Vila e Tedeskinëve, ringjallet
banesa 170-vjeçare në Durrës

Vila e Tedeskinëve, ringjallet<br />banesa 170-vjeçare në Durrës
DURRES- Banesa e familjes Tedeschini është ndërtuar 170 vjet më parë në qendër të qytetit të Durrësit dhe një firmë e vogël ndërtuese këto ditë po kryen restaurimin e fasadës së saj. Sipas dokumentave ajo është shtëpia më e vjetër në kohët moderne të qytetit antik.

“Po përpiqemi të ruajmë të paprekur imazhin e shtëpisë që duket nga rruga – tha Zef  Tedeschini, një nga pinjollët e familjes me emër në Shkodër dhe në Durrës. “Duam ta ruajmë shtëpinë, bashkë me traditën e familjes-vijon Zefi, duke pranuar se fatkeqsisht asnjëherë dhe askush nuk është interesuar për ta rivitalizuar banesën.

Megjithëse përbën një pasuri të trashëgimisë sonë kulturore, riparimi i banesës dykatëshe kryhet me financimin e vetë familjes, e cila vitet e fundit ka bërë të gjitha përpjekjet për ta vënë banesën nën mbrojtjen e shtetit.
E vendosur në mes të trekëndëshit që bashkon amfiteatrin antik, bashkinë dhe kishën „Shën Luçia“, tamam në rrugicën që pret rrugët „Pal Engjëlli“ dhe „Dom Nikoll Kaçorri“ vazhdon të ruajë nurin e dikurshëm, duke mbetur një nga thesaret e kulturës qytetare dhe traditës ndërtimore të qytetit 3000-vjeçar. Krejt moderne për nga stili venecian i ndërtimit në një qytet me pamje mesjetare, në të cilin  kompleksi ku jetonte Mytesarifi turk kishte 64 magazina, banesa e ndërtuar nga Francesco Emidio Tedeschini (me gurë të importuar) në vitin 1843 dokumentohet jo vetëm nga pllaka e gdhendur në ballinën e saj.

Ndërtesa në formë L, me oborrin e madh e të gjelbëruar, ku bie në sy pusi i gurtë, i shërbeu të zotit të saj, farmacist nga profesioni, si shtëpi dhe si seli e konsullatës austrohungareze, drejtimin e së cilës ai e kishte trashëguar nga babai i tij, Emidio, fillimisht konsull i Republikës Veneciane.

“Duam ta ruajmë shtëpinë, bashkë me traditën e familjes-vijon Zefi, duke pranuar se fatkeqsisht asnjëherë dhe askush nuk është interesuar për ta rivitalizuar banesën.
Dokumentat dëshmojnë se ajo mbetet shtëpia më e vjetër në Durrës, dhe i ka shpëtuar rrebesheve dhe joshjeve të kohëve, falë dashurisë që pasardhësit e Tedeschinëve të parë kanë treguar për të.
 
THESARI NE MES TE QYTETIT
Banesa e Tedeschinëve të Durrësit përveç vlerave të arkitekturës ndërtimore dhe traditës së trashëgimisë etnokulturore bart edhe elementë të rëndësishëm të jetës politike e sociale të vendit tonë.
Agata Tedeschini, e cila duhet të ketë lindur në Durrës rreth vitit 1790, ishte gjyshja e Luigj Gurakuqit, një prej atdhëtarëve të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, pjestar i Qeverisë së Vlorës më 1912. Historia e familjes, që u transferua nga Shkodra në Durrës është paraqitur një vit më parë në dokumentarin e Anila Varfit “Dinastia Tedeschini”.

Tedeschinët e rinj janë përpjekur ta ruajnë banesën e të parëve ashtu siç ka qenë. Dhe pjesërisht ia kanë dalë. Zefi dhe bashkëshortja e tij, Alma nuk kanë rënë në “kurthin”e shembjes së godinës gati dyshekullore për hir të ndërtimit të një pallati, nga ku mund të përfitonin apartamente e dyqane.

Menjëherë pas luftës së dytë botërore shtëpia u shtetëzua me justifikimin se i kishte muret perimetralë 80 cm të gjera dhe i ngjante më shumë një kështjelle. Megjithatë, siç dëshmon Zefi, gjyshja, Kushe Binaku, erdhi nga Shkodra për të jetuar e për ta ruajtur njëkohësisht banesën.

Në vitin 1986 një pjesë e shtëpisë, në anën perëndimore të saj, digjet aksidentalisht. Zefi, në atë kohë 37 vjeç, e i sapomartuar, bën të gjitha përpjekjet për ta meremetuar pa humbur karakteristikat e saj të para.
“Fatmirësisht dhomat e katit të dytë dhe mobiljet e tyre kanë mbetur njëlloj si në kohën e ndërtimit-na tregon ai, teksa ngjitemi në mjediset e gjëra të shtëpisë me moshë 170-vjeçare. Ne rindërtuam çatinë, duke shpëtuar pamjen e hershme të banesës, ndërsa kujdesemi herë pas here për mirëmbajtjen e objekteve të hershme”.

Njollat e lagështisë nga reshjet e ditëve të fundit dallohen qartë në muret e katit të dytë, dhe Zefi ka filluar ti ndreqë ato si përherë. E së bashku me to po ruan të paprekur edhe pajmen e fasadës.

Ndërhyrja e shtetit me anë të një restaurimi profesional do ti jepte një vlerë të re godinës, së cilës nuk i mungon asgjë për tu kthyer në monument kulture. “Për ne do të ishte kënaqësi, që një prej dhomave të katit të dytë me mobiljet dhe objektet e hershme e me vlerë historike të ishte e hapur në dispozicion të vizitorëve-shprehet Zef Tedeschini, për banesën që padyshim përbën një thesar historik e kulturor në qendër të qytetit antik.

Shkrimi u publikua sot (06.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Çfarë pritet nga zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar?

Çfarë pritet nga zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar?