepse nuk zgjidhet raporti i vëllaznisë me gjykime e me dënime. Por, ato të cilët, janë skllevër të jetës, skllevër të sjelljeve të saj, ato s’marrin parasysh se tjetrit i shkatërrohet jeta. Dashtë Zoti që të piqen edhe ato kushtet kulturore, historike, njerëzore e të lartësohemi disi në ndërgjegjen tonë. Përndryshe, s’kena me pas kurrë paqe.

Ashtu siç shumë njerëz kanë humbur jetët e tyre, kena shumë, shumë kujtesë të keqe nga e shkumja, sepse janë vra për nji copë tokë, për nji vijë ujit, e sot tuj u vra për disa kabina dërrasash, të cilat, përbajnë e shprehin nji sakrificë të nji popullit, që historikisht ka vuajt e don me mujt me jetu e me pa vetvedin se është disi i sigurt në atë dinjitetin e jetës së tij. Por ja që, ka prapë shumë ligësi dhe nuk din me u marr vesh për të mirën.

Zoti ia shndrittë mendjen çdokujt e çdokush dittë me u naltësu në atë dinjitetin e të kenunit njerëz të shprehjes së njerëzisë, sepse jena të gjithë bij të të njëjtit Atë, që i bjen me kenë vëllezën e motra mes nesh. Pa harru se duhet me i dhanë mirëseardhjen emigrantëve, uroj që të kaloni ditë të paqta, plot me bekime shpirtnore, qetësi e liri mendore, por edhe me pushim fizik. Sepse pushimet duhet të jenë integrale, domethënë të gjitha aspektet e jetës njerëzore. Fatkeqësisht, ju këshilloj të mos shkoni në Theth, se aty humbni qetësinë mendore dhe shpirtnore, e si pasojë, edhe fizikisht nuk keni me gjet paqe. Nuk është faji juaj. Faji kuptohet është i atyre, të cilët, janë ma shumë të prirun me ba keq dhe me shkatërru, sesa me ndërtu. Kujdes, sepse ato të cilët janë më të padrejtit, bajnë çmos me kenë të dhunshëm për me imponu drejtësinë e tyre të tjerëve', tha ai. 

Ora 16:15
‘M'u ka duk si serbi në Kosovë’, banori i Thethit: Duam dialog, ndryshe thërrasim edhe diasporën në protesta

Një banor i Dukagjinit, Zef Vladaj i bën thirrje qeverisë për dialog dhe të mos vazhdojnë aksionin për prishjen e objekteve pa leje. Duke folur për gazetarët, pas Kuvendit të Burrave, Vladaj thotë se është e habitshme se si një shtet i tërë u turr në një fshat. Vladaj shprehet se kur pa terrorin në Theth iu duk si serbi në Kosovë.

“Unë jam Zef Sokol Vladaj, kryetari i Misionit të Pajtimit të mbarë kombit shqiptar. Që nga notë e dyshi dhe deri sot jam përfaqësues i Dukagjinit. Vijnë nga një familje patriotike, si e njeh gjithë Dukagjini dhe gjithë Shqipëria. Unë jam pasardhësi i Malulës që ka marrë pjesë në lidhje të Prizrenit, bashkë me Gjelosh Kolën dhe Gjegjen e Dukagjinit, unë sot në moshën 86 vjeç e pash të të arsyeshme me dalë te robt e mi. Thethi është i Shalës, Thethi është i Dukagjinit, Thethi është i Veriut, Thethi është i tonë Shqipërisë. Thethi ka të gjithë Shqipërinë këtu, Thethi ka të gjithë botën këtu, dhe i ka mirëpritë gjithmonë. Unë jam shqetësuar shumë, kur u kam parë çfarë po bëhet rëndësi në një kohë kur nuk ka qenë asnjëherë e arsyeshme për të bërë një gjë të tillë. Nuk jemi njerëz ashtu siç na quajnë ne, njerëz të pa shkollë. Jemi me shkollë, jemi me dituri, jemi njerëz që anë e mbanë botës kena dhelat e tona. Dhe jena njeri i kombit shqiptar, jena ajka i kombit shqiptar, Dukagjinasit. E veriu, e gjithë Shqipnia, Kur pashë policinë, kur e pashë terrorin, vallai m'u ka duk sikur serbi në Kosovë. Kur i kam parë dikur kosovarët, këta derdhin gjak dhe zemra me ka pikuar gjak. Atë kulturë, atë, atë, atë mirësi, ato vlera që i ka Thethi, nuk i ka askush. Se me u turr një shtet në një fshat është gjithçka e habitshme”, thotë ai.

Mos e prekni Thethin thotë ai, ndërsa shton se kërkojnë dialog me qeverinë ose do të thërrasin diasporën në protesta.

“Kur e pashë gjendjen kështu, kur i pashë djelmoshat e Thethit, kur i pashë burrat e Thethit, kur i pashë gratë e Thethit tu qajt, sa edhe fëmijës me i hy tmerri në barkun e nënës, kjo nuk lejohet në Shqipëri e në demokraci. Kryeministri ka qenë këtu. Kryeministri i ka pa vetë të gjitha. Pse i lanë me i bo? Pse shteti është më i mençur se sa na? Na edhe nëse i kemi bërë, i kemi bërë në tokat tona, në tokat e pesëqind vjeçarëve që jetojmë në këtë vend. Dhe sot na thotë je pa tapi. Unë jam mbaj mend shumë mirë kur na kanë kërkuar taksat. Na kanë kërkuar, na kanë kërkuar mish, lesh, mish e desh, bagëtish, vej e të gjitha. Na i ka kërkuar shteti Enver Hoxhës. Na i kena pronat pesëqind vjeçare, kur edhe Enver Hoxha na ka marrë taksën për to dhe sot ai më thotë, mu nuk e ke pronë të legalizume. Po nuk kam more pronën, se kam pagu taksat për to. Edhe me Zogun i kena pagu taksat. Jemi të barabartë si Vlora, Saranda. Kur i pezullon punimet atje, vallë këtu pse nuk i pezullon? Unë i kam kërkuar bashkëbiseduar me ta. Unë nuk kam kërkuar për t'u përplasur me shtetin. Të bashkëbisedojmë, , e jo të bëhet një gjë e tillë. E kujt ia rrëzojmë shtëpinë vëllaut.

Në Dukagjin e jo në Dukagjin, por unë kam nga katër anët e Shqipërisë. Edhe në Kosovë, edhe në Bruksel, ton diaspora. Më kanë bërë mesazhe dhe më thanë jemi gati me ardh. Unë popullin tim do të mbroj, me të drejtë, nuk e kam fjalën mos me zbatu ligjin. Do t'i bëj thirrje kryeministrit, qeverisë vendore. Atij kryetarit të bashkisë. E kujt ia shembe shtëpiat o Benet Beci, vëllaut. Kurrë nuk është dashur me e bo një gjë të tillë.

Nëse nuk i largoni. Nëse nuk hiqni dorë, unë do të njoftoj diasporën, do të njoftoj Dukagjinin, Pukën, Kukësin, Malësinë e Madhe në katër anët. Ka për t'i pas këtu në Theth, para Bashkisë e kudo.  Mos guxo me ardhë, me shfrytëzuar rastin, as me Thethin, as me Dukagjinin. Se ato kulla që i kena bo, thotë rapsodi. Ato kulla me bajrak i bëmë me djersë e i mbrojtëm me gjak. Na nuk jemi për t’i mbrojt me gjak, por mi kullat tona. Mos na prekni, mos na prekni, mos na prekni sepse jemi shqiptarë, jemi vëllezër, duam dialog dhe çdo gjë me shku në vend”, thotë ai.

Ora 14:04
‘Kullat i kemi mbrojtur me gjak’, Kuvendi i Burrave në Theth: Jo shkatërrim, jemi vëllezër (VIDEO)

Në ditën e 7-të të aksionit për shembjen e ndërtimeve pa leje, në Theth u mblodh Kuvendi i Burrave para kishës së fshatit, duke kërkuar ndaljen e aksionit dhe nisjen e dialogut me qeverinë. Zef Vladaj, banor i zonës, tha se kullat e Thethit janë ndërtuar me djersë e janë mbrojtur me gjak, ndërsa i kërkoi qeverisë të mos shkatërrojë, por të dialogojë me banorët.

"Kam bërë thirrje qeverisë për të ndërprerë aksionin se nuk është e arsyeshme. U kam bërë thirrje se ata i kanë gabimet, i kanë parë me sytë e vet që janë bërë, nuk duhet të ishin lejuar të bëheshin. Ato shtëpitë tona nuk janë prish akoma, por do tu vijë dita. Duhet me vlerësuar si tek familja ime. Edhe në Kosovë kur serbi ka ardh, atje u derdhte gjak, edhe zemra e shqiptarëve derdhte gjak. Anë e mbanë botës, gjithë dukagjini, Puka, më kanë shkruar që jemi me ju, por gjithmonë duke kërkuar të drejtat tona. Ne jemi ata që e kemi mbrojtur këtë tokë. Këto kulla janë bërë me djersë e larë me gjak, i kemi mbrojtur me gjak. Nuk është e arsyeshme as shteti, as kurrkush me ardhur me hy në tokat tona, tokat shekullore. Ku sot i ke pa tapi. Të ulemi të bisedojmë, jo të shkatërrojmë. Jemi vëllezër, nuk është e arsyeshme. Po del populli në rrugë të madhe, jemi për paqe, por duhet të bisedojmë, kërkoj dialog me ta. Të vijnë këtu, përse shembin, jemi vëllezër", tha ai.