Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pas shkaktimit të viktimës së parë nga zjarret në fshatin Asim Zenel në Lunxhëri të Gjirokastrës. Ndërsa i shpreh ngushëllime familjes së viktimës, Basha akuzon qeverinë se është e papërgatitur për raste të tilla. Basha shkruan se masat gjysmake të marra nga qeveria nuk po mundin të normalizojnë dot situatën me zjarret në vend.
"I shpreh ngushëllimet familjes së Andrea Haxhiaj që humbi jetën sot si pasojë e zjarrit në zonën e Gjirokastrës. Masat gjysmake te qeverisë nuk e kanë normalizuar dot situatën alarmante të shkaktuar nga zjarret e ditëve te fundit në vend. Pavarësisht paralajmërimeve të qytetarëve dhe medias, në shumë zona zjarret vijojnë prej ditësh, ndërsa angazhimi i vetëm i qeverisë ka qenë përpjekje me mjete rrethanore të papërshtatshme dhe servirja e videove te zyrës së propagandës. Si në rastin e tërmetit, emergjencat civile dhe qeveria ndodhen totalisht të papërgatitura për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të shmangur pasojat e katastrofave natyrore. Përgjegjësi i kësaj situate vijon turet e inagurimeve false duke lënë në mëshirë të fatit banorët dhe qindra hektarë që po digjen prej ditësh", shkruan Basha.
Kryedemokrati kërkon bashkëpunimin e të gjithë banorëve që të largohen nga zonat e rrezikuara.
"Është momenti që çdokush që ndodhet në zonat e rrezikuara nga zjarri të largohet dhe të kujdeset për jetën. Forcat e emergjencës që ndodhen në terren të marrin masa urgjente që brenda mundësive të sigurojnë jetën e banorëve të rrezikuar dhe të shmangin përhapjen e mëtejshme të zjarreve", tha Basha.
Viktima e parë nga zjarret u shënua në fshatin Asim Zenel në Gjirokastër, ku humbi jetën nga asfiksia Andrea Haxhiaj, 64-vjeç, ndërsa ka mbetur e plagosur rëndë bashkëshortja e tij, 57 vjeçe, e cila ka marrë djegie të rënda në trup. 64-vjeçari u gjet i pajetë në bahçen e banesës së tij, si pasojë e flakëve të përhapura. Bëhet me dije se i moshuari ka tentuar të shuaj zjarrin në vreshtin që kishte në oborr, por si pasojë e flakëve ka ndërruar jetë. Bashkëshortja e tij ka marrë plagë të rëndë dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Gjirokastrës.
Lajmi kryesor: