Një zjarr ka rënë sot në qytetin e Poliçanit. Zjarri ka rënë për të dytën herë brenda pak ditësh në të njëjtën zonë, në kodrat përreth Uzinës së Armëve.
Zjarri është përhapur me shpejtësi, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.
Në vendngjarje, në ndihmë të zjarrfikësve të qytetit të Poliçanit, kanë shkuar 3 mjete dhe 15 zjarrfikës të Repartit Zjarrfikës Berat, të cilët janë duke normalizuar situatën. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse, në zonën e zjarrit në Poliçan, kanë shkuar edhe forcat e ushtrisë.
Burime të zjarrfikësve nga vendngjarja bëjnë me dije se zjarri ka rënë në pjesën perëndimore të kodrës përreth Uzinës së Armëve, në afërsi të zonës B, e cila deri tani nuk përbën rrezik nga zjarri, pasi situata është duke u vënë në kontroll.








