Videoja e Reshmës se si të realizojmë buzët e kuqe perfekte fillon si çdo video bukurie në internet. Ajo këshillon shikuesit e saj të largojnë qelizat e vdekura nga buzët fillimisht duke i fërkuar me një furçë dhëmbësh, më pas të aplikojnë hidratant dhe të përdorin laps për t’i dhënë formën perfekte.

Në të njëjtën kohë, ajo i rikujton të gjithë ndjekësit se produktet e bukurisë në Indi, gjenden në supermarkete, po aq thjeshtë sa acidi... 

Në 2014, kunati i Reshmas i hodhi acid sulfurik në fytyrë. Si rrjedhojë ajo humbi syrin e majtë dhe syrin e djathtë e ka pjesërisht të mbyllur dhe të infektuar. Vuan nga disa lloje djegiesh dhe deformimesh, ndërsa i duhet të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale për të riparuar muskulin rreth gojës.

Viktima e dhunës me acid i nxit ndjekësit e saj të nënshkruajnë peticionin Make Love Not Scars (Bëj dashuri jo shenja). Ky peticion kërkon ndalimin e shitjes së acidit në dyqane e supermarkete, pasi rreth 1,000 sulme acidi ndodhin në Indi çdo vit, ku 90% e viktimave janë femra.

Zakonisht sulme të tilla ndodhin si formë hakmarrjeje nga meshkujt që janë refuzuar nga femrat. Edhe pse në Indi ekzistojnë aktualisht ligje që dënojnë sulmet me acid, është ende shumë e thjeshtë ta blesh ‘lëngun e rrezikshëm’ në çdo dyqan, pa të pyetur askush, për vetëm 1,50 $.