Gjatë vizitës së zhvilluar në Prishtinë këtë fundjavë, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka takuar krerët e partive politike në Kosovë, ndërsa në vend vijon fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme.
Hoxha bën me dije se ka përgëzuar kryetarin e ri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjinin. Përmes një postimi në X, ai vlerëson edhe kontributin e ish-drejtuesit të kësaj partie, Ramush Haradinajt.
“Në selinë e Aleancës, pata kënaqësinë të takoj dhe përgëzoj Kryetarin Ardian Gjini, për marrjen e drejtimit të kësaj force politike në një moment të rëndësishëm për zhvillimet politike në Kosovë. Njëkohësisht, shpreha vlerësimin tim për kontributin e çmuar të ish-kryetarit, Ramush Haradinaj, si në drejtimin e Aleancës ndër vite ashtu edhe në avancimin e agjendës shtetërore të Kosovës, veçanërisht në sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare për rrugëtimin e saj euroatlantik”, shkruan Hoxha.
Gjithashtu ai ka takuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Bedri Hamzën.
“Pata kënaqësinë e një takimi të ngrohtë dhe miqësor me Kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, me të cilin shkëmbyem mendime mbi zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe sfidat e periudhës në vijim”, shkruan ministri.
Sipas Hoxhës, partitë mund të luajë rol konstruktiv në ndërtimin e konsensusit politik, ndërsa është theksuar rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi dhe mbështetja e plotë e Shqipërisë për Kosovën.
“Theksova rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve, konsolidimit të paqes së qëndrueshme dhe përparimit në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar njëkohësisht nevojën për përgjegjësi dhe llogaridhënie ndaj çdo veprimi që cenon sgurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal. Riafirmova mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën, në çdo kohë dhe në çdo aspekt, si për forcimin e demokracisë, institucioneve dhe zhvillimit të saj, ashtu edhe për konsolidimin e rolit të Kosovës si faktor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, shkruan Hoxha.
Hoxha, është takuar gjithashtu edhe me komandantin e KFOR-it, gjeneral major Özkan Ulutaş, duke vlerësuar rolin e misionit të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Ministri Hoxha me Komandantin e KFOR
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka ndarë në rrjete sociale momente nga takimi në Prishtinë me komandantin e KFOR-it, gjeneral major Özkan Ulutaş, duke vlerësuar rolin e misionit të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Hoxha theksoi se KFOR-i ka luajtur rol vendimtar në përballimin e sfidave të sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës, ndërsa nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në mbështetje të misionit me kontributin e saj ushtarak.
Kryediplomati shqiptar deklaroi se siguria e Kosovës lidhet drejtpërdrejt me interesat kombëtare dhe rajonale të Shqipërisë, duke shtuar se Tirana do të vijojë të mbështesë aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe forcimin e institucioneve të saj të sigurisë në bashkëpunim me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë.
Postimi i plotë i Hoxhës në X
"Ishte kënaqësi e veçantë të takohesha me Gjeneral Major Özkan Ulutaş, Komandant i KFOR-it. Shqipëria vlerëson lart rolin jetik që KFOR-i vazhdon të luajë në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. Ne përgëzojmë të gjitha vendet kontribuese me trupa për angazhimin e tyre të palëkundur, profesionalizmin dhe përkushtimin, të cilat mbeten thelbësore për suksesin e misionit të #NATO-s dhe për garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.
KFOR-i ka luajtur një rol vendimtar në përballimin e sfidave të sigurisë, veçanërisht përballë akteve shqetësuese dhe kërcënuese në veri të Kosovës, duke kontribuar njëkohësisht në ruajtjen e stabilitetit dhe në krijimin e kushteve të nevojshme për dialogun, forcimin e institucioneve dhe paqen afatgjatë. #Shqipëria është krenare që kontribuon në KFOR me një kontingjent të konsiderueshëm dhe mbetet plotësisht e angazhuar në mbështetje të përpjekjeve të Aleancës në rajon.
Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe afrimin gradual të saj me standardet dhe praktikat e Aleancës. Një Kosovë e sigurt, e qëndrueshme dhe demokratike kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Siguria e Kosovës është e pandashme nga interesat kombëtare dhe rajonale të sigurisë së Shqipërisë. Stabiliteti në Kosovë do të thotë stabilitet në rajon, ndërsa forcimi i institucioneve të Kosovës, rritja e qëndrueshmërisë së saj dhe avancimi i integrimit ndërkombëtar përbëjnë një investim në paqen dhe sigurinë afatgjatë për të gjithë.
Ndërsa prania e KFOR-it mbetet e domosdoshme, siguria dhe stabiliteti afatgjatë i Kosovës do të varen gjithnjë e më shumë nga forca, profesionalizmi i institucioneve të saj. Mbështetja për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të sigurisë së Kosovës, në koordinim të ngushtë me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë, mbetet thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë" tha Hoxha
.jpg)
Ministri i jashtëm Ferit Hoxha dhe nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri
Lutfi Haziri ka pritur në Prishtinë ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxhën, me të cilin ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nënkryetari i LDK-së tha se në fokus të bisedës kanë qenë koordinimi i mëtejshëm i politikave dhe veprimeve mes dy shteteve, mbështetja e Shqipërisë për integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, si dhe realizimi i nismave strategjike që afrojnë qytetarët dhe forcojnë bashkëpunimin rajonal. Haziri e cilësoi takimin si të përzemërt dhe e falënderoi kryediplomatin shqiptar për vizitën në selinë e LDK-së.
“Në emër të LDK-së dhe kryetarit Abdixhiku, pata kënaqësinë ta mirëpres në takim ministrin për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha. Në këtë takim të përzemërt, kemi diskutuar për koordinimin e mëtejmë të veprimeve dhe politikave ndërmjet dy shteteve tona, për rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në mbështetjen e proceseve integruese të Kosovës në NATO dhe BE, si dhe për realizimin e nismave strategjike që afrojmë më shumë qytetarët dhe forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe brenda shqiptar”, shkroi Haziri në një postim në Facebook.
“E falënderoj përzemërsisht për vizitën në partinë që i vuri themelet e lirisë, pavarësisë e shtetndërtimit, ministrin për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha”, shtoi ai.
Komente




