Një rast i mosdeklarimit të parave në kufi është goditur nga autoritetet shqiptare. Këtë herë bëhyet fjalë për një shtetas të Maqedonisë së Veriut, i cili po kalojnë kufirin nga Kosova për në Shqipëri. 42-vjeçari A.S kishte me vetë 16.950 euro dhe nuk i ka deklaruar.

Njoftimi i policisë

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe kontrolleve me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin  tip "Benz" , me drejtues shtetasin A. S., 42 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 16.950 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. 

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës, u procedua penalisht drejtuesi i mjetit, shtetasi  A. S., 42 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, për veprën penale "Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi".

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.