Vizita e Papa Franceskut në Shqipëri javën e ardhshme po pritet me mjaft interes nga opinioni publik, ndërsa klerikët dhe administrata po bëjnë përgatitje të shumta për mbarëvajtjen e ceremonive fetare. Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkëv i Tiranës dhe Durrësit thotë se Papa Francesku po e mbështet Shqipërinë në rrugën e zhvillimit, sepse e di mirë që varfëria e popullatës është e madhe. Një nga mesazhet e vizitës, sipas tij, është që pasuria shpirtërore e shqiptarëve në shekuj është më e rëndësishme se ajo materiale.
 
 
Imzot Rroku! Si po shkojnë përgatitjet për vizitën e Papa Franceskut?
 
Mund të them me kënaqësi se përgatitjet kanë përparuar mjaft mirë deri tani, dhe besoj se gjithçka ka për të përfunduar në kohë në pikat kryesore që janë sheshi Nënë Tereza, ku do të jetë ngjarja kulmore e vizitës së Papës, mesha në prani të mijëra besimtarëve dhe autoriteteve të ndryshme kishtare dhe shtetërore, dhe përfaqësive të ndryshme diplomatike. Pastaj qendra e shtypit pastaj qendra Bethania, në fshatin Bubq, ku Papa do të vizitojë fëmijët. Mendoj dhe tani besoj se Papës do t'i bëhet një pritje dinjitoze. Papa vetë nuk pretendon pritje të mëdha; dihet tashmë se ai është një njeri shumë i thjeshtë dhe shqetësohet, nëse pritjet marrin shumë energji dhe marrin vëmendje të atij vendi aty. Por kjo është shumë e rëndësishme edhe për imazhin e Shqipërisë në botë. E madhërishme do të jetë paraqitja e sheshit Nënë Tereza me altarin në qendër, prej ku Papa do të udhëheqë meshën dhe do t'i drejtojë fjalën e vet mbarë popullit shqiptar dhe mendoj edhe përtej Shqipërisë. Është një ngjarje shumë e bukur, që falë edhe angazhimit me të vërtetë serioz të autoriteteve, do të tërheqë vëmendjen e njerëzve në tërë botën.
 
Dy dekada më parë Shqipërinë e sapodalë nga diktatura e vizitoi Papa Gjon Pali i Dytë. A mund të bëni një krahasim me vizitën që po kryen tani Papa Francesku?
 
Kemi të bëjmë me dy papë, me dy udhëheqësa më të lartë të kishës katolike, pasardhëse të Shën Pjetrit. Vizitat kanë shumë gjëra të përbashkëta, pa dyshim, por nëse marrim parasysh momentin dhe rrethanat, kanë edhe ndryshime. Papa Gjon Pali i Dytë erdhi për të përcjellë një periudhë shumë të dhimbshme të popullit shqiptar në përgjithësi, dhe në veçanti të kishës katolike, dhe hapi një faqe të re të historisë tonë. Me shugurimin e 4 udhëheqësave të rinj fetarë në Shkodër, ai e rivendosi dhe e ripërtëriu hierarkinë e kishës, aq e domosdoshme, e cila nuk ekzistonte pas shkatërrimit prej diktaturës. Papa Gjon Pali i Dytë dha apelin e një solidarizimi me ato çka kisha ka vuajtuar dhe me ato pasoja që i la diktatura komuniste. Ai na dha një inkurajim për të parë në të ardhmen më shumë, se çfarë mund të kontribuonim e të ndërtonim; jo vetëm të ndërtonim kisha po edhe shoqërinë në tërësi, së bashku me marrëdhëniet ndërfetare, të cilat ai na i la amanet në mënyrën më solemne.
Ndërsa sot Papa Francesku nuk përballet me këto probleme. Papa Francesku vjen tani në një Shqipëri e cila, pranë të gjithë problemeve, që sigurisht çdo vend i ka në mënyra të ndryshme, ka një organizim, funksionon si një shtet me strukturat e veta mjaft solide, të organizuar dhe me një mbështetje ndërkombëtare dhe ka bërë shumë hapa. Papa tani vjen sikur dëshiron të na thotë: Shikoni, tani rrugën e mirë e keni filluar, por kjo rrugë mund t'ju çojë në drejtime të ndryshme dhe se nuk është gjithçka për një shoqëri vetëm mirëqenia materiale. Ideologjia komuniste donte ta largonte njeriun me dhunë nga Zoti dhe të krijonte “Njeriun e Ri”, që ishte një rrezik i madh për shoqërinë dhe që e kemi provuar, por tani është një rrezik tjetër, është rreziku i materializmit, i konsumizmit, i oreksit për t'u pasuruar sa më shpejt, rreziku i injorimit të vlerave, pa të cilat nuk mund të ndërtohet një shoqëri solide. Këtu do të fokusohet ndoshta më shumë Ati i Shenjtë, se ne tani kemi më tepër nevojë të ringrejmë disa vlera që ne i kemi dhe i kemi trashëguar e që janë shumë të mira, por që janë në rrezik pikërisht nga kjo tendencë e materializimit, e mirëqenies së shpejtë, duke shkelur shpeshherë përmbi norma, shkelma që në një kohë tjetër do të ishin të pamenduara. Këto ndjenja rrezikojnë mirëqenien e këtij vendi dhe kësaj shoqërie. Papa do të na sjellë vëmendjen në këto tendenca dhe zëvendësimin e tyre me të tjerat që e bëjnë shoqërinë komplete si të tillë.