JANINË - Vizita tre ditore e presidentit grek, Karolos Papulias në vendin tonë, ka nxitur ekstremistët grekë të cilët kanë kërkuar që ai t’i vëjë disa kushte Shqipërisë. Një prej këtyre partive është e ashtëquajtura, “Grekët e pavaruar”, (ANEL), të përfaqësuar edhe në parlamentin grek.

Kreu i kësaj partie në Korfuz, Terenc Kouk, ka kërkuar nga Papulias që Shqipërisë ti bëhet e qartë se, do të pengohet në rrugën e saj drejt BE-së nëse vazhdon duke kërkuar të drejtat e çamëve.

“Presidenti grek Karolos Papulias do të zhvillojë një vizitë tre ditore në Shqipëri dhe unë si kreu i i ANEL, (Grekët e pavaruar), dua ti kërkoj atij, meqenëse qeveria greke ka heshtur, ti bëjë të qartë në mënyrë kategorike qeverisë së re të Shqipërisë, që të mos vazhdojë më me thirrje si “Shqipëria e Madhe” dhe të mos provojnë më me popullsinë çame”, ka thënë gjatë një deklarate Kouk.

Gjithashtu ky i fundit ankohet se, edhe kryepeshkopi Anatas Janullatos dhe priftërinjtë janë vazhdimisht në presion të shqiptarëve, duke kujtuar ngjarjen e Përmetit. Sipas tij, ministria e Jashtme  e  Greqisë, duhet që të mbështesë Janullatosin më shumë, pasi është lënë vetëm.

Grekët e pavarur thonë se presidenti Papulias duhet ti kujtojë Tiranës zyrtare që këto janë kushte të mjaftueshme që Shqipërisë ti bllokohet rruga e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Gjithashtu ata kujtojnë edhe anullimin e vizitës që bëri Papulias, pas protestave të popullsisë çame në Sarandë.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)