Vikena Kamenica:Si ma ndryshoi
jetën dhe zërin Krista

Vikena Kamenica:Si ma ndryshoi <br />jetën dhe zërin Krista
Është një nga artistet më të dashura të skenës sonë. Një vajzë e cila mjeshtërisht ka luajtur role të shumta në Teatrin e Operas dhe Baletit. Vikena Kamenica nuk do të flasë siç bën zakonisht pas një shfaqjeje, por do të ndajë emocione unike me lexuesin tonë. Krista është kryefjala e gjithë bisedës me Vikenën, vogëlushja që e bekoi këngëtaren në një datë të shënuar, siç ishte ajo e Krishtlindjeve. “Kisha ëndërruar shumë për atë moment dhe realisht ia kalonte dhe ëndrrës”, tregon ajo, teksa flet për takimin e parë me Kristën. Sigurisht, janë momente unikale, të veçanta, ku çdo nënë i përjeton në mënyrën e saj. E pranon që jeta e saj ka ndryshuar, madje edhe sa i përket muzikës, “ajo çka ndiej gjatë punës sime të përditshme dhe më pëlqen ta mendoj që vjen nga vajza, është ndjeshmëria vokale”. Ndërkohë, Vikena tregon se pavarësisht angazhimit me Kristën, nuk rri dot larg muzikës. Në fillim të qershorit ajo do të ketë një “Koncert piano–vocal” së bashku me kolegen dhe mikeshën e saj Merita Rexha Tërshana. Siç citon ajo në këtë intervistë, fëmija është një stimul më shumë në karrierë: “Nuk dua ta mendoj pengesë fëmijën tim, përkundrazi një stimul më tepër. Krista ka qenë ogur i mirë, se periudha më e frytshme artistike për mua ka qenë në muajt e shtatzënisë, ku të dyja bashkë kemi kënduar në shumë koncerte dhe konkurse brenda dhe jashtë Shqipërisë”.

Vikena, ju kemi parë të shfaqeni në ekran pas lindjes së vajzës, por a mund të na thoni kur do të riktheheni te publiku juaj si mexosoprane?

Me një dëshirë të madhe, shumë shpejt shpresoj, por gjithmonë në varësi të mbarëvatjes së fëmijës tim. Gjithë qenia ime si dhe puna gjithashtu është në varësi të saj…

Si ka qenë kjo kohë jashtë skenës, të themi?

Një nga periudhat më të bukura, mund të them, të jetuara deri më sot.

A e ndieni momentalisht nevojën për të qenë pranë publikut me atë që dini të bëni më mirë?

Do doja të thosha që po ndiej të bëj mirë dhe të qenit nënë dhe të them të drejtën do doja shumë që të arrija vlerësimin më të madh ta marrë këtu. Po pjesa për të qenë afër publikut është nevojshmëri e respektit ndaj vetes dhe sakrificave të bëra në gjithë këto vite përkushtim…

Sa ju kanë ndryshuar shijet dhe sa ju ka ndryshuar muzika gjatë kësaj kohe?

Ah, këtë ma kishin vënë në dukje, por nuk prisja që t’i kisha kaq të prekshme dhe nga unë vetë… Janë disa ndjesi të papërshkrueshme, por që mua më kanë ripërtërirë…

Ndiheni me fat për atë që keni arritur, apo puna ka shenjuar më tepër suksesin tuaj?

Pa diskutim që ndihem shumë me fat me ardhjen në jetë të vajzës që më ka plotësuar kaq shumë!!! Këto janë prioritete me të cilat jam rritur dhe ndihem krenare për edukimin e familjes sime. Unë shpresoj shumë t’i ngjaj sadopak nënës sime, që dhe sot e kësaj dite, si dhe në këtë moment që ne po flasim, është shembulli i jashtëzakonshëm i përgjërimit të nënës për fëmijët e saj dhe për SUKSESIN QË KA SHENJUAR ajo me ne… Vikena, në fillimet tuaja jeni shfaqur në Festivalin e RTSh-së, si këngëtare e muzikës së lehtë (kujtoj këngën “Flas me rininë time” me Sajmir Çilin).

Përse iu përkushtuat Operas?

Muzika lirike, Opera, ka qene ushqimi im bazë nga prindërit e mi. Sado që me rebelimin e moshës dola tek ajo çka të jepte popullaritet më të lehtë dhe një liri më të madhe… Unë iu riktheva asaj që për perceptimin tim në vite më mbante dhe më zhvillonte profesionalisht. Muzika e lehtë ka qenë dhe është gjithmonë një pjesë e aktivitetit tim, por e pozicionuar ashtu siç mua më pëlqen.

Si ndryshon jeta e një femre, sidomos kur ajo ka një karrierë të shkëlqyer, në momentin që bëhet nënë?

Shpresoj gjithmonë për më mirë, gjersa jam akoma në muajt e parë të jetës së Kristës.

Si ka ndryshuar e juaja?

Diçka që e shihni realisht të transformuar, nëse do ta quajmë kështu?

Nuk do të thosha transformime të mëdha. Ajo çka ndiej gjatë punës sime të përditshme dhe më pëlqen ta mendoj që vjen nga vajza, është ndjeshmëria vokale…

Si e përjetuat momentin kur e mbajtët për herë të parë në duar Kristën?

Kisha ëndërruar shumë për atë moment dhe realisht ia kalonte dhe ëndrrës…

Ju e pagëzuat Krista vajzën tuaj, ngaqë erdhi pikërisht si një dhuratë për Krishtlindje. Sa e bekuar ndiheni?

Aq sa për të thënë “Faleminderit Zot për atë çka na ke dhënë e na jep”.

A është e vështirë të jesh nënë?

Është një përgjegjësi dhe lumturi e madhe njëkohësisht.

Cilat ishin gjërat më të vështira për t’u mësuar?

Kanë qenë shumë dhe akoma kam nevojë të mësoj… Por gjëja më e çuditshme është instinkti i mëmësisë, që lind bashkë me fëmijën e që të jep forcë e guxim.

Ndihma juaj më e madhe cila ka qenë këto kohë?

E padiskutueshme dhe e adhurueshme e bashkëshortit tim…

Kush zgjohet më tepër nga të qarat e Kristës natën, ju apo bashkëshorti?

Të dy, me merak të madh (qesh).

Dhe, meqë jemi këtu, kush përkujdeset më tepër për të, ju apo ai?

Do ishte e kotë dhe për më tepër e padrejtë për të bërë ndarje. Vikena, çdo nënë e re ka një kujdes thuajse maniak për fëmijën e parë.

A keni frikë t’ia besoni Kristën familjarëve të tjerë?

Aspak. Përkundrazi, mund të them. Unë jam rritur e rrethuar nga familje të mëdha, si nga nëna dhe babai gjithashtu. Do doja shumë që dhe vajza ime të rritet e rrethuar nga njerëzit e saj me një harmoni të plotë.

Si është jeta juaj si zonjë shtëpie, e kompletuar të themi?

Si çdo femër, që në një moment të jetës vendos të krijojë familje dhe kërkon më të mirën për të.

A ndihmon fëmija në karrierë apo ndodh e kundërta?

Jeta ka dhënë shembuj të ndryshëm, por në shumicën e rasteve më është dukur si justifikim i vendimeve të marra. Nuk dua ta mendoj pengesë fëmijën tim, përkundrazi një stimul më tepër. Pastaj, Krista ka qenë ogur i mirë, se periudha më e frytshme artistike për mua ka qenë në muajt e shtatzënisë, ku të dyja bashkë kemi kënduar në shumë koncerte dhe konkurse brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në rrethin tuaj familjar, mesa dimë, jeni të gjithë të talentuar në muzikë. Mendoni se dhe Krista do të ndjekë të njëjtat rrugë? Ju do të donit?

Çfarë të jetë e shkruar për të, por do të jemi të përkushtuar gjithashtu për të ndjekur dëshirat e pasionet e saj kur të vijë koha! Vikena, për shumë kohë bashkëshorti juaj nuk ka qenë i njohur për publikun.

Përse keni vendosur të jeni kaq diskrete me këtë pjesë?

Ai nuk i përket aspak kësaj pjese dhe është zgjedhja e tij të jetojë jetën e vet ashtu siç e dëshiron, sidomos i pasurvejuar. Mua kjo më pëlqen te karakteri i tij, ngaqë vetë jam shumë fanatike e jetës private.

Vikena, si i keni marrëdhëniet me vjehrrën? Ju ndihmon ajo me Kristën?

Jam me fat për familjen e Erikut dhe e them me kënaqësi të madhe këtë. Sidomos për mamanë e tij Landa, që është nga njerëzit më të veçantë që ka kjo botë, për dashurinë, mirësinë dhe përkushtimin… Si ajo dhe Krista kanë një lidhje speciale me njëra-tjetrën(edhe pse kjo e vogla ia ka bërë qejfin që i ngjan shumë) (qesh). Projektet artistike më të afërta… Duke shpresuar që gjithçka të shkojë siç duhet (me gjithë oraret e mia të paparashikuara), do jem në fillim të qershorit në një koncert “piano–vocal” së bashku me kolegen dhe mikeshën time të papërtuar Merita Rexha Tërshana. Do jetë një nga ato bashkëbisedimet tona artistike, që për t’i bërë sa më të plota kërkojmë t’i ndajmë me publikun. (xh,k/shqiptarja.com)

(Marrë nga suplementi i gazetës "Mapo", "Madame Mapo")

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Me shënime në bllok, Vangjel Tavo merr udhëzime nga Rama për projektet e reja për Himarën

FOTO/ Me shënime në bllok, Vangjel Tavo merr udhëzime nga Rama për projektet e reja për Himarën