Visar Zhiti, ministri i ri i Kulturës
merr detyrën: Do rikthej festivalet

Visar Zhiti, ministri i ri i Kulturës<br />merr detyrën: Do rikthej festivalet
TIRANE - Ministri i sapoemëruar i Kulturës, Visar Zhiti, është shprehur dje në një intervistë për “Shqiptarja.com” për vizionin që do të drejtojë Institucionin e Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Zhiti emërohet në këtë post duke zëvendësuar ministrin e Kulturës, Aldo Bumçi, i cili në vitet e fundit që drejtoi MTKRS-në u kritikua nga mediat dhe shoqëria civile si ministri që nuk mbajti asnjëherë përgjegjësi për degradimin dhe grabitjen e Monumenteve të Kulturës.

Rasti më i rëndë ishte ai i grabitjes së Onufrit në Kishën e Selcës në Elbasan, megjithatë zoti Bumçi nuk e lëshoi postin me dorëheqje, edhe pse kjo u kërkua me protesta nga Forumi për Mbrojtjen e Monumenteve. Përkundrazi, z. Bumçi emërohet me një post tjetër me rëndësi në Ministrinë e Jashtme.

Ish-ministrin Bumçi do ta zëvendësojë shkrimtari i njohur Visar Zhiti. Ndërsa i duhen edhe pak ditë të fillojë nga puna, duket se zoti Zhiti ka nisur të perceptojë një vizion të ri me të cilin do të drejtojë gjatë kohës që do të jetë ministër i Kulturës.

Pas shumë vjetësh vjen në detyrën e Ministrit të Kulturës një shkrimtar që ka një lidhje të drejtpërdrejtë me kulturën. Mendoni se në këtë post mund t’i ndihmoni më tepër shkrimtarët?
-Më parë unë mendoj se e gjithë kultura, pavarësisht se çfarë drejtimi e zhanresh ka është në pasuri e përbashkët e të gjithë popullit. Në art e kulturë për mua nuk ka të majtë e të djathtë, nuk ka as një art më të preferuar se tjetri. Kultura i takon popullit shqiptar dhe do të jem në shërbim të të gjithë asaj kulture që i shërben dhe i takon popullit.

Dëgjuam lajmet, se në fillim ju patët hezitim të merrnit këtë detyrë, cilat qenë arsyet?
-Hezitova sepse e ndjeva për detyrë të marrë miratimin e asaj shtrese që unë përfaqësoj, të klasës së të persekutuarëve. Hezitova sepse e ndjeva se kisha nevojë edhe për mirëbesimin e tyre. Ishte një përgjegjësi për drejtimin tim si duhet.

Duke marrë miratimin e të përndjekurve, unë mendoj se më tej duhet të kem edhe mbështetjen e bashkëvuajtësve të mi. Duke besuar në mbështetjen edhe miratimin dhe bashkëpunimin me të gjitha shtresat e në të gjitha drejtimet dhe kahet politike, unë besoj se është koha e rigjallërimit të kulturës. 

Ju e dini tashmë se jeni përballë disa problemeve madhore të trashëguara nga drejtuesit e mëparshëm. Si do ta ndryshoni situatën aktuale të Monumenteve të Kulturës, ku dhjetëra prej tyre janë rrënuar?
-Gjendja e monumenteve mendoj se nis të menaxhohet mirë, duke e diskutuar së bashku me të gjithë aktorët që veprojnë në institucione me transparencën më të madhe, pa fshehur gjë, por duke nisur diskutimet dhe proceset e stabilizimit në të mirë të përbashkët.

Drejtuesit e Trashëgimisë, drejtuesit e monumenteve dhe organizatat që i mbrojnë këto duhet bëjnë një punë të përbashkët. Trashëgimia kulturore do të nis me transparencën, ruajtjen dhe mbrojtjen e saj.

Ju e dini se disa festivale janë ndërprerë dhe disa janë zvogëluar në këto vitet e fundit. Çfarë vizioni keni për festivalet si ai teatrove në Butrint, etj?
-Unë mendoj se veprimtaritë ndërkombëtare krijojnë një klimë kulturore dhe kur kthehen në traditë ato krijojnë një stad më të lartë të zhvillimit kulturor, krijojnë një pasuri. Përvojat dhe konkurrencat me të ardhurit në këto festivale gjallërojnë jetën kulturore dhe aktivizojnë energjitë krijuese.

Unë mendoj se ato festivale që kanë munguar këto vjet do të rikthehen dhe ato që janë zbehur do të rrisin përmasat e tyre. Do të përpiqem për zhvillimin e tyre.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve