FIER- Numri i vizitave ditore ne urgjencen e spitalit rajonal te Fierit ka arritur deri në 200, ndërsa rreth gjysma e tyre lidhen me probleme të stomakut e zorrëve dhe raste të tjera të shkaktuara nga temperaturat e larta.

“Rastet që kemi më së shumti janë me diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë. Në përgjithësi janë raste të lehta dhe të menaxhueshme, por tek të moshuarit dhe personat me diabet, tension apo sëmundje të tjera kronike, situata mund të përkeqësohet për shkak të humbjes së lëngjeve dhe kripërave minerale”, tha Ardit Hymeri, mjek urgjence.

Në shumicën e rasteve simptomat zgjasin nga 3 deri në 6 ditë. Rreziku më i madh mbetet dehidratimi, veçanërisht tek të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.

“Tek moshat e treta, humbja e lëngjeve dhe elektroliteve mund të sjellë komplikacione të rënda. Në raste të rralla, sidomos kur pacientët kanë edhe sëmundje të tjera, komplikacionet mund të jenë fatale”, thekson mjeku.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, fluksi i pacientëve në urgjencë është më i lartë. Sipas mjekut, krahas temperaturave të larta dhe thatësirës së zgjatur, ndikojnë edhe qëndrimi në det e pishina, higjiena, përdorimi i ambienteve të përbashkëta dhe kontaktet mes personave.

“Gjatë kësaj periudhe kemi vënë re shtim të rasteve virale që prekin stomakun dhe zorrët. Po keshtu dhe infeksionet e lëkurës. Shkaqet janë temperaturat e larta, mungesa e higjienes, fluksi në plazhe, pishina dhe ambiente të përbashkëta”, tha ai.

Mjeku apelon qytetarët, veçanërisht të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve të nxehta.

“Apeli është për të gjitha grupmoshat që të tregojnë kujdes, të konsumojnë lëngje dhe të mos neglizhojnë diarrenë, të vjellat apo temperaturën e lartë, u shpreh Ardit Hymeri, mjek urgjence, duke shtuar se “nëse gjendja përkeqësohet, duhet kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore”.