/ATSH- E,Xhajanka/- Në Shqipëri u numëruan  22 institucione financiare jobanka (IFJB) deri në fund të vitit 2014, bëri të ditur Banka e Shqipërisë, në raportin e publikuar së fundi mbi Mbikqyrjen Bankare.
Sipas veprimtarive financiare për të cilat janë licencuar, këto institucione në dhjetor 2014, arritën një total të aktiveve në vlerën e 32.23 miliardë lekëve, duke përbërë 2.5% të totalit të aktiveve të sistemit bankar. Krahasuar me vitin paraardhës, aktivet e subjekteve financiare jobanka gjatë 2014-ës, kanë shënuar një rritje të konsiderueshme prej 2.21 miliardë lekësh ose 7.36%. Në strukturën e aktiveve të subjekteve financiare jobanka, portofoli i kredisë përbën 56.3% të tyre.
Pjesa tjetër e aktiveve është e orientuar drejt arkës, depozitave dhe llogarive (22.6%), si dhe letrave me vlerë.
Subjektet financiare jobanka financohen në masën më të madhe nga kreditë e marra (54.6%) dhe kapitali i tyre (37.7%). Kreditë e marra janë kryesisht nga institucionet bankare vendase (40.2% e kredive të marra) dhe institucione financiare jorezidente (37.4%), ndërkohë që nuk mungojnë edhe financimet nga burime të tjera rezidente (11.52%).
Gjatë 2014, pjesa më e madhe e subjekteve financiare jobanka paraqiten të mirëkapitalizuara. Departamenti i Mbikëqyrjes monitoron në vazhdimësi nivelin e kapitalit të subjekteve dhe, në disa raste, ka kërkuar injektim të mëtejshëm fondesh nga aksionerët, me qëllim sjelljen e kapitalit në nivele të mjaftueshme.