Vishaj thotë se organi i akuzës shkeli nenin 34 të Kodit Penal, duke mos i garantuar të drejtat procedurale personit në hetim, në rastin konkret Tahirit. Ai tha se kur Prokuroria nuk zbaton procedurën ndaj një ish-ministri, qytetari i thjeshtë apo një ish-punonjës që kapet për vjedhje, nuk i garantohet asnjë e drejtë.
"Kemi veprime joligjore të Prokurorisë. Sot drejtësia po shkon në një dyshesë që është pak e besueshme. Anashkalimi i Ministrisë së Drejtësisë mua nuk më sjell një interes pozitiv. Nëse flasim për rrugë procedurale, çdo provë që do vijë do vijë përmes një rruge, drejtorisë së marrëdhënieve me jashtë në Ministrinë e Drejtësisë. Organi i akuzës i ka pasur të gjitha mundësitë, sepse çështja nuk nisi në datën 17, por çështja ka nisur që në vitin 2015.
Baza e provës i takon organit të akuzës. Akuza ka gabuar ndaj Tahirit, që në momentin e regjistrimit të emrit të tij në regjistrin e veprave penale. Neni 34 i Kodit Penal thotë se në momentin që prokurori regjistron një çështje ndaj një personi në hetim, është i detyruar t'i japë të drejtat procedurale personit në hetim. Proceduralisht Saimir Tahiri duhej të ishte vënë në dijeni nga ana e prokurorit të çështjes lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij ku ai të kishte mundësi të gjente avokat dhe të mbrohej. Mosdhënia e kësaj letre zotit Tahiri, një ish-ministër, imagjinoni një punonjës të thjeshtë që kapet për një vjedhje. Sot në burgjet shqiptare kemi shumë të varfër, shumë njerëz punëtorë dhe jo ata që kanë kryer vepra të rënda penale", u shpreh Vishaj.
"E gabuar ndjekja e çështjes nga tre prokurorë"
Ai e quan të gabuar ndjekjen e çështjes në ngarkim të Tahirit nga tre prokurorë të Krimeve të Rënda, në një kohë kur duhej hedhur shorti dhe nga kjo të dilte një prokuror i vetëm i cili të ndiqte çështjen. "Të tre prokurorët janë profesionistë, kjo që janë nga Tropoja apo nga Vlora, për mendimi tim është fyerje. Por çështja duhej të bëhej me short dhe të ndiqej nga një prokuror dhe jo nga tre. Dhe kjo solli këtë rezultat. Nëse do kishim një prokuror në ushtrimin e të drejtës penale, do kishim rezultat tjetër. Vajtja e tre prokurorëve në mënyrë të rrufeshme me kërkesën për arrestim të ish-ministrit Tahiri nuk ishte rruga e duhur. Kjo bëri që të sfumohet përballë një maxhorance cila në momentin e parë pa, a ka dyshim të bazuar në prova...", tha Vishaj.
"Kontrolli i banesës pas 10 ditësh, absurd"
I pyetur nëse kishte prova Prokuroria kundër Tahirit, Vishaj tha se ka dyshime të bazuara në prova, ndërsa shtoi se Kuvendi ka pranuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë. Megjithatë, Saimir Vishaj e quan absurde që Prokuroria të shkojë dhe të kontrollojë banesën e ish-ministrit të Brendshëm 10 ditë pas regjistrimit të veprës penale. "Në momentin kur Parlamenti sot ka marrë një vendim duke pranuar pjesërisht Prokurorinë, do të thotë se kemi dyshim të bazuar në prova. Ky dyshim, për aq kohë sa dyshon. Ligji pranon ose arrestin, kontrollin e banesës ose arrestin në shtëpi. Nëse Prokuroria shkon të kontrollojë banesën, është nonsens, sepse po shkon pas 10 ditësh. Çfarë kontrolli personal kërkon kur kanë kaluar 10 ditë?", tha ai.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO







