Vizita e I e Nënë Terezës në atdhe
rrëfehet personi që u kujdes për sigurinë

Vizita e I e Nënë Terezës në atdhe<br />rrëfehet personi që u kujdes për sigurinë
Nikoll Tuci, i ngarkuari per sigurinë e Nenë Terezës gjatë vizitës saj të parë në Shqipëri rrëfen detajet nga udhëtimi që ajo pati në atdhe.

"Ishte fund i Nëntorit 1991. Punoja prej një kohë të gjatë në sigurimin e personaliteteve. Një mëngjes thirrem ne zyrë nga drejtori dhe më ngarkohet një detyrë e veçantë, me një ekip (eskortë sigurie) duhej të prisja dhe të siguroja Nënë Terezën për qëndrimin e saj në Shqipëri. Mu tha vetëm se është një bamirëse me origjinë shqiptare.

Ajo mbërriti në tokën mëmë rreth orës 16:00 me avion në aeroportin e Rinasit që sot është Aeroporti "Nënë Tereza" 

Makina jonë ju afrua avionit për ta pritur dhe shoqëruar në të gjithë aktivitet e saj. 

Ajo filloi të zbriste shkallët e avionit e shoqëruar nga dy motra të tjera me veshjet e tyre karakteristike si dhe me sekretaren e saj, gazetare amerikane qe quhej Xheni. 

Xheni interesohej në detaje edhe për sigurimin dhe lëvizjet e saj

Gjëja e parë që më bëri përshtypje qe një Grua e vogël ne trup dhe shumë e lehtë kur ecte. 

I hapa derën e makinës dhe në moment kur ajo hyri brenda, makina u bllokua nga gazetarë e fotoreporterë të huaj që zbarkuan nga i njëjti avion, të cilët nuk pushonin së shkrepuri aparatet e tyre.

Ekipi u instalua në një vilë pranë Kryeministrisë. Në përbërje të ekipit kishim një mjeke, një përkthyese në gjuhën Angleze si dhe drejtoreshën e spitalit Onkologjik, doktoreshë Adelina Mazrekun. 

Nënë Tereza sapo kishte kryer një operacion në zemër (kishte vendosur një valvul). Zonja Xheni, përveç detyrës më ishte lutur që unë të tregohesha shumë i kujdesur në sigurimin e saj fizik. 

Njerëzit qëndronin me orë të tëra në radhë për të takuar Nënë Terezën. Misioni i saj këtë radhë ishte të hapte shtëpinë e bamirësisë në vendlindjen e saj që e kish humbur për më shumë se 65 vjetësh.

Komunikonim çdo ditë. Çdo ditë komunikimi bëhej më interesant për mua. 

Thjeshtësia, butësia e saj më lejonin ta pyesja lirshëm për jetën dhe veprimtarinë e saj. Një ditë e pyeta të më tregonte programin e një dite komplet të punës së saj, ajo duke më buzëqeshur, pa hezitim më tregoi detajet e një dite pune. Me tregonte se gjate qëndrimit në spital, shumëkush tregonte interes për gjendjen shëndetësore të saj, si presidenti i SHBA, i Rusise...si dhe Papa në Vatikan...

Pas 2-3 ditësh të mbërritjes së saj në Shqipëri u prit në takim nga Zonja Nexhmije Hoxha dhe presidenti Ramiz Alia. 

Para se të shkonte në këto takime ishte shumë e tendosur. Kur po dilnim nga vila më thotë : Nikoll lutu për mua qe takimet të më shkojnë mirë ( takime mjaft të suksesshme lidhur me misionin e saj në Shqipëri). Ju përgjigja: jam i bindur dhe kam besim të plotë se çdo gjë do shkojë mirë.

Një ditë para se të nisej në Vatikan me 5 dhjetor, ku do takohej me Papën, më kërkoj të merrja gruan dhe fëmijët ti sillja në vilë. 

Mbas një heshtje nga ana ime, më thotë me buzëqeshje... do të lutem për to. Mbasi komunikoi me gruan në gjuhën angleze, duke e pyetur shkurt si dhe për fëmijët, u ul në gjunjë para tyre duke u lutur...për disa minuta.
 
Mbas dite u nisëm për në Aeroportin e Rinasit. Siç ishte zakon para se të shkonte në avion do të pinim diçka në shenjë respekti e mikpritje, në një sallon pritje për personalitete. Ishim rreth 10 veta. Kamerieri ju drejtua me përshëndetje Nënë Terezës duke e pyetur se ç'farë do të pinte. 

Një çaj i tha me buzëqeshje dhe ëmbëlsi pastaj vazhdoi me të tjerët. Shumë shpejt , me delikatesë, kamerieri ju afrua Nënë Terezës me filxhanin e çajit. Nënë Tereza i thotë: më fal të lutem, në fillim do pinë të tjerët e pastaj ma sill dhe mua. 

Dhe kështu u bë. Pak momente kishin mbetur para se të nisej avioni. 

Po mendohesha pse ajo u fal për familjen time dhe jo për mua, gjithnjë në heshtje. Në momentin qe makina u ndal dhe po afroheshim tek shkallët e avionit, erdhi momenti për tu ndarë. Më falenderoi për kohën që kaluam bashkë si dhe kujdesin në sigurimin e saj fizik. 

Në përfundim më tha : nuk harrova të falem për ty por e lashë të falem në Vatikan, pasi nesër është dita jote, 6 dhjetori Shën-Nikolli. 

Ajo ishte një Nënë e vogël në trup por me përmasa shumë të mëdha njerëzore dhe me një besim të lartë shpirtëror. Për të gjithë ditët që kalova në shërbim të saj, për mua ishin një privilegj i veçantë, një dhuratë e cila më ka shërbyer e më shërben në çdo ditë të jetës sime. 

Kam pasur kënaqësinë ta shoqëroj dhe në vizitat e saj të tjera ne Shqipëri. Ndjej një kënaqësi të veçante sot në ditën e shenjtërimit të NËNË TEREZËS".

nikoll tuci

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com



 

 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare