TIRANE - Atmosfera festive e ndërrimit të viteve ndihet në të gjitha qytetet e vendit. Zbukurimi i shesheve dhe i rrugëve kryesore është bërë kudo nëpër Shqipëri, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë për qytetarët.

Momentet e ndërrimit të viteve në kryeqytet do të priten në sheshin “Skënderbej” nën atmosferën që do të krijojnë DJ, duke nisur nga ora 23:45 për të gjithë ata që duan ta presin Vitin e Ri në sheshin qendror të Tiranës. Menjëherë pas numërimit tradicional mbrapsht deri në ardhjen e Vitit të Ri, Bashkia ka planifikuar dhe një spektakël fishekzjarresh.

KUKES
Në rrugët kryesore të qytetit të Kukësit edhe pse temperaturat janë të ulëta ndihet ngrohtësia e festave dhe kjo atmosferë është bërë edhe më e ngrohtë me zbukurimet e veçanta. Sipas kryebashkiakut të Kukësit Hasan Halilaj, janë bërë zbukurime vetëm në rrugët kryesore, pasi fondet nuk janë të mjaftueshme edhe për periferinë. Kuksianët do ta presin natën e ndërrimit të viteve me një koncert festiv.

SHKODER
Rrugë, dyqane e lokale të mbushura me drita e zbukurime, të gjitha këto krijojnë atmosferën festive të fundvitit në Shkodër. Zbukurimet për festat e fundvitit këtë herë kanë përfshirë dhe periferinë e qytetit, duke e bërë më të ngrohtë atmosferën. Institucionet dhe Pedonalja “13 Dhjetori” janë zbukuruar me drita shumëngjyrëshe, ndërsa në sheshin “Zogu i Parë” dhe “Luigj Gurakuqi” dy bredha Krishtlindjesh i shtojnë hijeshinë qytetit të Shkodrës. Mbi 2000 figura dhe 15 mijë llamba të montuara në akset rrugore, të konceptuar në formën e yjeve apo kristaleve të dëborës, kanë zbukuruar të gjitha sheshet e Shkodrës.

LEZHE
Edhe qyteti i Lezhës është veshur me dekor vezullues për të pritur ndryshimin e viteve. Në qendër të qytetit është vendosur një bredh i zbukuruar, por nuk mungojnë as zbukurimet nëpër rrugët kryesore të qytetit. Ndërkohë që sipas Përgjegjësit të Sipërmarrjes e Gjelbërimit, Nikollë Lleshi po punohet edhe për dekorimin e lagjeve periferike të qytetit.

ELBASAN
Ndryshe nga vitet e shkuara qyteti i Elbasanit në prag të ndërrimit të viteve ka marrë një tjetër pamje pasi dekori festiv është më i gjallë dhe më i pasur. Pema e Krishtlindjeve, drita shumëngjyrëshe dhe dekore të ndryshme janë vendosur përgjatë gjithë bulevardit. Në vendosjen e dekorit festiv kontributin më të madh e kanë bizneset, pasi fondet e bashkisë ishin të pamjaftueshme.

FIER
Në qytetin e Fierit bredhi i zbukuruar është vendosur në Sheshin “Nënë Tereza”. Në rrugët kryesore nuk mungojnë zbukurimet e veçanta, si dhe dritat e shumta të cilat i kanë dhënë një tjetër pamje këtij qyteti duke krijuar një atmosferë festive për qytetarët fierakë.

BERAT
Në qytetin e Beratit dekori i vendosur nga Bashkia nëpër rrugët e qytetit ka bërë që atmosfera e festave të ndihet kudo nëpër qytet. Pema e vendosur në qendër të qytetit, shumë drita dhe zbukurime të tjera i kanë dhënë një tjetër pamje këtij qyteti. Tani qyteti i lashtë dukeT edhe më interesant nën ndriçimet shumëngjyrëshe.

KORÇE
Kur na ndajnë dhe 48 orë nga nata e ndërrimit të viteve qyteti i Korçës është përfshirë nga atmosfera festive. Rrugicat dhe bulevardet kryesore janë dekoruar me ndriçim, ndërkohë që qytetarëve iu është lënë një zonë e veçantë për shëtitje. Dekorimi dhe atmosfera e festave ndihet në dy bulevardet kryesore, ”Republika”dhe “Shën Gjergji”. E inauguruar vetëm disa ditë më parë, Pedonalja e qytetit juglindor është dekoruar me drerët e Krishtlindjeve, si dhe bredhin simbolik të tyre.

VLORE
Ashtu si në të gjithë vendin edhe në qytetin e Vlorës ndihet atmosfera festive e ndërrimit të viteve. Një dekor i veçantë është vendosur në bulevardin Vlorë-Skelë, të tjera zbukurime janë vendosur në sheshin e Flamurit, ku nuk mungon as bredhi i Vitit të Ri.

GJIROKASTER
Dekori për festat e fundvitit nuk ka ndryshuar në qytetin e Gjirokastrës. Është po ai i njëjti që përsëritet në 10 vitet e fundit, pa asnjë ndryshim apo risi që të ketë diferencë nga një fundvit në tjetrin. Dekoracionet janë kryesisht me ndriçues që ekspozohen në orët e mbrëmjes, ndërkohë që asnjë investim nuk është kryer në këtë drejtim për këtë vit. Gjithsesi atmosfera e ngrohtë festive nuk mungon edhe në rrugët e qytetit të lashtë dhe historik.

VIDEO ME DEKORIMET PER VITIN E RI 2013