Ndërsa vaksinimi vijon me ritme mjaft të shpejta, gjithnjë e më të moshuar po imunizohen ndaj COVID-19 të cilët prej disa ditësh tashmë kanë filluar të marrin edhe dozën e dytë.

Në një video të postuar në Facebook nga kryeministri Edi Rama, ata shprehen të lumtur që kanë mundësinë të vaksinohen, duke mos i kursyer falënderimet për qeverinë.  

"Rrofshin që po na bëjnë këto vaksinat që të mbrohemi nga COVID, jemi shumë të kënaqur", thotë një e moshuar.

"E falënderojmë shumë qeverinë që po interesohet për ne. Jam e kënaqur që e bëra edhe dozën e dytë tani jam e mbrojtur dhe do takohem më shpesh me të afërmit e familjarët e mi", shprehet një tjetër.

Nga fillimi i fushatës së vaksinimit në vend, deri më tani janë bërë 476.903 vaksinime. Vaksinimi anti-COVID po vijon në mbarë vendin, sipas kategorive të përcaktuara në bazë të moshës dhe profesioneve të veçanta. Procesi po vijon me kalendar të kombinuar, për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike.

Dje erdhën  në Shqipëri edhe 25 mijë vaksina Sputnik V. Kryeministri Edi Rama tha se  se nuk do të ndalet procesi dhe se do të vijojë të intesifikohet.

Ndërkaq më 20 prill, Komisioni Evropian deklaroi se do të dhuronte në total 651 mijë doza BioNTech / Pfizer do të dorëzohen në rajon në këste javore nga fillimi i majit deri në gusht. Në saj të kësaj ndihme Shqipëria do të marrë 145 mijë doza, Kosova 95 mijë, Maqedonia e Veriut 119 mijë, Serbia 36 mijë, Mali i Zi 42 mijë dhe Bosnjë-Hercegovina 214 mijë doza.