Po iki në Lozhan. Ku Kaçaku vrau policin.
Rruga Qukës–Plloçë, si rrugë virtuale, propagandistike, televizive, është tmerr, është për ibret, është plot me rreziqe.
Por shyqyr, thuaj, që rruga Qukës–Plloçë, si rrugë reale, ekzistuese, e prekshme, është aq fantastike, sa të deh, të mrekullon, të rrëmben në një vorbull kënaqësie.
Mokra, plot njerëz të urtë, me ujërat e burimeve të ndryshme nga njëri-tjetri po aq sa edhe verërat, dhe plot histori frymëndalëse që nga lashtësia në ditët tona, është vendi ku, siç thonë italianët për Romën dhe Firencen, "la storia è quasi tangibile". Por që ta ndjesh të tillë këtë rrugë nuk mjafton të dish alfabetin dhe të bësh postime me 5 fjalë në Fejsbuk. Duhet të kesh lexuar edhe ndonjë libër. Përndryshe, në Mokër futesh si hu gardhi e del si zall lumi.
U ndala në Sovjan te një karburant i braktisur ku rakipllarët luajnë domino, pinë ndonjë kafe, gjerbin ndonjë gastare. Aty pyeta një Rakipllar të moshuar për Kaçakun e Lozhanit që vrau policin, ku fshihej trimi, si shkohet te baxhua mes pyllit ku Robin Hudi i Lozhanit gdhihej e ngrysej, pse Kaçaku kryelartë e vrau policin e gjorë. "Këto i di mirë unë", tha Rakipllari i moshuar, "se në kohën e Xhaxhit kam punuar me ndjekjen e diversantëve, kam qenë në Sigurim".
Duke iu afruar Lozhanit, nuk gjen dot kallauz të tregojë ku u gdhi e u ngrys vite të tëra Kaçaku. Të gjithë bëjnë "mëc-mëc" duke kruar kokën.
Desha s'desha, iu drejtova për ndihmë kallauzit më të pabesë në botë. Kallauzit virtual, navigatorit, që e tregon ku ndodhen Kasollet e Bodesë, dhe me gjasa është vendi ku rrinte i fshehur, dhe njëkohësisht i kapardisur, Kaçaku. Por për të mësuar nga hyhet e dilet për te Kasollet e Bodesë, ku Pylli i Bodesë është një pyll i pafund si pyjet e Bolivisë te filmi "Sorcerer" (Pagesa e Frikës), edhe navigatori dorëzohet, hesht si peshk.
Të gjesh se ku tamam, ku realisht, ku faktikisht ndodhen Kasollet e Bodesë, është një mision i pamundur. Më kollaj gjen gjilpërën në Kashtën e Kumtrit, sesa vendin ku gdhihej e ngrysej Kaçaku.
Në Lozhan të thonë se Kaçakun e pyllit të Bodesë e njohin me dhëmbë e dhëmballë. Por të habisin pak kur nguten të shtojnë se Kaçaku nuk ka pirë kurrë kafe në Lozhan. Edhe e njohin me dhëmbë e dhëmballë, edhe s'pinte kafe në Lozhan – sikur s'shkon. Është e qartë që, më tepër sesa si njeri, e njohin si mit, si legjendë. Prite kur ndonjë ditë t'i ngrenë këngë.
Gjindja e kafeneve në Lozhan të tregon secili variantin e vet se si shkohet te Kasollet e famshme. Megjithatë, nëse variantet e ndryshme i filtron, rrugët janë tri:
Nga Tresova. Por ka mbi dhjetë vjet që nuk përdoret. Harroje.
Nga Lozhani, që aty ku je, te kthesa, te çesma. Por ka nja 15 vjet që s'është parë asnjë makinë të futet.
E treta, vazhdo drejt Gramshit. Te kthesa e Strelcës, mos u ngjit lart se përfundon në Strelcë, te Çartallozi, te Reis Petriti. Hyr në rrugën e vjetër anës Devollit. Q'aty orientohu me yjet në qiell, nxirr busullën, nxirr Sekstantin, dhe vazhdo për te Kaçaku i Ferrës mes pyllit oqeanik të Bodesë.
Atë bëra. Vazhdova deri te kthesa e Strelcës. U ktheva majtas te rruga e vjetër anës lumit. Kur, as 500 metra, rruga është vidhisur. E ka marrë Devolli të tërën. Ka mbetur vetëm nja 2 metra gjerësi. Ku po u fute, ike në lumë, nga lumi në det, nga deti te flamingot në Zvërnec.
Në këto kushte, për të vajtur te Kasollet e Bodesë, ku policia vajti për të kapur Kaçakun e Lozhanit që vrau policin, duhet helikopteri i NATO-s, dronët e Erdoganit, ose të paktën tanket e Putinit.
Kthehem. Në Lozhan po ato muhabete... ka qenë marins, ruhej me qen... dënim tepër i madh për 2 gramë hashash në shtëpi dhe 6 gramë në baxho në pyll, në mal... ishte një Robin Hud, një çun i mirë, që e donte dhe e do me shpirt vendin e vet, u ngatërrua pa shkak madhor me policinë, për aq pak hashash e dënuan aq rëndë...duket e çuditshme, dhe pak e dyshimtë, gjithë ajo qeveri, gjithë ky shtet, nuk kapin dot 1 çoban vetmitar, sado kaçak, sado komit, sado Robin Hud... Gora ka pyje, por Gora dhe Bodea nuk janë Bolivia dhe Argjentina ku fshiheshin nazistët... e bënë Kaçakun fshehur në Lozhan si Hitleri fshehur në Paraguaj. Si nuk u vidhis ca ditë përpara ajo dreq rruge anës lumit, të kishte shpëtuar polici.
Në kthim, nga Lozhani drejt Maliqit, harrova që këtu s'erdha për të humbur. U ngatërrova me tabelat për të vajtur në një katund me emër fantastik: Qënckë. Zonja me Kone. Zonja me Qen. Zonja me Qënckë.
Në Maliq, pasi u medova pak nga t'ia mbaj, ia thera drejt në thellësi të fushës për në Pyllin e Fazanëve.
E para me të cilën fola dhe u mirëkuptova qe një sorkadhe e shtrirë brenda në kafaz.
Sorkadhja tha: "Ik se s'ta kam ngenë. Nuk e di pse më kanë plasur në këtë kafaz. As avokat, asgjë prej gjëje. Kështu si jam katandisur, s'di si do t'i dal para burrit, Kaprollit".
Pak më tutje, në një tjetër kafaz, fola me një fazan.
Fazani, me bisht të gjatë sa një fshesë, nuk u ankua për kafazin. Dëshmoi me fjalë prekëse keqardhje të sinqertë për kushërinjtë e largët, flamingot e Zvërnecit.
Në thellësi të Pyllit të Fazanëve ndodhet një ngrehinë ku gjatë behareve, i lodhur me përgatitjet e revolucionit proletar botëror, vinte e pushonte Kurvi.
Gjithandej nëpër pyll, nxënës dhe mësues. Ka ardhur për ekskursion shkolla 9-vjeçare e Pojanit, i famshëm për fasulet pllaqi, fasulet kokërmdhaia.
"Jeni demokratë apo socialistë?" pyes nja gjashtë a shtatë djem.
"Jemi gango", përgjigjen në një gojë dy prej tyre. Të tjerët heshtin.
Ii them një mësueseje me celular në vesh: "Çfarë deshën të thonë dy fëmijë që kur i pyeta për preferencë politike thanë 'jemi gango', ndërkohë që të tjerët heshtën?"
"Domethënë", tha mësuesja duke hequr celularin nga veshi, "se prindërit e gangove janë hajdutë, klientë të Sali Kullës. Ndërsa prindërit e heshtanakëve janë njerëz normalë, pa bombë klienteliste në tru".
Duke ikur, në dalje të pyllit, brenda një parkingu në natyrë, një pamje lumturuese për sytë dhe shëruese për zemrën: Autobus për nxënësit dhe makinat e mësueseve të fshatit Pojan. Fatkeqet e një herë e një kohe, ato që "në udhëkryqe ndanë xhadeve, nxirrnin dorën nga makinat herë dy nga dy herë veç e veç", sot secila ka makinën e vet.
Te një tezgë ku ndala për të marrë ca qershi, njëri që më njohu nga Fejsbuku, më thotë se Kryetari i Bashkisë së Maliqit ka shpikur rrotën. Ka zhdukur nga faqja e dheut Partinë Demokratike të Maliqit duke i gjetur punë të mirë çdo demokrati që ngrinte krye.
Ndala pak në Sovjan për t'u çmpirë nga qëndrimi i gjatë në makinë.
Tek iki, një tebdil që rrinte në një qoshe, më thotë: "A më merr deri në Pogradec?" I them se do iki për Tiranë. "Po deshe deri në Plloçë, eja". Erdhi. Por kishte qenë tapë. Çlironte avuj alkooli si lokomotivë. Ishte nga Stravanji. Vendi ku jam tmerrësisht kurioz të vete ta shoh pas shumë vitesh. Duke më rreshtuar toponimet mallëngjyese rrotull Stravanjit, gjëja më intriguese dhe më mahnitëse që më tha ishte se nga Stravanji mund të dilet në Poroçan. E falënderova me gjithë shpirt për këtë udhërrëfim magjepsës që së shpejti do të kthehet në udhëtim përrallor. Autostopisti i dehur në një moment e dhjeu. Pa arritur në Çërravë, kur pa mbi një kodër ca si çadra kampingu tha: "I sheh ato pallatet atje? Vetëm në Suedi Sali Kulla ka 47 të tilla". Pak më tutje 47-ën e bëri 97. E hodha në Plloçë.
Te një ballkon panoramik përtej Trebinjës ndala për të ngrënë fasule, djathë, kos, bukë dhe për të pirë ujë, që i marr çdo herë me vete.
Panoramë mahnitëse:
Dunica ku bënë masakër partizanët. Vende ku luftuan dhe u varrosën grekë, italianë, austriakë, francezë, serbë, bullgarë. Rruga për te Manastiri i Shën Marenës. Valamara me borë në majë. Stravanji. Pak Poroçani. Mali i Llëngës. Shumica toponime shqiptare, disa me origjinë latine, si Laktesh-Qumësht, ose Llëngë-Lunga e të tjerë.
Para ca muajsh, kur kalova këndej, pak pa vajtur te një shesh ku gjatë ndërtimit të rrugës ka qenë një kantier me kamionë dhe fjetore, te një dyqan i pastër i rregullt anës rrugës, mora ca djathë, trahana, pekmez.
Hyra përsëri në atë dyqan. Herën e kaluar ishte një burrë i vjetër, i sjellshëm. Këtë herë një grua zevzeke. Djathi dhe pekmezi, tmerr. Ika. Pak më tutje pyeta një vendali: "Ku ndodhet ai shitësi i vjetër ku para ca kohësh bleva gjëra të mira?" "Në qiell", tha mokrari.
Në Tiranë, pas pothuajse 12 orëve mbi makinë, arrita i vdekur për gjumë. As hëngra, as piva. Veç fjeta. Në ëndërr pashë shpendë krahëhapur në fluturim: flamingo, lejlekë, mjelma, nositë, pelikanë, pallonj, fazanë.
Komente







