Instituti Kombëtar Amerikan për Shëndetin, ka njoftuar se javën e ardhshme do të vihet në provë tek njerëzit një vaksinë eksperimentale për Ebolën. Në një deklarataë të Institutit të publikuar theksohet se prova në fazat e hershme do të vlerësojë sigurinë e vaksinës dhe aftësinë për të nxitur një përgjigje nga sistemi imunitar tek të rriturit e shëndetshëm.

Vaksina është prodhim i përbashkët i institutit NIH dhe kompanisë farmaceutike britanike GlaxoSmithKline.Provat do të bëhen në qendrën e NIH-it në Bethesda të Maryland-it, si dhe në Britani dhe në vendet e Afrikës Perëndimore Gambia dhe Mali.

Zhvillimi dhe provat për vaksinat e Ebolës po përshpejtohen, për shkak të shpërthimit të epidemisë në Afrikën Perëndimore. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se mbi 1 mijë e 400 vdekje të dyshuara dhe të konfirmuara nga Ebola janë njoftuar në Guine, Liberi, Nigeri dhe Sierra Leone, që nga shpërthimi i epidemisë në mars të këtij viti.



Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)