Probleme të theksuara ka shfaqur në nisje të tij viti i ri akademik për Partinë Demokratike. Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD Lili Sula thotë se në auditore ulen më pak studentë, ndërsa degët më të kërkuara janë ato që përgatisin studentët për të punuar jashtë vendit. Shqetësues thotë se është edhe kostoja e lartë e shpenzimeve universitare, që shpesh për studentët bëhen të papërballueshme.

" Ky vit akademik po fillon me probleme të rënda të mbartura e të shtuara vit pas viti që kanë asfiksuar çdo shteg të ecurisë normale të jetës studentore, të stafeve akademike dhe specialistëve të institucioneve të arsimit të lartë.

Edi Rama e projektoi shkatërrimin e arsimit që në vitin 2013, sepse ky pushtet, i zhytur në llumin e korrupsionit dhe shitjes së kombit, i trembet të arsimuarve, kritikave dhe protestave.

Sot ne auditorë ulen disa mijëra studentë më pak se një vit më parë, sepse shpopullimi plagën më të rëndë e ka lënë në bankat e shkollave dhe në auditorët universitarë.

Degët më të kërkuara janë ato që përgatisin të rinjtë për të emigruar, sepse diplomat e studentëve janë të pavlefshme në tregun e punës, ngaqë vendet e punës dhe punësimet janë monopol i partisë shtet. Të dhënat e INSTAT për vitin 2025 tregojnë se më shumë se gjysma e të rinjve me diplomë universitare nën moshën 30 vjeç janë të papunë.

-Kostot e një viti studimor janë të papërballueshme për studentët; përveç çmimeve të jetës së përditshme që s’kanë të ndalur, studentët nuk e përballojnë dot më qiranë e banesës që këtë vit ka shënuar tjetër rritje. Nga ana tjetër, Qytetet e Studentit dhe konviktet që duhet të mirëpresin studentët janë në kushte skandaloze dhe janë kthyer në qendra korrupsioni.

Shpenzimet e studentëve për muaj shkojnë në nivele të Italisë, Gjermanisë apo Francës, ndërsa të ardhurat e familjeve të tyre ose të ardhurat personale janë më të ulëtat në rajon.

Ndërsa kostoja e jetës së studentit shtrenjtohet çdo ditë, Edi Rama po zbaton largimin e tyre nga Tirana në Durrës që t’u shtojë edhe kostot e transportit dhe të trafikut.

Kjo qeveri flet për investime në kulla dhe turistë, por kurrë nuk tha një fjalë e aq më pak të lehtësonte jetën e studentëve për akomodim- lehtësi që do ndikonte drejtpërdrejt në cilësinë e kryerjes së studimeve.

Këto janë motive kryesore që të rinjtë nuk ndjekin universitetet tona por studiojnë jashtë vendit.

Bota universitare, që përfaqëson elitën e kombit, ka humbur thelbin e saj: nga tempulli i mendimit të lirë dhe ndërgjegjja kritike e kombit, sot jeton nën presion, pa liri akademike, pa autonomi institucionale, pa mbështetje financiare, pa kërkimin shkencor, pa ndërkombëtarizim, pa infrastructure.

Në këtë asgjësim total të vlerave universitare- plagjiatura është kusht i domosdoshëm prej këtij pushteti për t’u promovuar në karrierë dhe madje për t’u bërë ministër.

Të dashur studentë, pedagogë, studiues, punonjës të universiteteve,

Në këtë realitet të goditur rëndë nga krizat politike, sociale dhe ekonomike si edhe rënia e besimit publik, zëri ynë duhet të përfaqësojë ndërgjegjen akademike të trazuar prej kohës, të njësuar me shqetësimin e qytetarëve që nuk duan ta shohin vendin e tyre të mësohet me krizën, me pabarazinë, rrënimin, heshtjen dhe me mungesën e përgjegjësisë.Në këtë fillim viti akademik ftoj studentët që përfaqësojnë forcën për ta ndryshuar Shqipërinë për të mirën e vetes, të shoqërisë dhe kombit, ftoj pedagogët, t’i bashkohen protestës kombëtare të ditë së enjte!" tha ajo