Një zjarr i rënë përgjatë aksit rrugor Kukës–Gostil është shuar në kohë nga shërbimi zjarrfikës i Kukësit, duke shmangur përhapjen e flakëve në një zonë më të gjerë.
Zjarri, i cili u shfaq pak minuta më parë, rrezikonte të përhapej me shpejtësi për shkak të bimësisë së tharë në të dy anët e rrugës, temperaturave të larta dhe erës që favorizonte avancimin e flakëve. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me bar të thatë, shkurre dhe ferra. Tym i dendur u përhap në segmentin rrugor, duke krijuar vështirësi të përkohshme për drejtuesit e mjeteve.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipit zjarrfikës, flakët u vunë nën kontroll dhe u shuan pa lejuar përhapjen e tyre drejt zonave të tjera. Qarkullimi i automjeteve në këtë aks nuk u ndërpre, megjithëse drejtuesit e mjeteve u detyruan të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të tymit në rrugë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura gjatë kësaj periudhe, pasi temperaturat e larta dhe thatësira rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së flakëve.
Komente






