Palestinezët e kanë dënuar një vizitë në një vend të shenjtë në Jerusalem nga një ministër izraelit i ekstremit të djathtë duke e konsideruar si një "provokim të paprecedentë". Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, i cili ka bërë thirrje për një linjë më të ashpër ndaj palestinezëve, eci rreth vendit i rrethuar nga policia.
Pretendimet për vendin e shenjtë ndajnë ashpër Izraelin dhe Palestinezët. Tensionet janë rritur me ardhjen e qeverisë së re nacionaliste të Izraelit. Vizita e Ben-Gvir ishte akti i tij i parë publik që kur qeveria, e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, u betua pesë ditë më parë.
Vendi në majë të kodrës është vendi më i shenjtë në judaizëm dhe i treti më i shenjtë në Islam. Për hebrenjtë njihet si Mali i Tempullit, vendi i dy tempujve biblikë dhe për myslimanët si Haram al-Sharif, vendi i ngjitjes së Muhamedit në Parajsë.
Hebrenjtë dhe jomuslimanët e tjerë lejohen të shkojnë atje, por nuk luten, megjithëse palestinezët i shohin vizitat e hebrenjve si përpjekje për të ndryshuar status quo-në delikate.
Benjamin Netanyahu u kthye si kryeministër, pasi partia e tij Likud formoi një koalicion me aleatët hebrenj ultranacionalistë dhe ultra-ortodoksë. Ekziston shqetësimi i brendshëm dhe ndërkombëtar se do të ndezë konfliktin me palestinezët, do të dëmtojë gjyqësorin dhe do të kufizojë të drejtat e pakicave.
Komente

